Koalicioni qeverisës me rezolutë për Dialogun

0
42

Liderët institucionalë të vendit, pa përfshirjen e presidentit Hashim Thaçi, janë takuar sot për të diskutuar për mundësinë e harmonizimit të një rezolute për dialogun, që propozohet të jetë gjithëpërfshirëse.

Sipas burimeve të Koha.net, kryeparlamentari Kadri Veseli ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi, të cilëve u ka thënë se dëshiron sa më shpejtë harmonizimin e qëndrimeve dhe hartimin e një rezolute, që do të votohej më pas në Kuvend.

Draft-Rezoluta përmban 6 pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në Dialog.

Pika e parë thotë që Dialogu të mbyllet me njohje reciproke dhe se Kosova është vend unik e i pandarë.

“Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”, thuhet në pikën e parë.

Kjo përmendet edhe në pikën e dytë ku theksohet se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm” si dhe se “Kosova nuk pranon nivel të tretë të pushtetit, që vë në dyshim funksionimin e brendshëm kushtetues dhe institucional”.

Në pikën e tretë theksohet se Kuvendi mbështet rolin lehtësues të BE-së dhe SHBA-së për marrëveshje.

Në pikat tjera është përmendur Delegacioni i përbërë nga Fatmir Limaj kryesues, Enver Hoxhaj zëvendëskryesues, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Jagcilar, Avni Arifi anëtarë nga qeveria si dhe nga një përfaqësues i LDK-së, VV-së, PSD-së dhe Alternativës.

Sipas Kuvendit, ky delegacion që propozohet të mandatohet është i obliguar t’i raportojë Kuvendit për rrjedhat e dialogut.

Pika e fundit thekson se Kuvendi i Kosovës është autoriteti suprem që ratifikon marrëveshjet me 2/3 për “Territor, paqe, aleanca, çështje politike dhe ushtarake”.

Më poshtë, teksti i plotë i Draft-Rezolutës:

(koha.net, 06/10/2018)

comments

SHARE