Komentet në media mbi taksën 100%

Vendimi i qeverisë së Kosovës për t’i vënë taksë 100% produkteve që vijnë nga Serbia dhe BeH u komentua gjerësisht në media.

0
53

Në Prishtina Insight, redaktori Eraldin Fazliu, dy ditët e para pas vënies së taksës i quajti ‘48 orët e Kosovës së pavarur’. Fazliu konsideron se njëra nga pasojat më të këqija dhe të rrezikshme të këtij vendimi mund të jetë që ‘taksa ndaj Serbisë do t’i amnistojë politikanët nga dështimet e vazhdueshme dhe do t’i shërbejë Haradinajt dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë për t’i maskuar dështimet e tyre.’ Megjithatë, Fazliu vlerëson se pavarësisht se sa Qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje t’i qëndrojë trysnisë së BE-së për ta tërhequr taksën, apo mundësisë së keqpërdorimit të kësaj gjendjeje për qëllime të ngushta të akterëve politikë, ‘ky momentum i rrallë është mundësi për një shtet të vogël që të gëzojë sovranitet të plotë në vendimet e saj.’.

Ekspert i zhvillimit ekonomik dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, vlerësoi se Kosova nuk mund të akuzohet se është kundër parimeve të CEFTA dhe tregut të  lirë. Sipas tij, Kosova është, krahas Shqipërisë, respektuese rigoroze e atyre parimeve ‘më shumë se gjithë vendet e tjera të CEFTA e sidomos më shumë se Serbia e BeH.’ Mustafa konsideron se me këtë vendim Kosova nuk po e suspendon ekonominë  e lirë dhe se problemi ekziston vetëm me dy vende dhe 15% , përkatësisht 3% (BeH) të importeve. Këto dy vende vlerësohen të jenë shtete që godasin pozitën  e saj ndërkombëtare dhe sovranitetin e Kosovës. Mustafa vlerësoi se CEFTA, BE dhe ata ‘që e mbështesin tregtinë e lirë më së paku mund ta akuzojnë Kosovën për përkushtimin ndaj tregtisë së lirë. Problemet duhet t`i kërkojnë gjetiu.’

Ndikimi i BE-së mbi Kosovën nuk është më aq i madh siç ka qenë më parë dhe se presioni i saj mbi Kosovën mund të mos merret parasysh pasi BE-ja ‘nuk ka më dënime’, konsideron korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina. Ajo e arsyeton aludimin e saj mbi atë se, sipas saj, ‘Kosova nuk ka perspektivë kredibile për anëtarësim në BE dhe nuk do të ketë liberalizim të vizave për shkak se trajtohet ndryshe në të gjitha forumet e institucioneve të BE-së, duke shtuar se BE-ja ‘e ka mbështetur bukfalisht për muri’ Kosovën.

Sipas analistit dhe hulumtuesit të Instititut GAP, Agron Demi, nëse historiku i marrëdhënieve të deritanishme tregtare mes Kosovës dhe Serbisë ofron ndonjë mësim ‘ai është se bllokada ndaj mallrave serbe funksionon.’ Sipas Demit, bllokada që Kosova u kishte vënë mallrave serbe në verën e 2011 e kishte detyruar Serbinë që të pranojë vulën e Doganave të Kosovës dhe t’i zhbllokonte eksportet e Kosovës. Megjithatë, sipas Demit, problemi i vetëm me vendimin e qeverisë konsistonte në atë se ai është marrë në baza ‘ad-hoc’ dhe pa u paralajmëruar prodhuesit vendorë, 300 prej të cilëve e importojnë lëndën e parë nga Serbia. ‘Në aspektin afatgjatë, prodhuesit vendorë duhet të gjejnë alternativa të furnizimit me lëndë të parë nga vendet tjera. Nga kjo taksë, ekonomia e Kosovës mund të përfitojë vetëm nëse taksa stimulon rritjen e prodhimit vendor. Në të kundërtën, në rast se i tërë importi nga Serbia zëvendësohet me import nga vendet tjera, ekziston rreziku që çmimet e produkteve të rriten dhe kësisoj konsumatorët kosovarë të përfundojnë duke paguar më shtrenjtë.’ Për këtë qëllim, vlerësoi Demi, taksa prej 100% ndaj mallrave serbe duhet të shoqërohet me masa tjera të cilat ndihmojnë prodhimin vendor dhe t’i mbajnë të ulëta çmimet.

Drejtoresha e grupit medial KOHA, Flaka Surroi, e konsideroi qesharake ngarendjen ‘për ta marrë primatin se kush e propozoi i pari vendimin — për shkak se në fund mund të dalë se është një vendim populist, i cili mund të rezultojë me shtrenjtimin e produkteve në shitje me pakicë dhe rritjen e kontrabandës nga veriu.’ Surroi propozoi se, nëse autoritetet planifikonin ta mbanin vendimin në fuqi, atëherë lista e masave do të duhej zgjeruar edhe te targat e regjistrimit; edhe te diplomat; edhe te lëvizja e lirë e qytetarëve…, ‘në fund edhe do të duhej të vendosnin në lidhje me rrymën që shqiptarët ua paguajnë serbëve në veri qe sa e sa vjet, edhe pse në kundërshtim me ligjin.’. Megjithatë, sipas Surroit, ‘përderisa nuk vendosin se a e mbajnë a e heqin, ky vendim do të vazhdojë të përdoret për motive parazgjedhore, ende pa e ditur a po bie kjo Qeveri ose jo.’

Në kolumnen e tij të rregulltë në lajmi.net, Blerim Shala, ish-koordinator i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, aktualisht këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi, duke iu referuar situatës së krijuar javët e fundit në Kosovë, vlerësoi se marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë gjenden në ‘pikë kritike’. Sipas Shalës, për dallim prej rasteve të ngjashme në të kaluarën në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur vlerësimi i përgjithshëm i kryeqendrave perëndimore ka qenë i tillë që mbi të gjitha ka shquar përgjegjësinë e autoriteteve të Serbisë për problemet e shkaktuara në këto raporte, javëve të fundit, Prishtina zyrtare po shihet, në Washington dhe në Bruksel, ‘si adresa kryesore që ka autorësinë mbi kapitullin e ri të konfrontimeve publike me Beogradin.’ Sipas Shalës, kjo është diçka fare e re, e paparë në të kaluarën, ‘gjë që do të duhej të ndikonte që të gjithë ne, në mënyrën më gjakftohtë të mundshme, të analizojmë se ku jemi, çfarë kemi bërë kohëve të fundit, dhe a kemi arritë që të justifikojmë sa dhe si duhet kundër-përgjigjen tonë ndaj një fushate të egër politike dhe propagandistike të instancave më të larta të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol’. Sipas Shalës, zhvillimet e javëve të fundit në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë ‘e fuqizojnë bindjen që më kështu nuk mund të vazhdohet në raportet në mes të dy shteteve, apo që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, është e domosdoshme’, mirëpo me atmosferën aktuale që po mbizotëron në raportet mes Kosovës dhe Serbisë ‘nuk mund të mbërrihet kurrsesi tek nënshkrimi i një Marrëveshjeje historike’.

comments

SHARE