Kosnett: SHBA kurrë nuk e ka shtyrë aktivisht ndonjë ndryshim të madh të kufijve

0
18

(Intervista e ambasadorit Kosnett për Kohën Ditore)

KD: Pas gati dy muajsh, më në fund u certifikuan zgjedhjet e 6 tetorit, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re. Cilat i shihni sfidat kryesore të qeverisë së re?

Kosnett: Mendoj se kjo është kohë shumë ngazëlluese për Kosovën. Është e qartë se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët votuan për ndryshim. Kam pasur shumë takime me lidershipin e Vetëvendosjes dhe LDK-së, dhe mendoj se ata janë të përkushtuar për ta krijuar qeverinë e re, e cila përfaqëson të gjithë popullin e Kosovës, që është e fokusuar në problemet e qytetarëve të rëndomtë. Më duhet të them se është emocionuese për qytetarët dhe vendin. Mendoj se do të duhej të shohim progres të madh në vitin 2020.

KD: Një nga detyrat e para është rinisja e dialogut me Serbinë. Çfarë qasje prisni ta ketë Kosova në këtë proces?

Kosnett: Më lejoni ta vë këtë në kontekst më të gjerë. Në përpjekjet tona për ta mbështetur popullin e Kosovës, qeveria e SHBA-së flet për tri prioritete kryesore për Kosovën: paqe, drejtësi dhe prosperitet. Kur flasim për drejtësinë, kjo i referohet luftës kundër korrupsionit, që ishte çështje kryesore në fushatë, por gjithashtu ka të bëjë edhe për të siguruar respektimin e të drejtave të të gjithëve në Kosovë pa marrë parasysh bashkësinë, gjininë, orientimin e kështu me radhë. Pra, ne kemi një pikëpamje shumë të gjerë se çka nënkuptojmë me drejtësi. Prosperiteti nënkupton zhvillim ekonomik, mundësi ekonomike për të rinjtë, që shpesh ndjehesh të pakënaqur se pa marrë parasysh kualifikimeve për punë, i kanë mundësitë e kufizuara nëse nuk i kanë lidhjet e duhura. E pastaj flasim për paqe. Kur flasim për paqe, nënkuptojmë marrëdhënie më të mira mes komuniteteve brenda Kosovës, por gjithashtu edhe marrëdhënie më të mira ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj, jo vetëm me Serbinë, por sigurisht Serbia është në krye të listës. E në mënyrë specifike sa i përket dialogut, për mua është me rëndësi që të theksoj pikëpamjen e SHBA-së se përparimi në marrëdhëniet me Serbinë lidhet me mundësitë, si ato ekonomike, por edhe mundësitë për drejtësi më të mirë dhe mundësi të barabarta në vend si tërësi. Pra, këto tri çështje: paqe, drejtësi dhe prosperiteti janë të lidhura ngusht me njëra-tjetrën. E kjo ishte përgjigje shumë e gjatë.

KD: Ka pasur shumë diskutime përkitazi me marrëveshjen e mundshme finale me Serbinë. E shihni këtë të arritshme brenda vitit të ardhshëm?

Kosnett: Po, mendoj se mund të arrihet gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria ime është e përqendruar jo vetëm për ti kthyer qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në tavolinën e negociatave, por edhe për të siguruar kushtet për përmbyllje të suksesshme të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, për të ardhur deri në cak e jo vetëm në vijën e fillimit. Besoj se popujt e të dy vendeve do të përfitojnë shumë nga përmirësimi i marrëdhënieve. Në të njëjtën kohë, mendoj se është me rëndësi për Kosovën që të takohet si e barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit për të trasuar rrugën drejt prosperitetit dhe paqes për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. P.sh. ka pasur fjalë për një aranzhim mini-Shengen. Sa e dimë ne, Kosova do të ftohet si e barabartë në bisedimet e ardhshme për mini-Shengen. Qeveria duhet të shkojë; të dërgojë një delegacion. Nëse propozimi përmban elemente që Kosovës nuk i pëlqejnë, atëherë Kosova duhet ta thotë atë. E dini, duhet të argumentojë në tavolinë, duhet të negociojë si e barabartë me vendet tjera. Ndoshta aranzhimi për mini-Shengen do të evoluojë pjesërisht për arsye se Kosova ndihmon për ti dhënë formë asaj. Por, mendoj se ata njerëz që thonë se Kosova nuk duhet as të lodhet për të marrë pjesë në proces po e humbasin një mundësi të madhe. E njëjta gjë vlen edhe për dialog. Qeveria e Kosovës do të duhej të shkojë dhe të ulet përballë qeverisë së Serbisë dhe të argumentojë fuqishëm qëndrimin e saj dhe të përpiqet për ta arritur një marrëveshje, nga e cila përfitojnë të dy palët.

