Iluzionet e shpartalluara 

Kosova konsideron se ka pësuar humbje politike që nuk ia doli të hyjë në Interpol, për shkak të lobimit të Serbisë, kështu që vendosi për masa represive, vendosën taksa ndaj prodhimeve të Serbisë, e me këtë e cenuan edhe popullin e vet, e jo vetëm atë serb.

0
318

Të kuptuarit tragjikomik dhe paradoksal e kolegut tim Shkumbinit më nxiti që t’i qartësojë disa nocione dhe situata të cilat ai i kupton ashtu siç do të dëshironte të jetë në realitet dhe ashtu siç propagon establishmenti politik nga Prishtina për t’iu përmbajtur politikës “nacionaliste”. Kolegu, sikur disa politikanë të caktuar nga Prishtina, për të kthyer vëmendjen nga turpi i popullit të tij, në shtyllë të turpit e gozhdoi Serbinë.

Anëtarët e CEFTA-s kanë marrëveshje për tregtinë e lirë, të lirë, pa kurrfarë taksash prej 100%, të cilat mund të shkaktojnë katastrofë humanitare (mendoj para së gjithash në ushqim dhe barna). Kur e kritikoni dikend, zakonisht duhet të keni argumente që kanë bazë, kurse kolegu im Shkumbini as që është përpjekur ta lexojë marrëveshjen e CEFTA-s, në fakt nenin 18 në të cilin thirret apo ndoshta nuk e ka kuptuar si duhet. I njëjti nen ka të bëjë me “transparencën gjatë shkëmbimit të të dhënave në nivelin nacional”. Të të dhënave! Një gjë është e sigurt, kolegu u përpoq që të shtie nga pushka e zbrazët, me vetëdije apo pa të. 

“Serbia po vendos pengesa për transportin rrugor, e madje e ka ndaluar plotësisht transportin përmes hekurudhës” shkroi Shkumbini, e duket që ka harruar se kush e bllokoi hyrjen e trenit nga Serbia, madje tren udhëtarësh, të vizatuar me manastire serbe. Jam i sigurt që Kosova do të mund të eksportonte mall në Serbinë qendrore, vetëm pa shenja të cilat Serbia nuk i pranon, shenjat “Republika e Kosovës”, e po ashtu disa biznesmenë kosovarë të nacionalitetit shqiptar kanë gjetur mënyra të shesin mallin e tyre në territorin e Serbisë qendrore.

Kosova konsideron se ka pësuar humbje politike që nuk ia doli të hyjë në Interpol, për shkak të lobimit të Serbisë, kështu që vendosi për masa represive, vendosën taksa ndaj prodhimeve të Serbisë, e me këtë e cenuan edhe popullin e vet, e jo vetëm atë serb. Po të kishte kjo taksë një ndikim pozitiv bilateral midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të krijohej kaq tension për të. Përpjekja e politikanëve serbë, por edhe i Federica Mogherini-t, Johanes Hahn-it dhe shumë zyrtarëve tjerë botëror ende nuk dha rezultate që të bindë Prishtinën të tërheqë vendimin për taksat.

Është interesant raportimi i agjencisë amerikane “Bloomberg”, ku thuhet se Prishtina ka nisur një luftë ekonomike me Beogradin. Prishtina e nisi… Po të ishte në rregull vendosja e taksave prej 100%, me siguri nuk do të paraqitej as ndihmësi i zëvendësit të sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer, i cili i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të heqin taksat. Është e qartë se Shkumbini konsideron që me masa represive mund të arrihet deri tek qëllimet të cilat Prishtina i kërkon nga Beogradi. 

A duhet Evropa t’i vendosë sanksione Serbisë? Përgjigjen duhet kërkuar në hapjen e dy kapitujve të rinj për anëtarësimin e Serbisë në BE për çka u votua në dhjetor 2018. Është e qartë se Kosova e ka mbështetjen e perëndimit, kurse sanksionet që po i përmend kolegu janë vetëm një iluzion i tij.

Po ashtu, Shkumbin Kajtazi në artikullin e tij thotë se djegia e prodhimeve serbe nëpër Kosovë është një reagim ndaj festimit të politikanëve serbë, ku e shquan Ivica Dačić-in. Mendoj se politikanët serbë nuk kanë djegur asgjë, aq më pak çokollata dhe keksa, kjo nuk mund të shihej në rrjete sociale e në TV. Në vend që të gjykojë sjelljen vandale të popullit të vet, Shkumbini po e bart veten në një oborr të huaj.

Në tekstin e tij thuhet se si barnat vijnë përmes “bjeshkëve më veriore”, e që nuk kalojnë nëpër kufijtë shtetëror. Disi po imponohen pyetjet: 1) Cili shtet? 2) Nëse Kosova është shtet, pse po kërkon nga Serbia dhe shumë shtete tjera që ta njohin? 3) Nëse është shtet, pse personat që vijnë nga Serbia qendrore nuk kanë nevojë për pasaportë për të hyrë në Kosovë, siç u duhet kur udhëtojnë në vendet sikur Gjermania, Austria, Italia etj.

Nobelisti serb, Ivo Andrić, ka thënë „Prej gjithçka që njeriu ndërton nuk ka asgjë më të vlefshme se urat“. Mbase çdo njeri sadopak gjakftohtë do të duhejt të udhëhiqej nga kjo ide, përfshirë edhe shoqërinë kosovare. Duhet menduar për këtë.

SHARE