Konfirmohet vizita e Lajçakut në Kosovë

0
61

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë, Mirosllav Lajçak do ta vizitojë Kosovën.

Sipas njoftimit, Lajçak do të vizitojë Kosovën nga 15 deri më 18 qershor, në udhëtimin e tij të parë zyrtarë nga marrja e pozitës së tij të re.

“Në Kosovë, Ambasadori Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE.

Po ashtu, në njoftim thuhet se gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak do të shfrytëzojë mundësinë për t’u njohur me situatën në terren.

Dialogu Kosovë – Serbi është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, ku ish kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100% për mallrat serbe dhe boshnjake që hynë në Kosovë. Që nga ajo kohë Beogradi zyrtar ka refuzuar të kthehet në ‘tavolinë’ të bisedimeve, pa u hequr taksa.

(kallxo.com, 15/06/2020)

SHARE