Jetë e qetë dhe e izoluar e shqiptarëve në veri

Sipas një vlerësimi të OSBE-së, janë rreth 4,900 shqiptarë që jetojnë në Mitrovicën e veriut, komunë kjo me afro 30,000 banorë. Megjithatë, edhe më tej pak ka informacion për shqiptarët që zgjedhin të jetojnë në veri të lumit Ibër dhe për jetën e tyre.

0
60

“Nuk kam shoqëri këtu.” Kështu më thotë Ylli, i cili nuk deshi që emri i tij i vërtetë të përdorej në këtë artikull. “Nuk dal për kafe, fëmijët e mi ndjekin shkollën në jug dhe nuk flasin serbisht”.

Ylli është një nga shqiptarët e paktë që jetojnë në veri. Pas luftës ai u kthye me familjen e tij për të jetuar në Mitrovicën e veriut në banesën e tij. Thotë se nuk ka pasur probleme me fqinjët e tij që kur u kthye gjashtë vjet më parë.

Edhe Luli jeton në Mitrovicën e veriut. Gjatë luftës, shtëpia e tij u dogj nga ushtria serbe. Ai shkoi në Novi Pazar, priti luftën të përfundonte dhe u kthye në veri. “Këtu është shtëpia ime. Kështu që do të jetoj këtu,” thotë ai, edhe nëse i duhet të jetoj me qira, siç edhe bën tani. Luli thotë se nuk u largua kurrë nga veriu, duke zgjedhur të qëndrojë aty edhe në vitet e para të pasluftës.

Luli dhe Ylli, që të dy punojnë dhe jetojnë me familjet e tyre në veri, por nuk kanë asnjë lidhje të njëmendtë me komunitetin serb rreth tyre.

Të dy ata punojnë në Lagjen e Boshnjakëve për një ndërmarrje në pronësinë dhe drejtimin e një shqiptari, e cila ofron shërbime për komunitetin serb. Gjuhën serbe e flasin rrjedhshëm. Gruaja e Yllit punon për komunën në pjesën jugore. Edhe pse që të dy refuzojnë të shpërngulen në jug, ata nuk kanë kontakte me të tjerët.

Një problem në përfundim

Në intervale të rregullta, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), paraqet një raport mbi gjendjen në Kosovë në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Një pjesë aty ështe e dedikuar për “Kthimet”, siç i referohen. Njerëzit që kthehen në shtëpitë e tyre (ose shtëpi të tjera si zëvendësim) në zonat ku jetonin para luftës.

Këtë vit, raporti i UNMIK-ut shënon se kishte, “127 gra dhe 134 burra (212 serbë të Kosovës, 28 romë, 10 ashkali, 7 egjiptianë dhe 4 shqiptarë të Kosovës)” të kthyer. Janë përafërsisht edhe 200,000 persona të zhvendosur nga Kosova në rajon që jetojnë kryesisht në Serbi.

Numri i të kthyerve po zvogëlohet tani, thuhet më tej në raport, me kalimin e viteve nga lufta. Megjithatë, në fokus të tyre ishin komunitetet jo-shumicë. Si rasti i gruas serbe të Kosovës që u kthye në banesën e saj në Gjakovë që dominoi titujt e lajmeve këtë verë për shkak të përpjekjeve të komunës për ta nxjerrë nga banesa, gjë që u hodh poshtë nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Por shpeshherë heshtazi, kemi edhe të kundërtën dhe shqiptarët e Kosovës jetojnë dhe punojnë në zona ku ata janë minoritet.

Vazhdojnë gjithashtu edhe përpjekjet për të krijuar hapësira multi-etnike në veri, si me përpjekjet e UN-Habitat-it për planifikim dhe zhvillim urban në fshatrat e përziera në Skenderaj dhe në katër komuna të tjera veriore.

Sipas një vlerësimi të OSBE-së të vitit 2015, rreth 4,900 shqiptarë jetojnë në Mitrovicën e veriut që, siç vlerësohet, ka afro 30,000 banorë.

Megjithatë, ende ka pak informacion për shqiptarët që zgjedhin të jetojnë në veri të lumit Ibër dhe për jetën e tyre.

Pa ndihmë institucionale

Luli dhe Ylli, që të dy thanë se nuk marrin mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, qeveria qendrore apo ato lokale në Kosovë. UNHCR-ja na tha që të kontaktojmë autoritetet lokale “pasi ata nuk kishin asnjë informacion për këtë”.

“Nuk na ndihmojnë fare”, tha Luli për pushtetin qendror.

Kjo, pavarësisht fushatës zgjedhore të vetë Albin Kurtit ndër pronarët shqiptarë të bizneseve në zonën multietnike e plot gjallëri të Lagjës së Boshnjakëve, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër kërkesave, qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve.

Por, më 12 tetor, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, njoftoi se “zonat kadastrale Suhodoll, Gushafc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm dhe Vidimiriq kalojnë nga menaxhimi dhe përgjegjësia e Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore në atë Jugore.”

Grupi punues për të kthyerit që përfshin Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal është takuar vetëm një herë gjatë vitit të kaluar, siç raporton UNMIK-u.

UNMIK-u, i cili edhe më tej monitoron situatën për të gjitha pakicat në Kosovë, thotë se “krijimi i besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë është një nga fushat prioritare të UNMIK-ut si pjesë e mandatit të tyre për të ndihmuar në sigurimin e kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.”

UNMIK-u shton se vazhdon të mbështesë iniciativa qytetarësh dhe mjete të tjera për krijimin e urave mes komuniteteve.

Ylli tha se nuk kishte probleme mes tij dhe fqinjëve. Por ai shmang çdo diskutim për politikë me këdo, duke parapëlqyer një jetë të qetë.

Së fundi, veriu u trondit nga mospajtimet rreth targave të automjeteve. Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë një vendim që kërkonte nga udhëtarët serbë të përdorin targa të përkohshme të Kosovës, siç kërkonte Serbia nga udhëtarët nga Kosova. Qeveria e Kosovës dërgoi pjesëtarë të njësisë speciale në veri dhe kjo nxiti protesta. Në fund, KFOR-i u detyrua të zbatojë paqen. Kur e pyeta Yllin për mendimin e tij në lidhje me këtë, ai buzëqeshi dhe tha se nuk kishte opinion.

Luli, nga ana tjetër, ishte më i zëshëm. “Pse duhet ne të paguajmë për energji elektrike e ata jo? Ata duhet të paguajnë, si unë. Unë paguaj për të shkuar në Novi Pazar dhe ata duhet të paguajnë gjithashtu.”

SHARE