Kokën në Beograd, e trupin në veri

0
81

Kosova është bërë vend i zgjedhjeve që sjellin vetëm komplikime të reja në institucione, ndonëse qëllimi i tyre është funksionalizimi i tyre. Jo më ndryshe ka ndodhur në komunat veriore të Kosovës, të cilat shkuan në zgjedhje pas dorëheqjeve të kryekomunarëve për politika që nuk lidhen me komunat.

Kishte qenë pikërisht nëntori muaji kur katër krerët e komunave u larguan nga pozitat e tyre, si reagim ndaj vendosjes së taksës dhe një aksioni që qëllim kishte kapjen e të dyshuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanović-it. Pra, për arsye që nuk lidhen fare me natyrën e punës së kryetarëve komunalë.

Sidoqoftë, zgjedhjet për këto komuna u shpallën disa javë më pas, mirëpo me disa probleme. Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga kandidatët e Listës Serbe bëri që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mos votohet certifikimi i kandidatëve të kësaj partie. U desh që Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të vendos ndryshe që Listës Serbe t’i mundësohet futja në zgjedhjet e 19 majit, ani pse kandidatët që fituan nuk patën si shqetësim të parë komunën ku garojnë. Shqetësimi ishte në Beograd.

Kjo u vërejt pas shpalljes së rezultateve të pritura për kandidatët serbë, të cilët fill pas fitores u nisën për në Beograd për të biseduar me “presidentin e tyre”. Presidenti Aleksandar Vučić i priti në Serbi, prej nga ku ata theksuan se zgjedhjet në veri ishin fitore e Serbisë, duke mohuar kështu shtetin në kuadër të të cilit u organizuan këto zgjedhje.

“Shpall fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua të them në fillim është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare, sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë i ka marrë Lista Serbe. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Đurić-it, Aleksandar Vučić-it, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, kishte thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakić, menjëherë natën e zgjedhjeve.

Kështu, refuzimi i respektimit të legjislacionit në kuadër të të cilit u zhvillua gara zgjedhore është një tregues se fituesit e këtyre komunave do të mund t’i lënë sërish pa udhëheqje qytetarët e tyre, nëse do t’i tekej Beogradit t’ua kërkonte këtë, dhe ky është argumenti që ata qytetarë nuk janë në rend të parë.

Pra, jemi në një situatë kur politikanë serbë marrin pjesë në një garë që organizohet nga shteti i Kosovës por më pas nuk respektohen as ligjet dhe as hierarkia shtetërore e tij. Dhe kjo, është një situatë që nuk jep shpresë.

Së këndejmi, unë vlerësoj se qasja destruktive e këtyre ish-kryetarëve, dhe tash fituesve të zgjedhjeve, është treguesi më i mirë se veriu nuk do të rehatohet asnjëherë përderisa nuk ka një marrëveshje përfundimtare në mes të dyja vendeve.

Deri atëherë, funksionimi i shtetit në atë vend do të jetë utopi, njëlloj sic është ideja e qytetarëve të asaj pjese kur mendojnë se kanë kryetarë dhe nuk e kuptojnë se ata e kanë “kokën në Beograd, e trupin në veri”.

SHARE