Kosova mund t’i mbajë leksione Serbisë

Gjykata Speciale nuk e cenon dhe nuk do ta cenojë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e as luftën e drejtë të UÇK-së. Gjykata Speciale nuk do të nxjerrë dënime në të cilat do të amnistohen krimet monstruoze të bëra prej regjimit të Millosheviqit në Kosovë e as nuk do të thotë që masat represive të viteve ’90 dhe pushteti i tij mbi Kosovën ishte i drejtë.

0
250

Më 24 qershor u publikua aktakuza e pakonfirmuar e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe dhjetë bashkëluftëtarëve të tij, përfshirë Kadri Veselin e PDK-së. Më 27 qershor ishte paraparë një takim historik mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington me ndërmjetësim të SHBA-ve. Paralajmërimi i aktakuzës pamundësoi takimin pasi që Thaçit iu desh të kthehej menjëherë për në Prishtinë. 

Dhe, duket se të paktën publikimi i saj në këtë datë ishte bërë pikërisht me qëllimin që të pamundësohej ky takim. Si i këtillë, ky qëllim i këtij publikimi, dhe vetë publikimi, kryen një fyerje tepër të rëndë ndaj të gjitha viktimave të krimeve të pretenduara për të cilat kërkohet drejtësi. Është një përdorim i turpshëm e i ndyrë politik i “rreth 100 viktimave”, një përdorim që e bën të dyshimtë “misionin për drejtësi”.

Reagimi publik në Kosovë ishte ashtu siç mund të pritej. U mbrojt Kosova e UÇK-ja derisa u shpreh bindja se presidenti Thaçi ishte i pafajshëm. Fare pak njerëz e denoncuan përdorimin politik që Gjykata Speciale i bëri aktakuzës së paralajmëruar.

Pse bash tash? Pse jo më herët, pse jo më vonë? Pse u publikua ‘aktakuza’ para se të ishte aktakuzë? Këto janë disa prej pyetjeve legjitime mbi këtë çështje.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës si çdoherë tjetër nisën të mbronin luftën e UÇK-së, lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ishte kjo një narrativë që e bëri të zbehtë e jodominante për herë të parë pas shumë kohësh fjalën e Vetëvendosjes, partisë më të madhe në Kosovë. Sipas tyre, me njollosjen e Thaçit e të Veselit po njollosej UÇK-ja e Kosova. Sipas disa zyrtarëve të Vetëvendosjes, po njollosej individualisht presidenti Thaçi dhe secili ish-luftëtar i UÇK-së që do të akuzohej. Këta të fundit madje ia linin fajin vetë Thaçit për themelimin e Dhomave të Specializuara.

Unë nuk besoj në asnjërin prej këtyre reagimeve. Janë joserioze, të pasinqerta dhe të paevidencë.

Gjykata Speciale nuk e cenon dhe nuk do ta cenojë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e as luftën e drejtë të UÇK-së. Gjykata Speciale nuk do të nxjerrë dënime në të cilat do të amnistohen krimet monstruoze të bëra prej regjimit të Millosheviqit në Kosovë e as nuk do të thotë që masat represive të viteve ’90 dhe pushteti i tij mbi Kosovën ishte i drejtë. Ashtu siç nuk do të thotë se dhunimi i mijëra grave, shkatërrimi i mijëra shtëpive, vrasja e mijëra civilëve të pafajshëm, trajtimi në kundërshtim me ligjet e luftës i ushtarëve të UÇK-së, dëbimi i 1 milion njerëzve ishte i drejtë dhe i justifikueshëm.

Gjykata Speciale është e Kosovës. Quhet bile “Dhomat e Specializuara të Kosovës”. Punon në bazë të sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Dhe është e themeluar nga deputetët e Legjislaturës së V të Kosovës. Bile bile, e themeluar nga trysnia që e bënte partia më e madhe që doli nga UÇK-ja, Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), dhe nga kryetari i saj dhe ish-drejtuesi politik i luftës, Hashim Thaçi. Pra, ishin liderët e UÇK-së ata që donin të pastroheshin vetë, e ta pastronin UÇK-në nga dyshimet që rëndonin mbi ta.

Mesazhi i deritashëm se e kemi një trup të huaj që gjykon prej jashtë e në formë të sipërvendosur luftën e një populli për liri nuk është krejtësisht i saktë. Të paktën jo nominalisht. Është krejtësisht e padrejtë të priten ndryshime aq dramatike politike e vlerore në një vend të vogël me aq pak kohë ekzistence si shtet. Prandaj, Kosovës ndoshta i duhej ky trup i huaj, e i cili megjithatë mbetet i Kosovës.

Por, çka bëri në anën tjetër Serbia? Ajo mbrojti luftën e saj monstruoze shtypëse e me motive të hapura fashiste. E ndërkohë që së fundi, lideri i saj i fitoi zgjedhjet me një përqindje tepër të lartë. 

Kosova vazhdon ta ketë një gjyqësi joprofesionale, një ekonomi tepër të madhe joformale, një politikë shpesh të papërgjegjshme e korrupsion goxha të madh. Veçse, Kosova ka treguar qartë potencialin e saj demokratik, potencialin për ndërtimin e një shteti të së drejtës e të mirëqenies. Kosova ka shfaqur shenja të qarta se mund të bëhet shteti larg më demokratik në Ballkan. Definitivisht jo si Serbia. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.