Kosova rrezikon ta humbasë momentumin

Intervista e Ambasadorit Kosnett gjatë emisionit Interaktiv në KTV, 31 janar 2019

0
72

KTV: Mirë se vini në KTV, ambasador Kosnett. Faleminderit që jeni këtu.

Ambasadori Kosnett: Kam kënaqësinë që jam këtu, Xhemajl. Faleminderit për ftesën.

KTV: Faleminderit shumë. Tashmë kanë kaluar dy muaj prej kur jeni kthyer në Kosovë. Si kanë qenë këta dy muaj për juve?

Ambasadori Kosnett: Kanë qenë të jashtëzakonshëm. Ka qenë privilegj i hatashëm që të kthehem në Kosovë si ambasador amerikan dhe është emocionuese për ta parë tërë atë përparim që populli i Kosovës e ka arritur për këto 15 vjet. Në veçanti, më lënë mbresa të gjithë këta të rinj që i takoj: plot me energji, të edukuar, që mund të jenë të suksesshëm kudo nëpër botë, por që kanë zgjedhur për të qëndruar në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin.

KTV: Ka pasur shumë ngjarje politike prej që e keni marrë detyrën. Sot patët një takim të rëndësishëm me presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit. Kërkesa për pezullimin e taksës kundër Serbisë mbetet. Çka doli nga ky takim?

Ambasadori Kosnett: Ishte një takim shumë i dobishëm, konstruktiv dhe i sinqertë. Më lejoni të kthehem pak prapa. Dëshiroj t’ua përkujtoj shikuesve tuaj se çka duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Çka duam për Kosovën dhe për vendet e tjera të rajonit është paqja, prosperiteti dhe drejtësia. Gjatë 20 viteve të fundit, mendoj se është e drejtë të thuhet, që SHBA-ja ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të mbështetur miqtë tanë kosovarë në ndërtimin e një vendi të ri, në ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit, për të mbështetur kërkimin e Kosovën për siguri. Ti përmendi vetëm dy shembuj prej kur kam ardhur unë këtu:SHBA-ja në mënyrë aktive e ka mbështetur tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sepse ne mendojmë që Kosova – si çdo vend tjetër në botë – ka të drejtë për vetëmbrojtje.

Po ashtu, kemi lajmëruar programin e ri kompakt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, që është vetëm një mënyrë se si SHBA-ja po i ofron ndihmë zhvillimit ekonomik të Kosovës. Pra, ne besojmë se një Kosovë e fuqishme, paqësore, e begatshme, me drejtësi për të gjithë qytetarët e saj, është e mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për SHBA-në.

Ne mendojmë se për të arritur përparim në sundimin e ligjit, në zhvillimin ekonomik, në stabilitetin rajonal, është jetike që dialogu me Serbinë të rifillojë sa më shpejt që është e mundur. Kjo na sjell te çështja e taksës. Më duhet të them se ka pasur disa rrëfime ngatërruese dhe të keqinformuara. Pak para se të vija këtu lexova se SHBA-ja ka kërcënuar me sanksione ekonomike kundër Kosovës. Dëshiroj ti siguroj edhe njëherë njerëzit se nuk është ashtu. Kjo nuk është mënyra se si SHBA-ja dëshiron të merret me miken e saj, Kosovën. Megjithatë, besoj se çka kërkojmë nga Kosova është lidership i guximshëm. Është shumë lehtë që të vendoset se ka arsye për ti shtyrë negociatat me Serbinë. Nuk mendojmë se kjo është në interes të Kosovës, Serbisë apo të Shteteve të Bashkuara. Mendojmë se sistemi po funksionon; procesi po funksionon. Krijimi i delegacionit shtetëror është shenjë shumë pozitive dhe diçka që po bëj si ambasador amerikan është se po mbaj takime me partitë opozitare që ende nuk kanë vendosur për t’iu bashkuar procesit të delegacionit shtetëror sepse mendojmë se është me rëndësi që partitë opozitare të angazhohen me delegacionin shtetëror, edhe nëse ende nuk janë të gatshme që ti bashkohen atij zyrtarisht. Ata duhet të flasin me prijësit e delegacionit për t’ua sqaruar shqetësimet e zgjedhësve të tyre, dëshirat e zgjedhësve të tyre. Sepse ne mendojmë se është me rëndësi që përpjekjet për të negociuar me Serbinë – që ky të jetë proces i unitetit kombëtar ku dëgjohen të gjithë zërat e Kosovës. E kjo ishte një hyrje shumë e gjatë për pyetjen tuaj.