KD: Por marrëveshja finale është thënë se ka të bëjë me kompromise. Cili kompromis mendoni se është i mundëshëm?

Kosnett: Para së gjithash, më lejoni t’jua përkujtoj lexuesve tuaj se Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në negociatave. Bisedimet janë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara, sikurse miqtë tuaj evropianë, duan të ndihmojnë në këtë proces. Duam të ndihmojmë që të sigurohemi se palët do ta mbajnë çfarëdo premtimi që e japin. Kështu që, nuk do të hyja në hollësi të mëdha rreth gjërave hipotetike se çfarë do të ndodhë. Si diplomat profesionist megjithatë dëshiroj ta them se mendoj se është e rëndësishme që negociuesit të jenë të lirë të diskutojnë çdo gjë, të mos ketë parakushte para delegacioneve kur të ulen në tavolinë. Prandaj, lidhur me këtë, mendoj se është me rëndësi që Kosova ta pezullojë tarifën, si dhe është me rëndësi që Serbia ta pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës e pastaj palët mund të bisedojnë për këto çështje në tavolinën e negociatave.

KD: E përmendët tarifën. Si LDK-ja, po ashtu edhe VV-ja kanë thënë se do ta heqin, por në vend të saj të aplikohet reciprocitret i plotë me Serbinë. E shihni këtë si lëvizje pozitive?

Kosnett: Mendoj se përkushtimi i tyre për ta suspenduar tarifën është definitivisht lëvizje pozitive. Sa i përket reciprocitetit, pikëpamja jonë është se këto janë çështje për të cilat vendimi do të duhej të merret në tavolinë. Sinqerisht, për ne nuk është rezultat pozitiv nëse Kosova vendos pengesa reciproke jo-tarifore, por që të negociojë në mënyrë efikase që Serbia t’i heqë pengesat tregtare. Ne do donim të shohim më pak barriera dhe më shumë hapje, më shumë bashkëpunim në tregti, investime, në çështjen e personave të pagjetur dhe një varg çështjesh tjera të cilat kanë qenë shqetësim për të dyja vendet për 20 vite.

KD: Çka nëse nuk arrihet marrëveshja? Cilat do të ishin pasojat për Kosovën nëse nuk ka marrëveshje?

Kosnett: Mendoj se arritja e marrëveshjes do të ketë implikime të mëdha pozitive për përparimin e Kosovës dhe vendin e saj në Evropë. ‘Status quo-ja’ vërtet nuk është e qëndrueshme. Ashtu siç ka thënë përfaqësuesi ynë special për Ballkanin Perëndimor, Matt Palmer kur së fundi ishte për vizitë në Kosovë, dështimi për ta çuar përpara dialogun nuk e ka ndihmuar Kosovën. Nuk e ka ndihmuar as ekonominë e Kosovës e as pozitën e saj në botë. Ta them sërish, mendoj se marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë do t’i hapë dyert për investimet e jashtme, do të krijojë mundësi të reja ekonomike për popullin këtu dhe nuk është vetëm çështje që ka rëndësi për bashkësinë ndërkombëtare. E dini, dialogu nuk ishte në krye të agjendës gjatë fushatës parazgjedhore, e kuptoj këtë, por unë nuk e shoh atë si shpërqendrim për qeverinë e re për ti përmbushur premtimet për çështjet e brendshme. Ne mendojmë se është e domosdoshme që në të njëjtën kohë, të ketë përparim në çështjet e brendshme dhe të jashtme.

