Interesim i qytetarëve në veri për t’u pajisur me patentë shoferë të Kosovës

Zyrtarë të komunave veriore kanë thënë se është rritur interesimi i qytetarëve nga të gjitha komunitetet për t’u pajisur me patentë shoferë të Kosovës. Sipas të dhënave të qeverisë, gjithsejtë 4105 patentë shoferë u janë dhënë qytetarëve serbë prej 12 dhjetorit 2017 deri më 31 maj 2018. Por sfidë vazhdon të mbetet moszbatimi i marrëveshjes për targat

0
160

Qytetarët e veriut të Kosovës janë duke shprehur interesim që veturat e tyre t’i regjistrojnë me tabelat e lëshuara nga Kosova, si dhe të pajisen me patentë shoferë të Kosovës, kanë thënë zyrtarë të qeverisë dhe zyrtarë të komunave në veri të Kosovës.

Më 15 dhjetor të vitit 2017, Ministria e Punëve të Brendshme, kishte vendosur të zgjasë periudhën e aplikimit për ndryshimin e patentë shoferëve dhe shtimin e kategorive në patentë shoferët e Kosovës nga patentë shoferët e lëshuar nga organet serbe deri më 14.09.2016.

Sipas një raporti të qeverisë së Kosovës që flet për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve nga dialogu teknik me Serbinë, gjithsej 4105 patentë shoferë u janë dhënë qytetarëve serbë prej 12 dhjetorit 2017 deri më 31 maj 2018. Sa i përket komunave, prinë Graçanica, ku numri i atyre që janë pajisur me patentë shoferë të Kosovës është 4434. Më pas renditen Shtërpca (4323), Novobërda (2010), Mitrovica e Veriut (1520) dhe Leposaviqi (1259).

Shefja e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, Adrijana Hodžić, thotë se pajisja e qytetarëve me patentë shoferë të Kosovës ndikon në fuqizimin e lëvizjes së lirë në veri.

“Ndërmarrja e veprimeve dhe krijimi i lehtësirave në procedura ka ndikuar që qytetarët në veri, të të gjitha komuniteteve, të marrin patentë shoferët e Kosovës. Ka të interesuar për t’u pajisur me këto dokumente sepse kjo ndërlidhet me lëvizjen e lirë në gjithë territorin e Kosovës. Kështu që ka qenë një vendim pozitiv”, thotë Hodžić për “New Perspektiva”.

Funksionale tri qendra për regjistrim të automjeteve

Në Ministrinë e punëve të brendshme thonë se ata i kanë përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit.

“Ministria  e Punëve të Brendshme i ka përmbushur  obligimet të cilat kanë dalë nga Marrëveshja e Brukselit. Me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë për Regjistrim Civil-Departamenti për Regjistrim të Automjeteve, ka nxjerrë  Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e automjeteve me numër (MPB) NR. 02/2018, për regjistrimin e mjeteve me targa KS, po ashtu MPB e ka nxjerrë edhe vendimin me numër 99/18 për lirim nga taksat administrative nga targa të ish-RFJ-së në targa KS ose RKS, si dhe vendimi nr. 100/18,  për lejimin e vazhdimit të regjistrimit të mjeteve nga targat e përkohshme në targa KS ose RKS”, theksohet në përgjigjen e MPB-s dërguar “New Perspektivës”. Aty më tej thuhet se në kuadër të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, “MPB ka hapur dhe funksionalizuar tri Qendra për Regjistrim të Automjeteve në pjesën veriore të vendit në  Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku në këto qendra, kryhen normalisht shërbimet për Regjistrimin e Automjeteve”.

Me qëllim që qytetarët të motivohen që t’i regjistrojnë automjetet me targa KS ose RKS, në mars të këtij viti, MPB ka marrë vendim për heqjen e taksave të regjistrimit për pronarët që posedonin automjete me targa të ish-RFJ-së ose me targa të ngjashme nga 10 qershori 1999 deri më 14 shtator 2016. Vendimi është i vlefshëm për një vit, ndërkaq sipas të dhënave të MPB-s, gjatë periudhës janar-maj 2018, për herë  të parë u regjistruan 1885 automjete, për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar kur u regjistruan 843 automjete.

Në qytetin e Mitrovicës Veriore ka vetura të cilat ose janë pa targa ose janë me regjistrime të vjetra, të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë ilegale. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2011, parasheh që të gjithë pronarët e automjeteve, të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të shfrytëzojnë targat e regjistrimit me shenjën KS ose RKS dhe në këtë mënyrë të hiqen nga përdorimi tabelat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me shenjat: PR (Prishtina), KM (Mitrovica), UR (Ferizaj), PZ (Prizren) dhe GL (Gjilan). Marrëveshja e re për tabelat e regjistrimit, e vitit 2016, përveç heqjes së tabelave serbe të regjistrimit, parasheh edhe shfuqizimin e “tabelave provuese”, të cilat Serbia i jep për automjetet me tabela të Kosovës dhe që qarkullojnë në Serbi. Marrëveshja e re parasheh që simbolet shtetërore që gjenden në tabela të regjistrimit të mbulohen. Kjo pjesë e marrëveshjes ende nuk ka filluar të zbatohet. Sipas raportit të qeverisë së Kosovës, është siguruar një numër i përgjithshëm prej 300 mijë shiritave dhe zbatimi i shiritave në targat e regjistrimit është gati, kurdo që arrihet dakordimi në Bruksel.

Kërkohet organizimi i fushatave informuese për qyetarët në veri

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet raporteve të dërguara në Bruksel ka kërkuar të ndërpritet regjistrimi i automjeteve nga struktura ilegale si dhe të ndërpritet qarkullimi i automjeteve pa targa në Mitrovicën e Veriut. Qeveria po ashtu ka përmendur rëndësinë e organizmit të fushatave informuese së bashku me komunat veriore dhe BE-në për t’i informuar qytetarët për procedurat e regjistrimit të automjeteve.

Nëpërmjet dialogut në Bruksel, në veri janë krijuar zyra të cilat merren me lëshimin e dokumenteve personale për qytetarët serbë.  Më 1 mars 2017, qeveria pati marrë vendim për të lejuar pajisjen me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile për qytetarët që figurojnë në Regjistrat e Gjendjes Civile, por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës. Paragrafi i dytë i vendimit thekson që “me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, qytetarët që aplikojnë për dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile dhe janë në regjistrin civil të Kosovës, duhet të disponojnë me dokumentet e vjetra që vërtetojnë identitetin e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Më 14 korrik të vitit 2017 është nënshkruar Udhëzimi Administrativ për kriteret që përbëjnë dëshmi për shtetësinë e ish-RFJ-së dhe banimin e përhershëm në territorin e Kosovës më 1 janar 1998, sipas të cilit kompetencat për regjistrimin e shtetësisë, në bazë të nenit 32 të ligjit për shtetësinë, i janë transferuar nivelit komunal. Tridhjetë e dy ish-pjesëtarë administrativ të policisë janë integruar në zyrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil në komunat veriore.

Por Adrijana Hodžić thotë se veprimet e deritashme nuk i kanë adresuar të gjitha problemet me dokumente që ekzistojnë në veri.

“Udhëzimi administrativ aktual nuk i ka paraparë të gjitha aspektet sikurse janë martesat që kanë ndodhur ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Është problem të cilin e kemi prezantuar tek institucionet qendrore në mënyrë që të japin udhëzime se si të kryhet ky proces. Duhet një udhëzim i cili merr parasysh martesat që kanë ndodhur prej vitit 1999 deri më tani, dhe të njëjta të futen në sistem”, thotë Hodžić. 

comments

SHARE