Kosova e Serbia s’merren vesh për njohjen reciproke të certifikatave ADR

Pa rezultate ka përfunduar takimi në mes të delegacionit kosovar dhe atij serb për njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR.

0
406

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe Ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami së bashku me ekipin profesional morën pjesë sot në takimin e ftuar nga BE-ja, takim ky që u mbajt në Vjenë dhe ka zgjatur gjatë tërë ditës duke filluar nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Pas bisedimeve të vështira dhe përpjekjeve për të arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, ku vlen të theksohet angazhimi i Bashkimit Evropian si ndërmjetësues ishte maksimal me gjithë atë këto bisedime nuk dhanë rezultate”, thuhet në njoftimin për media, teksa bëhet me dije se takimet do të vazhdojnë.

“Takimi i radhës për këtë çështje do të mbahet së shpejti dhe për këtë do të presim derisa BE do të ftojë takimin e ri”.

Sipas njoftimit të MTI-së, delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme që bazohet në njohjen reciproke të certfikatave të ADR-së mes dy shteteve dhe angazhimet tona për zgjidhje me dialog vazhdojnë.

“Mirëpo bëjmë me dije që masat e reciprocitetit mbeten në fuqi derisa të arrihet marrëveshja në fjalë”, thuhet në njoftim, përcjell koha.net.

Delegacioni kishte në përbërje edhe znj. Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator i çështjes, Fejzulla Mustafa, udhëheqës i Sektorit të Transportit të Mallrave të Rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës.

(koha.net, 04/04/2016)

SHARE