Kërkohet ndriçimi i vrasjeve e zhdukjeve të gazetarëve në Kosovë 1998 – 2005

Pesëmbëdhjetë gazetarë të vrarë e të zhdukur gjatë periudhës 1998 -2005 në Kosovë u përkujtuan me një konferencë të përbashkët me familjarët e gazetarëve, OSBE dhe asociacionet e gazetarëve të Kosovës javën e kaluar, në Prishtinë.

0
250

Më 21 gusht 1998, dy gazetarë të Radio Prishtinës (RTP), Đuro Slavuj dhe Ranko Perenić, udhëtuan prej qytetit të Rahovecit për në Manastirin e Zoçishtës për të biseduar me murgjit, të cilët së fundmi ishin liruar nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Çka ndodhi gjatë udhëtimit nuk u mor vesh asnjëherë nga publiku pasi askush nuk i pa dy gazetarët më. Vitin e kaluar, në rrugën midis fshatrave të Rahovecit dhe Hoçës së Madhe, ku dyshohet se u rrëmbyen Slavuj dhe Perenić, disa gazetarë rivendosën një pllakë përkujtimore me mbishkrimin shqip dhe serbisht “Më 21 gusht 1998, kolegët tonë gazetarët Đuro Slavuj dhe Ranko Perenić, u rrëmbyen këtu. Ne jemi duke i kërkuar.”. Edhe 6 herë të tjera e kishin vendosur pllakën në po atë vend, po të gjashtat herë dikush e kishte larguar ose shkatërruar.

janar të vitit 1999, rreth 70 gazetarë marshuan rrugëve të Prishtinës pas vrasjes së gazetarit, Enver Maloku. Pak metra prej banesës së tij, në përdhesë një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, Enver Maloku, në pasditën e 11 janarit u qëllua dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë spitalin e Prishtinës.

Fundi i nëntorit sivjet përkoi me 19 vjetorin e vrasjes së gazetarit, Xhemail Mustafa. Më 23 nëntor 2000, veprimtari i LDK-së, Mustafa, u qëllua për vdekje në hyrje të apartamentit të tij nga dy sulmues.

Mustafa, Slavuj, Perenić dhe Maloku janë katër ndër 15 gazetarë të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998 2005. Katër gazetarë raportohen si të zhdukur dhe 11 të tjerë vrarë. Por deri sot, nuk ka asnjë dënuar për këto vepra.

Javën e kaluar, në Prishtinë, 15 gazetarët u përkujtuan me një konferencë përbashkët me familjarët e gazetarëve, OSBE dhe asociacionet e gazetarëve të Kosovës.

Për Beriana Mustafën, vajza e gazetarit të vrarë Xhemail Mustafa, është ende e pakuptimtë që për vrasjen e babait të saj 19 vite pas ende nuk është dënuar askush. Beriana tash e sa vite dëshiron t’i gjejë përgjigjen pyetjes së saj kryesore: ku është drejtësia dhe ku janë njerëz të cilët kanë dhënë urdhër për vrasjen e babait të saj? Ajo tha se të flasësh për vrasjen e gazetarëve, të kërkosh drejtësi për ta nuk është vetëm obligim moral, por sipas saj, është e drejtë bazike. Sipas saj, nuk mund ta privosh nga jeta dikë vetëm pse mendon ndryshe nga ti, vetëm pse shkruan ndryshe nga ti.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se sot besohet se Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, u është mbyllur goja për shkak se ishin kritikë ndaj zhvillimeve politike dhe sociale të asaj kohe. Braathu deklaroi se nuk do të rreshtin së përmenduri të gjitha rastet e gazetarëve deri në zgjidhjen e tyre. “Kjo nuk është është një çështje etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Kjo ka të bëjë me njerëzit, civilët, gazetarët që e kanë bërë punën e tyre. Ne duhet të flasim për këta njerëz. Ata nuk janë statistikë, ata janë baballarë, vëllezër të dikujt, këtë ia kemi borxh familjeve të tyre,” shtoi ai. Sipas tij, tashmë dosjet e këtyre rasteve u janë dorëzuar prokurorive të Kosovës dhe se prokurorët kanë deklaruar se po i marrin seriozisht këto raste, por tha se disa dosje mund të kenë një ose dy faqe, ku ai tha se nuk ka pasur hetime të mirëfillta dhe të duhura në atë kohë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, u ka kërkuar OSBE-së, të gjitha organizatave që veprojnë në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadave të huaja në Kosovë, që të kontribuojnë në themelimin e një fondi të veçantë, që do t’i përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuar në ndriçimin e rasteve të vrasjes dhe zhdukjes së kolegëve të tyre, por edhe në një shenjë kujtimi për veprën e tyre të madhe.

Ndërkaq, kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Ničić, apeloi që prokuroritë e Beogradit dhe të Prishtinës të gjejnë një bashkëpunim për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të Kosovës, e një bashkëpunim i dy prokurorive sipas tij është shumë i domosdoshëm.

Në qershor 2018, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), miratoi një rezolutë përmes së cilës bëri thirrje për hetime ndaj vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2005.

Rezoluta kaloi në takimin vjetor të EFJ-së në Lisbonë dhe ishte propozim i asociacioneve të gazetarëve në Serbi dhe Kosovë.

Njëra nga pikat e rezolutës bënte thirrje për zgjerim të mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyres së Prokurorit që t’i përfshijnë rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur. Po ashtu, rezoluta kërkonte bashkëpunimin e prokurorive në Prishtinë dhe Beograd për rastet e vrasjeve të gazetarëve dhe punëtorëve tjerë medial që kanë ndodhur në periudhën 1998 dhe 2005. Përmes kësaj rezolute, i bëhej thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe misionit të BE-së në Kosovës, EULEX, që të zbatojnë vendimet e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, i cila i ka bërë thirrje për zgjidhje të këtyre rasteve dhe kompensimin e familjeve të viktimave. Po ashtu, u kërkua që të krijohet një komision në Prishtinë, i ngjajshëm si me atë në Beograd, që do të përbëhet nga gazetarët, për të hulumtuar rastet e gazetarëve.

SHARE