KD: Deri më tani, ka pasur mungesë të unitetit mes partive politike dhe institucioneve sa i përket rezultatit final të dialogut. Derisa presidenti ka favorizuar korrigjimin e kufijve, partitë përgjithësisht janë kundër kësaj ideje. A konsideroni se qeveria e ardhshme do të jetë e aftë t’i tejkalojë këto dallime dhe ta ndërtojë konsensusin?

Kosnett: Jam optimist se dy partitë që janë pjesë e qeverisë dhe partitë në opozitë do ta kenë prioritet më të mirën për vendin dhe qytetarët. Tani është koha, është momenti për të gjithë ata që janë të përfshirë në jetën politike, qofshin në qeveri apo në opozitë – që të bëhen bashkë dhe në frymën e bashkimit kombëtar, të mendojnë për qytetarët e rëndomtë dhe çka do të thotë për qytetarët e Kosovës përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj.

KD: A ka ndonjë dallim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. E kur flasim për këtë: a i mbështesin Shtetet e Bashkuara ndryshimet e kufijve?

Kosnett: Mendoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqimisht të përkushtuara që të mbështesin qytetarët dhe popujt në Kosovë dhe Serbi, që ta gjejnë rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Kjo nuk ka ndryshuar. Kjo është diçka për të cilën do të jemi në koordinim dhe konsulta të afërta me partnerët evropianë, kur BE-ja ta zhvillojë politikën e jashtme në të ardhmen. Siç e dini, ka pasur ndryshim në krye të strukturës së politikës së jashtme të BE-së. Për sa i përket shkëmbimit të territoreve, ndryshimit të kufijve, mendoj se pozicioni amerikan nuk është kuptuar mirë dhe do të përpiqem ta qartësoj atë. Gjatë një apo dy viteve të kaluara, disa zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, atëherë ne do ta shikonim atë marrëveshje e nuk do ta hedhnim poshtë pa a shikuar fare. Njerëzit e kanë keqkuptuar këtë duke paramenduar se kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara aktivisht po e shtyjnë ndonjë ndryshim të madh të kufijve. Kurr nuk ka qenë ashtu. Për më tepër, pozicioni ynë ka qenë që çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme për popujt e dy vendeve, e jo vetëm për disa politikanë. Mendoj se është mjaft e qartë se përkrahja në Kosovë për një shkëmbim masiv, dramatik të tokës apo ndryshim të kufijve është shumë e vogël. Dua të them se është mjaft e qartë se është ashtu. A është e mundshme që Kosova dhe Serbia, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, ta shikojnë mundësinë e shënimit të kufirit, të disa ndryshimeve? Po, është e mundur, por mendoj se kjo është pyetje për zyrtarët e të dyja qeverive – se a presin apo jo që të ketë diskutime për tokën në të ardhmen.

KD: Nganjëherë ka kritika se liderët e Kosovës po marrin vendime nën presion. A është Kosova e gatshme t’i marrë vetë vendimet, pa qenë subjekt i çfarëdo presioni ndërkombëtar?

Kosnett: Mendoj se liderët dhe populli i Kosovës janë të aftë që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, ta trasojnë rrugën përpara. Në të njëjtën kohë, natyrisht se qeveria ime dhe të tjerat në rajon janë shumë të investuar për të ardhmen e Kosovës. Nuk do ta realizonim këtë intervistë po të mendonit se zëri i Amerikës nuk ka rëndësi. Kështu që, ne do të vazhdojmë të bëjmë krejt çka mundemi për t’i mbështetur të dyja palët. Më duket e përdorët fjalën “presion” në pyetjen tuaj, por unë nuk e shoh ashtu. A e themi qartësisht qëndrimin tonë? Sigurisht se po, pjesërisht sepse shumë njerëz janë të interesuar të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë qeveria jonë apo qeveritë tjera. Por, do të doja të theksoja se njerëzit ndonjëherë mendojnë se disa çështje që janë me interes për bashkësinë ndërkombëtare, nuk kanë rëndësi për popullin e Kosovës. Ne shpesh e shohim këtë gjë ndryshe dhe dialogu është shembulli më i mirë. Shumë njerëz nuk e shohin sa do të ndikojë në jetën e tyre përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë ose me fqinjët e tjerë. Ne mendojmë se kjo është e rëndësishme për qytetarët e rëndomtë, sepse do të krijojë mundësi të reja për çdo njeri. Natyrisht se ka dyshime dhe mosbesim, por nëse qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës mund të negociojnë një marrëveshje që është në interesin e qytetarëve të të dyja vendeve, atëherë ata do të kenë shtytje për ta mundësuar zbatimin e saj dhe vendi im do të jetë aty për tu siguruar që të gjithë i mbajnë premtimet.

