Hashim Thaçi, si qytetar i rëndomtë

Do të ndeshej me njerëz të shumtë të lënë pa perspektivë. Do t’i kuptonte më mirë, sepse edhe vetë do të ishte i tillë. Dhe, nëse do të mbetej pa parti e pa emër, domethënë i panjohur, do ta kuptonte më mirë se kushdo tjetër se sa i harlisur është bërë klientelizmi e korrupsioni. Se sa dhemb kur sheh një përfaqësues politik derisa i harxhon 6 mijë euro për një biletë aeroplani.

0
501

nxitur nga një tekst mbi një shpërngulje imagjinare të presidentit serb Aleksandar Vučić në Kosovë për të parë me sytë e vet jetën e qytetarëve të komunitetit serb këtu, New Perspektiva luti nëse mund të shkruaj diçka reciproke për presidentin Hashim Thaçi. M’u duk e kollajshme fillimisht, por pastaj m’u ndërmendën rrethanat politike: sikur Thaçi të provonte të shpërngulej në Preshevë do të përfundonte drejt e në burg (deri sot, asnjëherë nuk e ka vizituar Luginën, derisa Vučić ka qenë disa herë në Kosovë) dhe me kaq do të përfundonte gjithçka. Më pas vendosa që ndoshta – i frymëzuar nga aktualiteti, ku po i dalin shpenzimet luksoze me para të shtetit – të imagjinoja Hashim Thaçin duke hequr dorë nga zanati i politikanit – psh, shkaku i një shtytjeje të beftë nga ndërgjegjja e lënduar. Qysh do të ishte fati i tij?

E para që të vjen ndërmend është lidhja e tij me biznesin – sepse, më shumë se si politikan, ai ka shërbyer si biznesmen dhe vartës i Bashkësisë Ndërkombëtare. Ai njeh qindra biznesmenë, dhe tashmë edhe familjarët e tij janë njerëz të fuqishëm.

Por, të imagjinojmë sikur Thaçi të shkëputej nga të gjitha lidhjet që i krijoi si politikan, nga të gjitha privilegjet që do t’i mbesnin. Qoftë edhe nga emri i tij, në mënyrë që as të mos njihej nga bashkëvendësit e vet.

E para gjë që do ta brente është ndjesia se nuk jeton në një tamam-shtet. Serbia ende brenda Kosovës – duke përcaktuar çështjet më të rëndësishme për vendin. Serbia ende duke qenë destruktive dhe duke na mbajtur jofunksionalë – shkaku i miteve të saj. Do të shkundej nga një ndjesi e tmerrshme inferioriteti. Do ta shihte se si fjalori i tij i ngushtë e formal, ‘koqe-luajtja’ (frazë e përdorur prej tij në Aferën “Pronto”) e tij e vazhdueshme ishte e padurueshme për njerëzit e rëndomtë dhe ndjesitë e tyre për vendin. 

Ai do të ndeshej me njerëz të shumtë lënë pa perspektivë. Do t’i kuptonte më mirë, sepse edhe vetë do të ishte i tillë. Dhe, nëse do të mbetej pa parti e pa emër, domethënë i panjohur, do ta kuptonte më mirë se kushdo tjetër se sa i harlisur është bërë klientelizmi e korrupsioni. Se sa dhemb kur sheh një përfaqësues politik derisa i harxhon 6 mijë euro për një biletë aeroplani. Jo se u harxhuan 6 mijë euro të shtetit, por se jep mesazhin që ai përfaqësues nuk ka kurrfarë empatie për ty. Do ta kishte të zorshme të punësohej qoftë edhe në një shkollë mesme për të dhënë mësim. Do t’ia niste njësoj si njerëzit e moshës së tij – të lënë paangazhuar – të belbëzonte kot për politikën, duke u ndjerë tmerrësisht i parëndësishëm e i papërfaqësuar.

