Jo serbë sa duhet

Ekzistojnë dy lloje të pasaportave të Serbisë, ajo që është më e keqe iu shkon serbëve të Kosovës. E papërdorshme dhe e dobishme po aq sa pasaporta e Kosovës. Dhe problem edhe më i madh është se shumica e serbëve nga Serbia nuk janë të njohur me këtë problem. A mund  të imagjinoni frustrimin dhe mllefin që ky fakt shkakton tek serbët e Kosovës? E keni shtetin, të cilit sipas Kushtetutës i takoni, i cili pohon se jeni qytetarë të tij e prapëseprapë nuk ju lejon të jeni qytetar i barabartë.

0
74

Ditët e kaluara lajmi kryesor për serbët e Kosovës, po edhe për ata në Serbi, ka qenë ndalimi i hyrjes në Kosovë me pasaportë të Serbisë. Papritmas, si të thuash, nga asgjë, ky u bë edhe lajm tepër i rëndësishëm. Thënë sinqerisht, për serbët në Kosovë edhe jo aq sa u duk, sa për serbët që jetojnë jashtë Kosovës. Pse aq shumë bujë nëse edhe deri më tani vendkalimi administrativ është kaluar vetëm me letërnjoftim? Pse përnjëherë u bë problem aq i madh nëse kufiri nuk mund të kalohet me pasaportë? Duket që në mungesë të ndonjë problermi më të madh midis Serbisë dhe Kosovës, duhet të krijohet ndonjë problem imagjinar, thjesht që të mos ekzistojë madje as edhe një periudhë e qetë.

Sidoqoftë, e mbijetuam edhe këtë dramë mediale. Derisa presim zgjidhje, e cila sipas të gjitha gjasave nuk do të gjendet, tashmë ka ndodhur diçka e re. Në të vërtetë, në opinionin publik serb arritën informacionet për shtetasit më të rinj të Serbisë.   

Tashmë shtrohet pyetja se çfarë lidhje saktësisht ka kjo me serbët e Kosovës? E pabesueshme sa shumë. Në fakt, me vite të tëra, serbët e Kosovës, edhe pse posedojnë dokumente të Serbisë, janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë. Çka do të thotë kjo saktësisht? Pra, nëse jeni serb që jetoni në hapësirën e Kosovës, Serbia ju lejon që të posedoni dokumente të Serbisë. Qytetarët e Serbisë, të cilët posedojnë pasaportë serbe nuk kanë nevojë për vizë për vizita turistike deri në tre muaj në zonën e Shengenit. Tingëllon shumë bukur, apo jo? Natyrisht, por jo edhe nëse jeni serb i Kosovës. Ka vite që serbët e Kosovës janë të dënuar që me pasaportat e tyre të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese për Kosovën të shkojnë në Prishtinë për viza edhe nëse bëhet fjalë për udhëtimet në vendet e zonës së Shengenit. Dmth problemi qëndron këtu: ekzistojnë dy lloje të pasaportave të Serbisë, ajo që është më e keqe iu shkon serbëve të Kosovës. E papërdorshme dhe e dobishme po aq sa pasaporta e Kosovës. Dhe problem edhe më i madh është se shumica e serbëve nga Serbia nuk janë të njohur me këtë problem.

A mund  të imagjinoni frustrimin dhe mllefin që ky fakt shkakton tek serbët e Kosovës? E keni shtetin, të cilit sipas Kushtetutës i takoni, i cili pohon se jeni qytetarë të tij e prapëseprapë nuk ju lejon të jeni qytetar i barabartë. 

Shumë serbë ndërkohë janë zhvendosur nëpër qytete të Serbisë qendrore e me vetë këtë hap janë përpjekur të marrin pasaporta “normale”. Derisa viteve të kaluara procesi i ndërrimit të adresës ka qenë mjaft i lehtë, sot ai është pothuajse i pamundur. E vetëdijshme për problemin, Serbia gati se nuk ua lejon serbëve të Kosovës të ndryshojnë adresat e tyre e me këtë të kërkojnë pasaportën serbe pa viza. Për të bërë diçka të tillë nuk mjafton që të punoni në Serbinë qendrore apo të keni pronë të patundshme, proceset po bëhen gjithnjë e më të komplikuara dhe më të gjata. 

E tani, t’i kthehemi lajmeve më të rëndësishme në Serbi këtyre ditëve: disa personalitete kontraverze kanë fituar shtetësinë e Serbisë. Askush nuk e di as përse e as si. Mirë, si e kanë marrë këtë e dimë, iu është aprovuar nga ana e kryeministres serbe, Ana Brnabić.

Vëmendjen më të madhe të opinionit e tërhoqi fakti që një nga fituesit e shtetësisë është Yingluck Shinawatra, ish-kryetarja e Qeverisë së Tajlandës. Shinawatra në Tajlandë është kriminele në arrati dhe është dënuar me pesë vite burg për shkak të korrupsionit të kryer gjatë kohës sa ka qenë në pushtet. Nëse vetëm thjesht e analizojmë këtë situatë, një ‘kriminele në arrati’, e dënuar me 5 vite burgim, nga Tajlanda, e meriton më shumë pasaportën “normale” serbe se sa dikush që është serb por që jeton në Kosovë? Me çfarë logjike dhe me çfarë arsye? Mbetet absolutisht e paqartë. 

Derisa elita politike serbe në mënyrë konstante deklaron se Kosova është Serbi, se jeta e serbëve në Kosovë është më e rëndësishmja, derisa gjoja po bëjnë gjithçka që të avancojnë jetën e serbëve në Kosovë, është e qartë se ‘kriminelët’ e huaj janë më serbë se sa po ata serbët e paçmueshëm. Ose të paktën më shumë po vlerësohen.   

SHARE