Kohë solidariteti

Derisa shumë aktorë politik po mendohen nëse të vihen në anën e njerëzve të pafajshëm, na mbetet vetëm të shpresojmë se kjo disfatë e njerëzores në Afganistan do të ndalojë të marrë jetët e viktimave të pafajshme. Na mbetet të shpresojmë se një ditë do të fitojë ndjenja e solidaritetit, se ndjenja për të ndihmuar të tjerët në rrezik do të jetë parësore në raport me politikën e lartë.

0
805

Ka ditë të tëra që lajmi kryesor në të gjitha mediat, si ato lokale ashtu edhe ato ndërkombëtare, janë ngjarjet në Afganistan. Pas dy dekada luftimesh dhe tërheqjes së Amerikës nga Afganistani, talebanët në kohë rekorde e morën Kabulin e me këtë edhe pushtetin në Afganistan, pas largimit të pushtetit ekzistues. Derisa me ditë të tëra po e përcjellim përmes mediave se çka po i ndodh popullit të pafajshëm me shpresë që do të ikin nga talebanët apo do të largohen nga vendi për shkak të sigurisë, menjëherë u shtrua pyetja se ku në të vërtetë do të ikin të gjithë ata afganistanezë të pafajshëm. Ku do të përfundojnë tërë ata njerëz të pafajshëm, në rrugën e tyre të ikjes nga fundamentalizmi dhe ligji i sheriatit. Dhe këtu vijmë tek çështja e Ballkanit.  

Në fakt, vendet e para që u përmendën si strehim për afganistanezët ishin vendet e Ballkanit. Pas kërkesës nga ana e Amerikës, të parat që pranuan të ofrojnë strehim për refugjatët nga Afganistani ishin Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Kosova. Disa ditë më vonë, këtë e bëri edhe Serbia. Përveç kësaj, të gjitha shtetet e regjionit, përveç Hungarisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për largimin paqësor nga Afganistani, të inicuar nga ana e Amerikës. Ndërkohë që pritej vendimi i Serbisë, partitë e djathta nga Serbia kundërshtuan ardhjen e refugjatëve, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, thotë që refugjatët nga Afganistani nuk do të vijnë, sepse siç e thotë, ata nuk dëshirojnë të vijnë në Serbi. 

Në situata si kjo, ku është jashtëzakonisht e dhimbshme të shikosh vuajtjet e njerëzve që pafuqishëm ikin, në kërkim të sigurisë dhe duke luftuar për mbijetesë, nuk mund të mos e pyes veten se ku e kemi solidaritetin tonë. Vendimet politike janë një gjë e me këtë vjen edhe pyetja se si dhe pse ka ardhur deri tek një situatë e tillë në Afganistan. Çështja e sigurisë është po ashtu një tjetër gjë. Por njerëzia është një gjë krejtësisht tjetër. Diçka që për të gjithë ne duhet të jetë udhëzuesi i vetëm. Nuk mund e të mos e pyes veten, për kushedi të satën herë kur bëhet fjalë për tema të ngjashme, si është e mundur që asgjë nuk kemi mësuar? Në veçanti ne nga hapësira e ish-Jugosllavisë. A thua të gjitha luftërat, refugjatët nga Bosnja, Kroacia, Kosova nuk mjaftuan që të vëmë veten në vendin e dikujt tjetër dhe të tregojmë bile pak solidaritet? Pak empati? Duke u përpjekur që të kuptoj këto qëndrime kundër ofrimit të strehimit dhe azilit, që është edhe e drejtë e njeriut, ndoshta edhe do të kuptoja ata popuj të cilët nuk kanë kaluar nëpër diçka të ngjashme. Në rastin e Ballkanit, kjo po më shkon disi vështirë. Si u bë që vuajtjet e popullit vetanak të mos jenë të mjaftueshme që të dimë se sa i vështirë është largimi nga shtëpia, vendi, nga më të afërmit? E kemi ndierë këtë në lëkurën tonë, do të duhej kaherë të ishte e qartë për të gjithë neve.  

Derisa shumë aktorë politik po mendohen nëse të vihen në anën e njerëzve të pafajshëm, na mbetet vetëm të shpresojmë se kjo disfatë e njerëzores në Afganistan do të ndalojë të marrë jetët e viktimave të pafajshme. Na mbetet të shpresojmë se një ditë do të fitojë ndjenja e solidaritetit, se ndjenja për të ndihmuar të tjerët në rrezik do të jetë parësore në raport me politikën e lartë. Në këto ditë kur e njerëzishmja po na shkatërrohet para syve, në mbetet të shpresojmë që do të pasojë koha e solidaritetit. Sepse derisa pafuqishëm po shikojmë se si po e pësojnë të pafuqishmit, deri në atë masë të dëshpërimit saqë për të ikur mundohen që të kapen për aeroplanë në lëvizje, atëherë solidariteti me ta dhe ndihmesa në çfarëdo mënyre është gjëja e vetme që na mbetet. Në fund të ditës, duke refuzuar solidarizimin me ata të cilët kanë nevojë për solidaritet, ne i arsyetojmë të gjithë ata që nuk janë solidarizuar me neve kur konfliktet e shkatërronin Jugosllavinë dhe i preknin më të rrezikuarit.  

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.