Po të gëzonte një pension dhe privilegjet e tjera të veteranit të luftës, do të ndeshej gjithandej me dyshimin se është ‘i rremë’. Një tjetër mashtrues. Dhe aty, do të kuptonte dëmin që i ka bërë këtij procesi me shokët e tij. Do t’i shkonte ndërmend të ikte drejt shteteve të zhvilluara perëndimore, ku edhe puna ‘në zezën’ bën më dinjitetshëm se çfarëdo pune në Kosovë. Kjo sepse punët në Kosovë janë përlyera me dyshimin e punës pameritore, e të moskualifikimit. Shtoji kësaj mungesën e një kontrate pune, rrogën e vogël, dhe përvijimin që jep kjo për një paperspektivë të tmerrshme. Por zor që do t’ia dilte mbanë një gjëje të tillë. Do të mbeste këtu, si një mut.

Natyrisht, në vetminë e tij të tmerrshme, i çlidhur nga e kaluara e tij, Hashimi i rëndomtë do të krijonte shokë rinj të rëndomtë. Të cilët, në izolimin e tmerrshëm dhe në inferioritetin institucional që përvidhet në përditshmëri, thjesht nga të qenët nënshtetas i Kosovës, do t’i jepnin zgjedhje të padinjitetshme. Servilohu, njëra prej tyre. Ose edhe më keq, bëhu pjesë e nivelit më ulët të korrupsionit. Jepi një shumë parash një zyrtari sa për t’u bërë profesor historie. Sepse, s’ki çare. Sepse, s’ki kualifikim. Dhe sepse, fundja, kualifikimi as që duhet. Ama nëse Hashimi i rëndomtë do të donte të ruante dinjitetin, mosvet për fatin e tij.   

Brenda një shteti që nuk është tamam shtet, Hashimin e rëndomtë do ta vriste përditshmëria tragjike. Do të bredhte kafeneve, e ndoshta në pamundësi të ikjes fizike nga vendi do të ikte në dehje. Do të dendej me alkol, ose do të dendej në llafe të kota sa për të kaluar kohën. Por gjithsesi, do të ishte brenda një tragjedie të vogël e të rëndë, që do të merrte fund veç nëse do të çante me ndonjë plumb rrashtën e kafkës.

Nëse do të shkonte në vendbanimet serbe, do të shihte se sa i rremë është integrimi i tyre në vend, dhe sa shumë të papunë të rinj ka ky komunitet. Do të zbulonte, me fjalë të tjera, se institucionet që i udhëhiqte e kanë fabrikuar një pjesë të madhe të realitetit. Do të ndeshej jo veç me veteranë të rremë, studentë të rremë e profesorë të rremë (si pasojë e vendimeve të qeverive të tij për të zgjeruar hapësirat universitare pa kritere), politikanë të rremë e biznesmenë të rremë (si pasojë e një pushteti praktikisht të centralizuar), por edhe me procese të rreme – siç ishte pjesërisht edhe ai i kthimit dhe integrimit të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera. A do të mund të shkonte si qytetar i rëndomtë në pjesën veriore të Mitrovicës? As që do t’ia mësyente bile.

Do të rrinte më gjatë me familjen e tij, po ashtu të shkëputur nga çdo lloj privilegji, dhe do ta brente fati i gruas së tij – e papunë, e paangazhuar, njësoj si 90 për qind e grave tjera kosovare. Por më shumë do ta brente fati i djalit të tij që nuk do të kishte lidhjet e duhura për t’u ngjitur në skemën e korruptuar të prodhimit. Do të përhumbej në lajme, apo në emisione politike. Do ta jetonte fjalinë e Ortega y Gasset-it që thotë se “një ekzistencë e papunë është e keqe se vdekja”. Dhe, po, do ta kuptonte se një pjesë shumë e madhe njerëzish në Kosovë jetojnë një fat më keq se vetë vdekja.

Janë figurantë brenda një varg rrethanash gjysmë-reale gjysmë me trill, që prodhon pushteti.

comments

SHARE