Konkluzionet e Këshillit të BE-së mbi Dialogun mes Prishtinës e Beogradit

0
291

Këshilli i Evropës ka miratuar konkluzionet mbi politikën e BE-së për zgjerimin dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit BE-Ballkani Perëndimor.

Mes tjerash, në konkluzione thuhet se elemente thelbësore të këtij procesi mbesin marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal.

Këshilli i BE-së bën thirrje për përpjekje të mëtejme për kapërcimin e trashëgimive të së kaluarës dhe kalitjen e pajtimit, përfshirë përmes promovimit të një klime të tolerancës.

Tek pjesa që i referohet Serbisë, Këshilli thekson se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e negociatave të saj për anëtarësim, ndërsa tek ajo për Kosovën rikujton se progresi në këtë proces është parim thelbësor i MSA-së dhe përbën bazën e zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis BE-së dhe Kosovës.

Sa i përket Dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës, Këshilli mirëpret faktin se të dyja palët janë zotuar para Përfaqësueses së Lartë se do të punojnë për një normalizim të gjithëmbarshëm të marrëdhënieve, përfshirë në formën e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, e cila është kyçe për rrugët e tyre respektive evropiane dhe thelbësore për stabilitetin e qëndrueshëm rajonal.

Hollësitë mund t’i gjeni në tekstin e plotë të konkluzioneve të Këshillit (anglisht).

 

SHARE