Kosova me probleme ligjore për respektimin e të drejtave gjuhësore

0
118

“Legjislacioni dygjuhësor në Kosovë” dhe “Respektimi i të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës”, janë dy raportet e publikuara nga misioni i OSBE-së për respektimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë, me rastin e Ditës Evropiane të Gjuhëve.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, ka thënë se Kosova është një shoqëri shumë komunitare, duke marrë shembuj te shteteve evropiane që kanë më shumë se një gjuhë zyrtare. Sipas tij, kjo dukuri është realitet evropian.“Njerëzit e vendeve të ndryshme qëndrojnë krah njërit tjetrit të bashkuar dhe mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. Ky multikulturalizëm është një vlerë që e pasuron shoqërinë. Dhe kjo, nuk është specifike vetëm në Kosovë, por edhe në kontekstin evropian, është e rëndomtë në legjislacionin evropian që të ketë gjuhë zyrtare që respektojnë komunitetet dhe kulturat e tyre”, tha Braathu.

Kurse Komisioneri për Gjuhë, Slaviša Mladenović, tha se të drejtat gjuhësore duhet të mbrohen dhe se paraqesin një vlerë për shoqërinë kosovare.

Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Mentor Borovci ka thënë se përkthyesit janë shumë të ngarkuar dhe kapacitetet i kanë të limituara, me ç’rast ka potencuar mungesën e një njësie qendrore të përkthimeve.

“Mungesa e përkthyesve ligjorë. Pra, legjislacioni dhe procesi i përkthimit të legjislacionit, përveç njohurive të gjuhës përkatëse, kërkon edhe njohuri të terminologjisë specifike juridike. Dhe natyrisht kjo përfaqëson një sfidë në rastin e harmonizimin të legjislacionit në gjuhët përkatëse. Një sfidë tjetër është edhe mungesa e një njësie qendrore të përkthimeve në kuadër të secilit institucion i cili inicion, përgatitë akte nënligjore apo projektligje”, ka thënë Borovci.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila përfaqëson komunitetin boshnjak tregoi se kishte pasur vështirësi për shkak të komunikimit. Ajo tha se për rininë është shumë e rëndësishme që t’i mësojnë gjuhët e shteteve fqinje. Balje tregoi se për tre muaj e kishte mësuar gjuhën shqipe dhe një pjesë të fjalimit në konferencë e tha në shqip. 

(kosovapress.com, 24/09/2018)

comments

SHARE