Historia shumë-perspektivëshe e Kosovës

New Perspektiva lansoi uebfaqen për historinë shumë-perspektivëshe të Kosovës, Multi-perspektiva, e cila synon t’i ofrojë narrativat e historisë së Kosovës ashtu siç shihen nga tri palë. Multi-perspektiva nuk ka për qëllim të tregojë se historia e kujt është e vërtetë apo e gabuar, por të tregojë se historia, zakonisht, ka shumë aspekte dhe të vërteta.

0
164

New Perspektiva lansoi uebfaqen për historinë shumë-perspektivëshe të Kosovës, Multi-perspektiva. Kjo uebfaqe synon t’i ofrojë narrativat e historisë së Kosovës ashtu siç shihen nga tri palë. Mes tjerash, uebfaqja synon të ofrojë informacione mbi sfondin dhe shembuj për metodologjinë dhe një sërë burimesh për tema të caktuara të historisë së Kosovës.

Multi-Perspektiva është themeluar si pikë referimi për mësuesit, studentët dhe të tjerët. Do të donim që nxënësit në veçanti të jenë të vetëdijshëm rreth një mënyre tjetër të të kuptuarit të historisë dhe t’u japim atyre një burim që mund t’i qasen pavarësisht. Kemi ofruar shembuj dhe sugjerime të ndërlidhura me historinë e përbashkët të Kosovës dhe rajonit fqinj të saj. Uebfaqja nuk ka për qëllim të tregojë se historia e kujt është e vërtetë apo e gabuar, por të tregojë se historia, zakonisht, ka shumë aspekte dhe të vërteta.

Kjo është çështje e rëndësishme arsimore, por njëkohësisht edhe çështje vendimtare për ta rindërtuar mirëkuptimin dhe stabilitetin ndër-komunitar. 

Para më shumë se dy viteve, New Perspektiva e nisi këtë punë për hapjen e të menduarit mbi metodologjinë shumë-perspektivëshe në mësimdhënien e historisë për arsyet e mëposhtme:

  • të mësuarit e historisë përmes qasjes aktuale një-perspektivëshe, e praktikuar në shkollat e ndara kosovare dhe serbe, i ndan edhe më shumë qytetarët e rinj të Kosovës dhe kështu përbën faktor që kërcënon stabilitetin në Kosovë. Nuk e nxit mirëkuptimin midis komuniteteve;
  • qasja një-perspektivëshe nuk arrin t’ua zhvillojë studentëve aftësitë e analizës kritike, aftësitë që duhet t’i zhvillojnë si qytetarë përgjegjës dhe demokratikë;
  • nxënësit që e përdorin metodologjinë shumë-perspektivëshe mësojnë t’i dallojnë faktet prej interpretimeve. Nuk e shohin historinë më si diçka që duhet të memorizohet – të memorizosh nuk është të mendosh.
  • sistemi aktual i paaftëson nxënësit dhe nuk i merr ata parasysh;
  • sistemi aktual i parandalon mësuesit t’ua mësojnë nxënësve historinë në mënyrë korrekte dhe efektive;
  • Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve, Këshilli i Europës ka përvetësuar një qëndrim të fortë ndaj qasjes shumë-perspektivëshe. Këshilli deklaroi në Rekomandimet e tij të vitit 1996 mbi Historinë dhe të Mësuarit e Historisë në Evropë se metodologjia shumë-perspektivëshe e mësimdhënies do t’i inkurajonte studentët ta respektojnë diversitetin dhe dallimet kulturore. Tha se “historia ka një rol kyç në Europë… mund të jetë forcë për ndarje, dhunë apo mostolerancë, nëse nuk mësohet kujdesshëm.”
Uebfaqja multi-perspektiva.com u lansua të enjten, më 7 mars 2019, në Prishtinë

Ne besojmë se kjo është një çështje vendimtare për Kosovën. Është moment kyç për ta promovuar këtë metodologji, pasi Plani i Strategjisë së Arsimit i MASHT-it 2017-21 në mënyrë specifike synon të lejojë fleksibilitet më të madh në mësimdhënie. Ka treguar se ka hapësirë ​​për ndryshime në mësimdhënien e historisë dhe se kurrikula e re do ta promovojë fleksibilitetin e mësimdhënësve në përzgjedhjen e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në lëndë të caktuara. Theksohet se diversiteti dhe pluralizmi duhet të përfshihen në të gjitha fushat e lëndëve.

Projekti për zhvillimin e kësaj uebfaqeje është financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, si pjesë e projektit të tyre më të gjerë “Building Societal Connections and the Protection of Minorities in Kosovo”

SHARE