Huliganët – mjet politik 

Kohët e fundit u zhvillua një ndeshje futbolli mes përfaqësueseve të Kosovës dhe Anglisë në Prishtinë, dhe vetëm disa ditë para asaj loje, reprezentacioni i Kosovës luajti kundër reperzentacionit çek në Plzen. Do të duhej tërhequr një paralele midis këtyre dy ngjarjeve. Për të satën herë tifozët ia arritën që një ngjarje sportive ta vënë në plan të dytë. Si në Plzen ashtu edhe në Prishtinë.

0
61

Të helmuar nga nacionalizmi, huliganët zakonisht shprehin frustrimin dhe entuziazmin e tyre në terrene sportive dhe rreth tyre, e në shumicën e rasteve këto janë terrenet e futbollit. Futbolli, si gjëja kryesore e dorës së dytë, ua mundëson individëve dhe grupacioneve të caktuara të shprehin qëndrimet e tyre. Duke i shprehur ato pikëpamje, huliganët hyjnë lehtësisht në konflikte nëpër rrugë, në tribuna dhe kudo që u ipet rasti.

Kështu, huliganët çekë në mënyrën e tyre karakteristike i dhanë përkrahje popullit serb. Duke sulmuar tifozët e Kosovës, ata ia dolën të tërheqin vëmendjen e medias. Huliganët treguan se sa zemërgjerë janë dhe sa janë mikpritës në faqen e tyre në internet. Çekët vendosën xhirime të sulmeve ndaj shqiptarëve të cilët erdhën të mbështesin Kosovën. Në ato pamje shihen flamuj serbë dhe çekë, thirrje “Kosova – Serbi”, shihen tifozët e rrahur të Kosovës. Ata e kishin përgatitur mirë pritjen e tifozëve kosovarë, me gjasë për t’iu hakmarrë për mikpritjen e tyre në Kosovë. Një tifoz çek ishte rrahur atëherë dhe tetë të tjerë ishin arrestuar. Nuk e di pse kam përshtypjen se diçka e tillë nuk do të ndodhte në Serbi. Mbase këta që na mbështesin dhe “mbrojnë” janë serbë paksa më të mëdhenj se ne, ose ndoshta kanë si qëllim diçka tjetër. Megjithëse, në Serbi ka gjithnjë e më pak nacionalistë, sikur është e turpshme të jesh nacionalist. 

Në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, situata ka qenë po ashtu politikisht e ngjyrosur, mirëpo me disa ngjyra më të hareshme. Tifozët kosovarë nuk e fshehën entuziazmin e tyre për shkak të ardhjes së reprezentacionit anglez. Përfaqësuesja e Anglisë dhe disa tifozë u pritën me eufori në rrugët e Prishtinës. Përkrah tifozëve kosovarë, entuziazmin nuk e fshehën as politikanët të cilët u uruan mirëseardhje mysafirëve. Mediat kosovare raportuan gjerësisht për reagimin e tifozëve anglezë ndaj pritjes në Prishtinë kurse Gazeta Express e Prishtinës publikoi edhe pamjet në të cilat tifozët kosovarë dhe anglezë brohorasin „Serbët janë llum kudo që të gjenden“. Si çekët, ashtu edhe anglezët i regjistruan veprimet e tyre; ekziston xhirimi ku tifozët anglezë bërtasin se serbët janë bastardë dhe ngrenë dorën për përshëndetje naziste. E shikoj atë xhirim dhe nuk e kuptoj atë urrejtje, ashtu sikur nuk e kuptoj as urrejtjen e atyre huliganëve çekë. 

Mund të kuptoj që disa rrugë në Kosovë morën emrin e Toni Blerit dhe Robin Kukut, sepse ata njerëz kanë qenë faktorë që e detyruan Beogradin të tërheqë trupat nga Kosova. Mund të kuptoj që disa fëmijë janë pagëzuar me emrin Toni Bler, që njerëzve si Bill Kllintoni u janë ndërtuar shtatore. Por assesi nuk mund të kuptoj se pse pushteti i mbështet njerëzit që mbjellin urrejtje, që mbjellin frikë, që rrezikojnë njerëzit e rëndomtë që kanë ardhur të mbështesin ekipin e tyre. Qoftë kjo në Plzen, Londër, Moskë, Beograd, Paris apo Prishtinë. Është e qartë se huliganët janë shndërruar në mjet politik me të cilin fitohen poena politikë, kredi politike. Në këtë mënyrë pushteti ekzekutiv i dërgon porosi botës përmes huliganëve, në fakt me lejimin që të shprehin sjelljet e tyre të dhunshme apo qëndrime politike. Të tillë çfarë janë tifozët – ashtu është edhe pushteti.

Reprezentacioni i Kosovës në futboll u mposht edhe në Plzen edhe në Prishtinë, kështu që nuk u kualifikua për në Kampionatin Evropian. Por, duket që kjo nuk është me rëndësi, sporti mbetet anash derisa politika dhe huliganët ta kenë fjalën kryesore, në fakt vëmendjen e medias. Deri kur politika të ketë interes që të përzihet në sport, do të ekzistojnë edhe grupacione të caktuara (zakonisht huliganë) me të cilët manipulohet. Kështu ndodhë edhe në vende shumë të zhvilluara. Deri atëherë sporti do të jetë në plan të dytë, si për mediat ashtu edhe për masat e gjera popullore. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE