Katastrofë humanitare apo spin medial? 

Më duket se veriu i Kosovës po bëhet një kokëçarje e përditshme si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin. Populli i kësaj hapësire është bërë një mjet, jo një qëllim. Mjet përmes të cilit këto dy palë po i qërojnë hesapet me njëri-tjetrin, mjet me të cilin po udhëhiqet, më duket, politikë e pistë e të dyja palëve, një luftë diplomatike, një mjet që çdo ditë e më shumë po bëhet një viktimë gjithnjë e më e madhe.

0
49

Nuk kaloi shumë kohë nga incidenti i mëparshëm në veri të Kosovës, tani po paralajmërohet një katastrofë humanitare në këtë territor. Më saktësisht, Beogradi po paralajmëron katastrofë humanitare, e Prishtina pretendon se kjo është një krizë e inskenuar. Është e vërtetë se farmacitë janë gjysëm të zbrazëta, se barnat kryesisht po blihen në Serbinë qendrore, është e vërtetë se mallra në raftet e shitoreve në veri po ka gjithnjë e më pak, është e vërtetë që ditëve të fundit po ndihet tensioni tek njerëzit, sepse po zhduken gjërat themelore ushqimore. Por pse kjo krizë nuk ndodhi më parë, taksat janë në fuqi tashmë qe shtatë muaj?

Ndoshta sepse në një mënyrë apo tjetër mallrat arrinin në veri. Jam i sigurt se Prishtina e ka ditur tërë këtë, e ka ndjekur atë, por pse pikërisht në këtë pikë u vendos që të zbatohen masa më rigoroze për shkak të importimit të mallrave nga Serbia qendrore? Pse më parë nuk i pengonte kjo gjë? Hm, ndoshta kanë marrë ndonjë sinjal nga ndonjë fuqi e madhe për të provokuar Beogradin mos ndoshta do ta bëjë ndonjë lëvizje të gabuar apo ndoshta të dëshmojë se mund ta kontrollojë edhe atë veriun famoz.

Nga ana tjetër ndoshta ky është vetëm një truk propagandistik i Serbisë që t’i tregohet Bashkimit Evropian se si komuniteti serb është buzë katastrofës humanitare për shkak të mungesës së gjërave elementare ushqimore të jetës! Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, me plot vetëbesim tha se nuk do të lejojë që populli të mbetet pa ushqim, që do të thotë se Serbia ka një plan se si të furnizojë këtë zonë me mall nëse me të vërtetë vjen deri tek një katastrofë humanitare.  Mediat serbe këto ditë assesi nuk po e anashkalojnë lajmin për katastrofë humanitare në veri të Kosovës. Disa emisione i janë kushtuar kësaj teme, ku folën ekspertë për efektin që krijojnë „kufijtë hermetikisht të mbyllur“  dhe cilat janë pasojat. Në këtë mënyrë po futet shqetësim tek qytetarët, krijohet urrejtje ndaj një entiteti tjetër.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u përkujdes që kjo urrejtje të jetë e arsyetuar kështu që në profilin e vet në twitter akuzoi biznesmenët serbë nga veriu se po përgatisin një komplot vetëm që të krijojnë tabllo të një katastrofe humanitare. Ai theksoi se ka mall nëpër depo, nëpër shtëpi dhe objekte të ndryshme dhe se ai mall është larguar vetëm që mediat të regjistrojnë raftet e zbrazëta nëpër dyqane. A ka të drejtë Haradinaj, mbetet të na tregojnë ditët që janë para nesh. Një popull gjithsesi mund të jetojë pa politikë, por pa ushqim nuk mundet gjatë. Në qoftë se nuk do të ketë gjëra themelore ushqimore, gjithsesi që do të ndihet pakënaqësia. 

Më duket se veriu i Kosovës po bëhet një kokëçarje e përditshme si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin. Populli i kësaj hapësire është bërë një mjet, jo një qëllim. Mjet përmes të cilit këto dy palë po i qërojnë hesapet me njëri-tjetrin, mjet me të cilin po udhëhiqet, më duket, politikë e pistë e të dyja palëve, një luftë diplomatike, një mjet që çdo ditë e më shumë po bëhet një viktimë gjithnjë e më e madhe. Kurse viktima e këtij populli është tepër e madhe, e kushtëzuar me ekzistencën. Njerëzit mbijetojnë me ndihmën e Prishtinës dhe Beogradit, kështu që duhet të përkulen ashtu siç fryen era për të mbijetuar. 

Jam i sigurt që ka gjithnjë e më pak durim tek njerëzit në veri të Kosovës, sepse janë viktima për një periudhë më të gjatë kohore, janë mjet i manipulimeve të ndryshme. Aksione të ndryshme dhe veprime të fuqive të ndryshme po ushtrohen mbi ta. Nëse shqiptarët kanë qenë të shtypur gjatë viteve  të 80-ta dhe të 90-ta, atëherë tani të shtypur janë serbët në Kosovë, edhe më brutalisht, derisa shumë  i mbajnë sytë të mbyllur, nuk shohin se sa po vuan një popull për të mbijetuar. 

SHARE