Kërkimi i faljes

Meqenëse një kohë paksa më të gjatë nuk e kam vizituar blogun, më ka ikur ajo kur Milenko Todorović në shkrimin e tij e zbardhi në mënyrë të qëlluar një ngjarje të pakëndshme për çka duhet t’i jemi mirënjohës sepse na e kujtoi që ende ka ekstreme që e frenojnë përparimin e shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu edhe komenti i Joanne Hanson më nxiti edhe mua që në një mënyrë, nëse kjo është fare e mundshme, të ndihmoj që kësaj teme t’i qasemi në një mënyrë më të drejtë dhe më reale.

0
1142

Meqenëse një kohë paksa më të gjatë nuk e kam vizituar blogun, më ka ikur ajo kur Milenko Todorović në shkrimin e tij e zbardhi në mënyrë të qëlluar një ngjarje të pakëndshme për çka duhet t’i jemi mirënjohës sepse na e kujtoi që ende ka ekstreme që e frenojnë përparimin e shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu edhe komenti i Joanne Hanson më nxiti edhe mua që në një mënyrë, nëse kjo është fare e mundshme, të ndihmoj që kësaj teme t’i qasemi në një mënyrë më të drejtë dhe më reale.

Gjuajtja me gurë e autobusit që u përmend, për fat të keq, nuk është asgjë e re dhe gjëra të tilla, sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe në të ardhmen sepse disa forma të dhunës çrrënjosen vështirë nga shoqëritë siç është kjo e Kosovës, e cila nëpër histori ka kaluar një periudhë tejet të vështirë. Me nocionin shoqëri nënkuptoj edhe serbët edhe shqiptarët sepse vetëm së bashku ata janë një tërësi e cila e ka të kaluarën e vet, por edhe të ardhmen, çfarëdo që të jetë ajo. Mes tjerash, na përket vetë neve që ta ndërtojmë atë ashtu siç dimë më së miri, e deshëm ne këtë apo nuk e deshëm.

Pasi historia është përcaktimi im jetësor, e di që raste të këtilla e edhe më të rënda ka pasur edhe më parë, por përkundër të gjithave e di që në historinë e shoqërisë sonë ka pasur edhe raste pozitive, por për fat të keq askush nuk i merr ato parasysh sepse për momentin kjo nuk është politikisht profitabile dhe nga kjo strukturat udhëheqëse nuk kanë dobi afatgjatë. Për fat të keq, politika është ajo që vendos se çka është e drejtë e çka jo, edhepse kjo do të duhej të bëhej nga mendja e shëndoshë dhe nga gjithçka që është virtyt i një qytetari me përgjegjësi shoqërore. Mirëpo, një Ministër i Kosovës për emigrimin masiv të shqiptarëve i fajësoi serbet dhe një gjë e tillë është absolutisht e pamundur të kuptohet. Një deklaratë e tillë është vetëm një shembull pikërisht i asaj mungese të vullnetit politik që gjërat të shikohen nga një kënd i duhur, pa marrë parasysh se për cilën temë bëhet fjalë.

Redaktori i përmendur i televizionit Klan është njëri nga ata që dëshiron që gjërat të shikohen më drejtë edhepse sigurisht edhe ai vetë është i vetëdijshëm që do të hasë tek populli i tij në dënimin e asaj qasjeje dhe etiketim të llojit më të keq. Ai pasqyron një pjesë të shoqërisë kosovare që dëshiron të respektojë historinë, por edhe të ndërtojë ardhmërinë.

Gjuajtja me gurë e autobusëve në Kosovë është fatkeqësisht një dukuri e shpeshtë, por vetëm në Kosovë, si askund në botë, pikërisht kjo gjuajtje me gurë mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa ato që priten. Jemi dëshmitarë që serbët e kthyer në mënyrë konstante i eskpozohen kërcënimeve, shantazheve, por edhe gjuajtjes së pashmangshme me gurë. A do të kërkojë falje dikush ndonjëherë për këtë, bile formalisht nëse jo sinqerisht? Sinqerisht, nuk e besoj këtë, sepse pikërisht kjo nuk është politikisht e dëshirueshme në shoqëritë që kanë kaluar nëpër tmerret e luftës dhe shkatërrimit. T’i kërkosh falje armikut të deridjeshëm është tejet e padëshirueshme dhe jomorale nëse e shikojmë këtë nga ana e atyre që veten e definojnë si anëtarë të vetëm dhe të pagabueshëm të komunitetit. Unë po ju pyes juve, a është bërë Jaser Arafati më pak palestinez pasi i shtrëngoi dorën kryeministrit izraelit, apo ndoshta ka hedhur hije në luftën e popullit të vet për pavarësi? Jo, zotërinj të nderuar, ai veten e ka ngritur në lartësi të paimagjinueshme sepse me këtë tregoi pjekurinë e tij politike, por edhe përkushtimin ashtu që në sytë e botës të tregohet dhe vërtetohet si dikush lufta e të cilit është e bazuar në të drejtën dhe drejtësinë dhe ia ka arritur kësaj dhe që edhe gjatë luftës për idealet e veta, por edhe në luftën që të arrijë të gjitha vlerat civilizuese ka mbetur i sinqertë deri në fund. A është ish-presidenti i Serbisë Boris Tadić më pak serb pasi i kërkoi falje popullit boshnjak për krimet në Srebrenicë? Nuk është; ai edhe më tej është Boris Tadić që ka qenë më parë, por ka treguar që nuk është e pamundur të thuash MË FAL porse është vetëm një tregues që jemi të vetëdijshëm për krimin dhe që jemi të gatshëm të themi që krimi ekziston por edhe të drejtojmë gishtin kah fajtori pa marrë parasysh se kush mund të jetë ai.

Para disa ditësh isha në një vizitë njëditëshe nëpër manastire dhe enklava në Kosovë, vizitova Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Hoçën e Madhe dhe Manastirin e Zoçishtes. Mirëpo, derisa autobusi kalonte nëpër Deçan u dëgjua një goditje e vogël në pjesën e prapme të tij dhe përnjëherë vetëm një fjalë u bë aktuale, GURI. Pikërisht ai gur i vogël i cili ishte drejtuar kah ne bartte porosinë që ne ende nuk jemi të pjekur që si shoqëri të shkojmë përpara sepse shumë gjëra na pengojnë e më së shumti ajo më e keqja, URREJTJA. A është vallë kjo ajo që e mbajmë me vete duke pasur gjëra të tjera aq të mira…? Për fat të keq kjo është e vërtetë; unë nuk e urrej askend, por duket që dikush më urren mua, e pse është kjo? Unë nuk kërkoj që dikush të më kërkojë falje për atë gur nga Deçani, por kërkoni falje vetvetes.

Në fund të këtij blogu nuk do të ketë fjalë të urtë sepse nuk ka urtësi të tillë që mund të na bëjë më të mirë nëse ne vetë nuk e dëshirojmë këtë!