KD: Pretendenti për kryeministër, Albin Kurti e ka përjashtuar mundësinë që ta konsiderojë Listën Serbe partner në qeveri, megjithëse ka thënë se do ta përmbushë obligimin kushtetues që një ministër në qeveri të jetë nga kjo parti. Si e komentoni këtë?

Kosnett: Mendoj se zotëri Kurti është i vetëdijshëm se përgjegjësia e tij si kryeministër dallon nga roli i një lideri të opozitës dhe z. Kurti e kupton kushtetutën e Kosovës. Mendoj se ai është realist dhe e di se nuk do ta ketë të mundur të qeverisë pa e dëgjuar zërin e anëtarëve të komunitetit serb. Fakti është se Lista Serbe përfaqëson – jo çdo individ – jo çdo serb është tifoz i Listës Serbe – por, është zë i rëndësishëm. Nuk mendoj se është reale të flitet për qeverisjen e vendit pa i respektuar parimet kushtetuese rreth rolit të pakicave dhe pa e pranuar realitetin politik të Listës Serbe.

KD: Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për shoqërinë e Kosovës. Partnerët e ardhshëm qeverisës kanë paralajmëruar masa agresive kundër krimit dhe korrupsionit. I mbështetni këto masa?

Kosnett: Ne absolutisht mbështesim masat e ashpra kundër korrupsionit, brenda dhe jashtë qeverisë. Të kujtojmë se qeveria e re ende nuk e ka marrë detyrën dhe është e natyrshme që politikat e saj specifike të evoluojnë me kohë. Unë kam besim të madh në institucionet e drejtësisë në Kosovë, në polici dhe mendoj se kosovarët, pavarësisht qëndrimeve politike, e ndiejnë fuqishëm se korrupsioni po e mban vendin prapa. Ambasada jonë, unë personalisht kam qenë mjaft i zëshëm prej kur kam ardhur lidhur me këtë çështje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Mendoj se ndriçimii i çdo qoshi të errët në çdo vend është vendimtar për të ardhme të shëndetshme.

KD: Gjykata Speciale ka shtuar numrin e ftesave për ish-pjesëtarët e UÇK-së, derisa aktakuzat e para priten të ngritën së shpejti. Por ka zëra në Kosovë që i kërkojnë qeverisë ta rishikojë mandatin e kësaj gjykate. Si e komentoni këtë?

Kosnett: Para dy vitesh, kur pati përpjekje për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, paraardhësi dhe miku im, Greg Delawie tha se kjo është tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara. Unë pajtohem me këtë, por dua të shtoj se çfarëdo lëvizje për dobësimin apo eliminimin e Gjykatës është tradhti edhe ndaj të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet, të cilët meritojnë drejtësi për krimet që janë bërë para 20 vitesh. Jam shumë i vetëdijshëm për historinë e Kosovës dhe rajonit, e di se disa njerëz janë të frustruar dhe e shohin me mëri mandatin e Gjykatës Speciale. Nuk mendoj se përgjigja është duke e zbehur efikasitetin e saj, duke mos hetuar apo kërkuar drejtësi kur ajo është e mundur. Duhet të kërkojmë më shumë drejtësi për viktimat, jo më pak. Kam besim se Gjykata Speciale do ta vazhdojë ta bëjë punën e vet dhe të vendosë drejtësi, mbështetur në mandatin që ka.

KD: Z. Ambasador, ju faleminderit për kohën dhe intervistën.

Kosnett: Ju faleminderit shumë juve. Ishte kënaqësi.

(usembassy.gov, 03/12/2019)

SHARE