Kolonizatorët e dëbuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se ndërtimi i vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit”, në komunën e Zveçanit, është një përpjekje për të "kolonizuar" dhe ndryshuar strukturën etnike në veri. Një projekt që është konceptuar si një vendbanim (akomodim) për të kthyerit, me të gjitha kontradiktat që e përcjellin “Luginën e Diellit” dhe të gjitha kritikat e arsyeshme dhe të paarsyeshme që e shoqërojnë ndërtimin e këtij vendbanimi, ta quajë kolonizues, me të vërtetë është, thënë më së buti, e pahijshme!

0
51

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se ndërtimi i vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit”, në komunën e Zveçanit, është një përpjekje për të “kolonizuar” dhe ndryshuar strukturën etnike në veri.

Në rregull, e kuptoj, me të vërtetë jam mësuar me gjithfarë deklaratash edhe nga ana e politikanëve serb edhe nga ana e atyre shqiptar kur bëhet fjalë për situatën në Kosovë. Është e qartë se këtu po thyhen shtizat edhe për imtësinë më të vogël dhe që pak a shumë gjithçka është e lejueshme nën parullën e “luftës politike”. Por, edhe nëse i kemi parasysh të gjitha këto, deklarata e Enver Hoxhajt disi shumë po m’i “çan veshët”. 

Sipas të dhënave të Komesariatiti për refugjatë të Republikës së Serbisë, në territorin e Republikës së Serbisë jetojnë mbi 190,000 persona të zhvendosur nga Kosova, kurse kthimi i qëndrueshëm i të zhvendosurve konsiderohet si i pasuksesshëm. Vetëm të qartësoj diçka, po flasim për persona të zhvendosur nga Kosova të të gjitha nacionaliteteve, jo vetëm të atyre të nacionalitetit serb. Dhe kjo nuk është vetëm një e dhënë statistikore. Rastësisht, unë jam i punësuar në një organizatë humanitare në Novi Sad, e cila, midis tjerash, u ofron mbështetje personave të zhvendosur nga Kosova. Çdo ditë ballafaqohem me problemet e tyre administrative që i kanë si persona të zhvendosur dhe me problemet rreth sigurimit të dokumentacionit nga Kosova. Shumë prej tyre, as sot, 20 vite pas konfliktit të armatosur, nuk po guxojnë të kthehen në Kosovë, qoftë edhe për një letër për të cilën kanë nevojë për rregullimin e statusit të tyre si refugjatë. Nga gjithsej 226,418 persona të cilët më 1999 u dëbuan me dhunë nga Kosova, deri sot janë kthyer diçka më shumë se 28,000 vetë, këto të dhëna janë nga UNHCR-ja, kurse edhe 20,000 të tjerë kanë shprehur dëshirën që të kthehen, sipas të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të Kosovës.

Në një situatë të tillë, një projekt që është konceptuar si një vendbanim (akomodim) për të kthyerit, me të gjitha kontradiktat që e përcjellin “Luginën e Diellit” dhe të gjitha kritikat e arsyeshme dhe të paarsyeshme që e shoqërojnë ndërtimin e këtij vendbanimi, ta quaj kolonizues, me të vërtetë është, thënë më së buti, e pahijshme! Të thuash se vazhdimi i ndërtimit të kësaj lagjeje do të “ndryshojë strukturën etnike në veri të Kosovës”, ku serbët përbëjnë shumicën absolute të popullatës, gati se nuk meriton kurrfarë komenti. Ndryshimet e strukturës etnike të popullatës në cilindo regjion në Kosovë dhe në dobi të kujtdoqoftë kanë ndodhur gjatë kohës së konfliktit të armatosur gjatë viteve 1998 dhe 1999, kurse ndryshimi më i fundit i strukturës etnike të popullatës në mars 2004. Po, po flas edhe për ndryshimin e strukturës etnike në Mitrovicën veriore si dhe në të gjitha qytetet dhe komunat më të mëdha apo më të vogla në Kosovë. Edhe po të ktheheshin menjëherë në Kosovë ato 1,500 familje (aq sa është kapaciteti i planifikuar i “Luginës së Diellit”), nuk do të kishte ndryshim të strukturës etnike.

Për këtë arsye, me të vërtetë, zoti Hoxhaj, në vend të dhënies së deklaratave të tilla ndezëse, të pahijshme, e para së gjithash deklaratave të pavërteta dhe qëllimkëqija, do të kishte qenë më mirë që si zëvendëskryeministër i shtetit tuaj, e të krahinës sonë, të fokusoheni që të gjithë ata persona të zhvendosur (edhe një herë po e theksoj se nuk po flas vetëm për serbët) të rikthejnë pronën e tyre, por para së gjithash dinjitetin i cili me dhunë u është marrë qe një kohë të gjatë. Njerëzit nuk janë numra dhe statistikë. Pas secilit numër tuaj është një njeri me tërë dhimbjen dhe vuajten e tij të cilën nuk ia ka shkaktuar vetes, dhe as që ka fuqi ta zgjidhë vetë.

SHARE