Kaosi paszgjedhor

Në fund të fundit, tani që është votuar qeveria e re e Kosovës, na mbetet që as këto zgjedhje të mos i kujtojmë si një proces i lehtë, pa dhimbje dhe demokratik. Sipas të gjitha gjasave, do të na duhen edhe shumë vite, punë dhe përpjekje që proceset tona zgjedhore të kalojnë në një mënyrë të qetë dhe demokratike. Pa ndonjë spekulim se si ndodhi që Adrijana Hodžić mori kaq shumë vota, kjo histori megjithatë hodhi një hije mbi tërë procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve.

0
80

Pas zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, u duk sikur më në fund kaluam një fushatë zgjedhore dhe zgjedhje pa probleme të mëdha, kaos, dhunë dhe fenomene të tjera që përndryshe i bartnin zgjedhjet me vete në Kosovë. Kështu, megjithatë, vetëm u duk derisa arritëm tek numërimi i votave dhe numrat që u shfaqën në një mënyrë të çuditshme dhe të papritur.

Në fakt, pas numërimit të votave, u vërtetua se “Komuniteti i Bashkuar”, i Adrijana Hodžić-it, fitoi një vend në parlament me më shumë se 6,000 vota të fituara. Një rezultat i tillë i zgjedhjeve shkaktoi reagime të mëdha nga partitë e tjera boshnjake dhe ankesa rreth rregullsisë së zgjedhjeve. Në të vërtetë, pas numërimit të votave, u konstatua se Adrijana Hodžić fitoi më shumë se 4000 në mjediset e banuara me serbë në Kosovë. Ankesat dhe akuzat që pasuan tregonin me gisht kah Lista Serbe, duke i lidhur me rezultate të këtilla dhe përpjekjen për të manipuluar me vendet në parlament. Sepse, të përkujtojmë që, sipas Kushtetutës, parlamenti i Kosovës i ndan 20 vende për përfaqësuesit e pakicave, 10 për serbë dhe 10 për përfaqësuesit tjerë minoritarë.  

Përfundimisht, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i Kosovës mori vendim që të anulojë votat që përfaqësuesit boshnjakë kanë marrë në Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot, Novobërdë, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Leposaviq. Sipas fjalëve të tyre, përfaqësuesit boshnjakë kanë marrë madje 49% më shumë vota sesa më parë. Me këtë vendim,  Adrijani Hodžić-it dhe listës “Komuniteti i bashkuar” iu anuluan 4205 vota. Edhe pse Hodžić ndërkohë dorëzoi ankesë, e cila u refuzua, kjo nuk i ndihmoi të fitoi vendin e saj në parlamentin e Kosovës dhe të përfaqësojë komunitetin boshnjak.    

Kaherë jemi mësuar që me kaq nuk mund të përfundojnë të gjitha kaoset që ndodhin lidhur me zgjedhjet, edhe pse tani kemi pritur diçka ndryshe. Të gjitha këto vetëm se u konfirmuan me deklaratën e Bojan Marković-it nga Ranillugu. Në fakt, Bojan Marković thotë se e ka humbur vendin e tij të punës sepse nuk ka votuar për Adrijana Hodžić-in. Sipas fjalëve të Marković-it, votën për Adrijana Hodžić-in nga ai e ka kërkuar kryetari i komunës së Ranillugut, Vladica Aritonović, përndryshe anëtar i Listës Serbe. Gjithnjë sipas pohimeve të Marković-it, nga ai janë kërkuar katër vota nga familja për “Komunitetin e Bashkuar” por që as ai e as familja e tij nuk kanë votuar ashtu siç u ishte kërkuar, gjë që ka rezultuar me humbjen e vendit të tij të punës. 

Në fund të fundit, tani që është votuar qeveria e re e Kosovës, na mbetet që as këto zgjedhje të mos i kujtojmë si një proces i lehtë, pa dhimbje dhe demokratik. Sipas të gjitha gjasave, do të na duhen edhe shumë vite, punë dhe përpjekje që proceset tona zgjedhore të kalojnë në një mënyrë të qetë dhe demokratike. Pa ndonjë spekulim se si ndodhi që Adrijana Hodžić mori kaq shumë vota, kjo histori megjithatë hodhi një hije mbi tërë procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve. Edhe pse, për hir të së vërtetës, numri i boshnjakëve është shumë më i ulët se numri i votave të fituara, çka saktësisht ka ndodhur me rezultatet, a i ka futur dikush gishtat dhe kush, mbetet ende e panjohur. Krejt çka mbetet në fund janë edhe një palë zgjedhje në rezultatet e të cilave nuk besojmë, edhe një proces i cili na la me mosbesim ndaj institucioneve dhe procesit demokratik, edhe një mosbesim i qytetarëve ndaj politikanëve. Për fat të keq, vetëm për një moment na u duk që një proces zgjedhor kaloi ashtu siç duhet. Vetëm për një çast patëm një iluzion të demokracisë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE