Kërkohet zhbllokimi i marrëveshjes për energji

Qeveria e Kosovës ka shpresa që ish-ministri i Ambientit i Gjermanisë, Klaus Toepfer, do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket marrëveshjes për Energji. Por Rinora Gojani nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) thotë se e vetmja rrugëzgjidhje është që Bashkimi Evropian ta ndërlidhë procesin e integrimit me zbatimin e marrëveshjes së energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë

0
215

Marrëveshja për energji e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, nuk ka nisur së zbatuari ende. Në bazë të marrëveshjes, kusht për Serbinë është regjistrimi i një kompanie serbe për furnizim me energji elektrike. Mosregjistrimi i kësaj kompanie në institucionet e Kosovës po e pamundëson edhe anëtarësimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës në Rrjetin Evropian të Transmisionit. Marrëveshja për Energji parasheh funksionimin e pavarur të Rrjetit të Operatorit dhe Transmisionit të Kosovës KOSTT. Si rezultat, KOSTT dhe Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E), në tetor të vitit 2015 kanë nënshkruar marrëveshjen për pavarësimin e KOSTT në tetor 2015. Mirëpo kjo marrëveshje, sipas versionit të qeverisë së Kosovës, po mbahet peng nga ana e Serbisë e cila ka bllokuar zbatimin për shkak të mosgatishmërisë për të regjistruar në Kosovë një kompani të re për furnizim të energjisë në pajtim me ligjet e Kosovës ashtu siç e përcakton marrëveshja. 

Negociatat e Toepfer

Për zgjidhjen e këtij problemi është përfshirë edhe qeveria e Gjermanisë, duke caktuar si ndërmjetësues ish-ministrin gjerman të Ambientit, Klaus Toepfer. Ishte paralajmëruar se ai do të zhvillojë negociata të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, as ambasada e as qeveria nuk kanë treguar për rezultatet e deritashme të angazhimit të Toepfer-it. Gjatë një deklarimi të mëhershëm, ambasada gjermane kishte theksuar “domosdoshmërinë për zhvillimin e negociatave të mëtejme” në zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërkaq Banka Gjermane për Zhvillim (KFW), e cila është mbështetëse e projekteve energjetike në Kosovë, nuk ka pranuar të komentojë për këtë proces.

“Ne nuk jemi në pozicion ku mund të japim ndonjë deklaratë meqenëse çështja e ndërmjetësimit është proces që po vazhdon”, thuhet në përgjigjen e KFW për “New Perspektiva”.

Procesi ka ngecur tek regjistrimi i një kompanie të re serbe e cila do të furnizojë me energji konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe. Dy aplikimet e bëra janë refuzuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, për shkak se nuk janë respektuar ligjet e Kosovës. Serbia kishte refuzuar ta regjistrojë kompaninë edhe në takimin e fundit në Bruksel, edhe pse pala kosovare kishte marrë me vete zyrtarin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve. Si rezultat i mospajtimeve rreth temave, ka dështuar të mbahet takimi i radhës në Bruksel, i paraparë për 7 maj.

Kjo ka bërë që dialogu teknik të futet në bllokadë për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve të arritura para disa vitesh, duke shkaktuar edhe përplasje mes zyrtarëve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Shkas është bërë deklarata e koordinatorit të qeverisë për dialog, Avni Arifi, i cili kishte thënë se nuk do të ketë themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa zbatimin e marrëveshjeve tjera.

“Serbia vazhdon ta mbajë peng zbatimin e marrëveshjes për energji dhe për këtë tashmë janë në dijeni të plotë të gjithë aktorët relevantë, përfshirë Berlinin zyrtar. Kosova mbetet e përkushtuar që t’i përmbushë të gjitha detyrimet ndërkombëtare por njëkohësisht kërkojmë pa asnjë përjashtim përmbushjen e të gjitha obligimeve nga të tjerët. Ka mbaruar koha e implementimit të njëanshëm të marrëveshjeve”, ka thënë Arifi. 

Ndërkaq Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë se trysnia e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e problemit të Marrëveshjes për Energji është rritur shumë. Sipas tij, Beogradi zyrtar po pengon zhbllokimin e linjës, duke insistuar që marrëveshja energjetike të ngritet në bisedimet Prishtinë – Beograd, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kjo punë ka marrë një hov më të madh, jemi shumë më dinamik. Tashmë kemi edhe një negociator gjerman, ish-ministrin e ambientit të Gjermanisë, Klaus Toepfer, i cili po na ndihmon në zgjidhjen e problemit në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lluka muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Jemi në diskutime e sipër. Në takimin e fundit që kemi qenë se bashku jemi pajtuar që të shikojmë edhe në një takim në nivel politik në Berlin, në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e ish-ministrit gjerman për të shikuar zgjidhjen e problemit në mënyrë sa më të shpejtë”, shton ai.

