Kosova dhe Serbia mbulojnë simbolet shtetërore në targat e automjeteve

0
37

Kosova dhe Serbia nga dita e hënë (4 tetor) kanë filluar vendosjen e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e njëra-tjetrës. Ngasësit e automjeteve po pajisen me këto letra ngjitëse gjatë kalimit të kufirit.

Kjo është pika e dytë e marrëveshjes që ndali tensionet trembëdhjetë ditëshe në dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë e Bërnjak.

Në pikën kufitare në Jarinjë, ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se në anën e kufirit të Kosovës të gjitha veturat që po hyjnë dhe po nisen drejt Serbisë po pajisjen me letra ngjitëse dhe nuk ka kolona të gjata. Ndërkaq radhë më të gjata të veturave shihen në pjesën e Serbisë.

Në pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Jarinjë trafiku është duke u zhvilluar pa pengesa, ku të gjitha automjetet po pajisjen me letra ngjitëse.

Marrëveshja parasheh vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore në tabelat e automjeteve, në vend të zëvëndësimit të tyre me targa të përkohshme.

Policia e Kosovës tha më 4 tetor se kjo marrëveshje po zbatohet në të gjitha pikëkalimet kufitare.

Megjithatë, ende është e paqartë se çfarë do të ndodhë me automjetet me targa serbe dhe ato me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga institucionet serbe, e që tashmë janë brenda Kosovës. Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë më 4 tetor kanë hasur në shumë vetura në veri të Kosovës, të cilat janë me targa serbe, e që nuk kanë letra ngjitëse.

Edhe kjo zgjidhje do të jetë e përkohshme, pasi pika e tretë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 30 shtator, parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grupi Punues do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Fillimi i vendosjes së letrave ngjitëse pason vendosjen e pjesëtarëve të KFOR-it më 2 tetor, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe tërheqjes së protestuesve serbë të cilët i kishin bllokuar rrugët që çojnë në këto dy pika menjeherë pasi aty u vendosen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova tashmë ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse që do të fillojnë t’ua vendosin veturave nga Serbia, që nga 4 tetori.

Edhe zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë konfirmoi përmes një njoftimi më 2 tetor se që nga dita e hënë, Serbia do të fillojë me regjimin e vendosjes së letrave ngjitëse në targat e Kosovës.

Si arriti çështja e targave të nxisë tensione?

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë më 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën shtatë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Ky afat përfundoi në mesin e muajit shtator, kur Qeveria e Kosovës vendosi që përveç ndalimit të këtyre tabelave, të vendosë edhe masën e reciprocitetit për heqjen e tabelave me regjistrim të Serbisë për automjetet që hyjnë në Kosovë dhe vendosjen e tabelave të përkohshme.

Kjo masë ishte zbatuar nga Serbia për vite me radhë për automjetet me regjistrim të Kosovës që hynin në territorin serb.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”.

Me të filluar zbatimin e këtyre masave nga Qeveria e Kosovës më 20 shtator, serbët bllokuan rrugët në çojnë në pikat kufitare në veri, njësitë speciale të policisë u vendos në këtë pjesë, ndërsa tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan.

Bashkimi Evropian u vu në lëvizje për të zgjidhur situatën dhe pas negociatave të zhvilluara me dy delegacionet, atë të Kosovës dhe Serbisë, më 30 shtator në Bruksel palët u pajtuan për zgjidhjen e përkohshme të kësaj çështjeje.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022.

(evropaelire.org, 04/10/2021)

SHARE