Këshilli i BE kërkon zbatimin e Marrëveshjes

Rëndësia e zbatimit të marrëveshjes për energji, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e Brukselit, është trajtuar edhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së, të cilët të mërkurën kanë miratuar disa konkluzione për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i BE-së, u ka bërë thirrje për tejkalimin e shpejtë të pengesave në implementimin e Marrëveshjes për energji.

“Duke marrë parasysh dinamikën e ngadalshme të progresit, Këshilli nënvizon rëndësinë e kompletimit të implementimit të të gjitha marrëveshjeve të kaluara. Këshilli i bën thirrje Kosovës që me shpejtësi të zbatojë me vullnet të mirë pjesën e saj të marrëveshjeve të së kaluarës dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me Serbinë në formulimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të së ardhmes”, thuhet në konkluzionet e përmendura.

Me problemin e moszbatimit të marrëveshjes për Energji është marrë edhe Rinora Gojani nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID). Ajo është skeptike se ky problem mund të zgjidhet shpejtë nëse BE-ja nuk vë kushte me procesin e integrimit. 

“Është vështirë të mendohet se ky problem do të rregullohet shpejtë, kjo tregohet më së miri me vet dështimin e këtij procesi edhe dy herët tjera kur Energy Community tentonte të ndërmjetësonte në zgjidhjen e problemit të energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë. E vetmja rrugëzgjidhje është që BE të e ndërlidhë procesin e integrimit me zbatimin e marrëveshjes së energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Gojani për “New Perspektiva”. Ajo ka shtuar se, përveç arsyeve politike dhe kontrollit territorial, nga kjo gjendje Serbia ka përfitim edhe ekonomik.

“Ngase KOSTT për çdo energji të kaluar në rrjet i paguan ‘fee’ (tarifë) kompanisë së transmisionit në Serbi. Kosova duhet të kushtëzojë negociatat e reja me implementimin e marrëveshjeve të vjetra, e sidomos asaj të Energjisë”, shprehet Gojani.

Ankesat e qeverisë në Bruksel

Sfidat dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjes janë evidentuar edhe në raportin e fundit të qeverisë së Kosovës për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, i cili u prezantua më 18 qershor në takimin e dytë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Grupit të Veçantë për Normalizim, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.  Sipas raportit, moszbatimi i marrëveshjes KOSTT-ENTSO-E po e pengon KOSTT-in nga përmbushja e detyrimeve sipas Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Licenca, si dhe kryerjen e detyrimeve sipas Direktivave të KE-s dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Si rezultat i pengesave, qeveria është ankuar se ka stopim të cilësisë së shërbimeve për pjesëmarrësit e tregut, mungon qasja transparente dhe e pa diskriminuar e palës së tretë si dhe nuk ka përparim të pozicionit të KOSTT-it në rajon. Aty evidentohen edhe pengesat rreth linjës së interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, e inauguruar para dy vitesh. Ajo mbetet jofunksionale për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë. Linja e interkonjeksionit 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës ka shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Rinora Gojani thotë se zgjidhja e këtij problemi është i lidhur ngushtë me implementimin e marrëveshjes së energjisë, “andaj në mënyrë që të zhbllokohet ky problem politik është e rëndësishme që Serbia të kushtëzohet në procesin e integrimit”.


Dëmet financiare

Ndryshe, nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, shteti i Kosovës humb miliona euro në vit.

Edhe Gojani vlerëson se humbjet e  Kosovës janë të mëdha.

“Vlerësohet se rreth 30 milion euro në vit i humb Kosova nga moszbatimi i Marrëveshjes së Energjisë e cila është nënshkruar para 5 vitesh. Për më tepër, u dëmtua direkt edhe buxheti i Kosovës me ndarjen e  1 milion eurove për pagesën e faturave të energjisë në Veri”, thotë Gojani.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike. Borxhet e grumbulluara deri në fund të vitit të kaluar u janë faturuar qytetarëve në jug të Kosovës.

Por një vendim i Gjykatës së Apelit i ka dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit. Kështu që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), po ballafaqohet me mungesë të mjeteve financiare për të mbuluar këto humbje dhe për këtë kanë informuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq për muajin mars kishte ndarë një milion euro për të shmangur problemet, por që një shumë e tillë për atë pjesë nevojitet për çdo muaj për të mbuluar shpenzimet e energjisë.

Moszgjidhja e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishte shkaktuar probleme edhe në frekuencat e rrjetit të energjisë në Evropë. Në muajin mars orët evropiane ishin ngadalësuar për gjashtë minuta.

Sipas Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E), rënia e frekuencës kishte ndikuar në ato orë elektrike (në pajisjet shtëpiake) që drejtohen nga frekuenca e sistemit energjetik dhe jo nga një kristal kuarci. Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja të zgjidhet, duke e përfshirë edhe Serbinë si palë e bisedimeve në Bruksel.

comments

SHARE