KTV: Cila është kërkesa juaj e saktë për taksën?

Ambasadori Kosnett: Ne besojmë se Kosova do të duhej përkohësisht ta pezullojë taksën – për një periudhë të caktuar kohore dhe sinqerisht, kjo do të çonte te pritjet që Beogradi do të ndërmarrë masa konstruktive nga ana e tij. Dhe dua të them – nuk flas për Bashkimin Evropian, por besoj që si SHBA-ja, po ashtu edhe Bashkimi Evropian po angazhohen me Serbinë për tu siguruar se nëse Kosova e ndërmerr këtë hap për ta pezulluar përkohësisht taksën – se Serbia do të reagojë në mënyrë konstruktive. Dhe e them këtë, Xhemajl, sepse procesi i dialogut nuk është vetëm në interes të Kosovës apo të Amerikës. Është edhe në interes të Serbisë. E di historinë e rajonit; e kuptoj tërë ankthin, të gjitha dyshimet për procesin, por ne besojmë se pezullimi i përkohshëm i taksës është hapi i vetëm jetik për ta çuar procesin përpara.

KTV: E reagimi nga kryeministri Haradinaj është se ky është vendim sovran i një vendi sovran. Nuk ka asgjë të bëjë me Shtetet e Bashkuara dhe do ta mbajë atë vendim në fuqi. A keni ndonjë afat kohor sa do ta pritni qeverinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm?

Ambasadori Kosnett: Kryeministri sigurisht që ka të drejtë kur thotë se Kosova është shtet sovran për të marrë vendimet e veta të politikës së jashtme. E respektojmë këtë. Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të pajtohen ose të rreshtohen me të gjitha vendimet që Kosova apo çfarëdo vendimi që ndonjë qeveri tjetër mike i merr. Kjo është normale. Qeveritë mike, vendet mike do të kenë mospajtime për gjëra, por ne do të reagojmë kur këto ndikojnë në interesat tanë. Pra, ne besojmë se paqja, prosperiteti, stabiliteti në rajonin e Ballkanit nuk është çështje vetëm për vendet e rajonit, por ka rëndësi edhe për Shtetet e Bashkuara. Pra, edhe interesat tanë janë në pyetje. Kemi rezistuar që të japim ndonjë afat të fundit kohor sepse nuk po përpiqemi që ta urdhërojmë Qeverinë e Kosovës, por fuqimisht besojmë se heqja – e them sërish, pezullimi i përkohshëm i taksës sa më shpejt që është e mundur, do ta shtyjë këtë proces përpara. Nëse kjo nuk ndodh, mendoj se rrezikojmë ta humbin plotësisht momentumin, që do të ishte shumë e dëmshme për popullin e Kosovës, si dhe për popullin e Serbisë, si dhe për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Pra, shumë gjëra janë në pyetje këtu. Nuk është çështja a ka Kosova apo jo të drejtë për të mbajtur taksën, por se a është ky vendim i mirë për Kosovën, si dhe për Shtetet e Bashkuara.

KTV: Cili është momentumi tash? A beson administrata juaj se marrëveshja është afër siç e thotë presidenti Thaçi?

Ambasadori Kosnett: Po, besojmë. Qeveria amerikane beson se 2019-a është viti kur mund të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Çka nënkuptoj me marrëveshje gjithëpërfshirëse? Një marrëveshje e cila nuk përqendrohet vetëm në atë që dëgjoni tërë kohën për mundësinë për rregullim të kufirit – për mundësinë – por, mendoj në një marrëveshje që i adreson një varg të gjerë gjërash që i kanë ndarë Kosovën dhe Serbinë. Presidenti Trump, siç mund ta dinë shumë shikues tuaj, është angazhuar personalisht në këtë proces. Ai beson se ky është çasti. Kështu beson edhe Bashkimi Evropian. Dhe ne mendojmë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të hapë rrugën për njohje të ndërsjellë për Kosovën dhe Serbinë dhe për pjesëmarrje të plotë të të dy vendeve në sistemin perëndimor. Shumë gjëra janë në pyetje këtu dhe shtyrja nuk do të jetë e leverdishme për askë.

KTV: Çka është e pranueshme për administratën tuaj? A do ti leni të dy vendet që të mirren vesh dhe pastaj ta shqyrtoni atë marrëveshje dhe të shihni a përputhet ajo edhe me interesat tuaj?

Ambasadori Kosnett: Faleminderit. Vazhdimisht e kemi thënë: nuk po përpiqemi që ta shkruajmë skenarin e bisedimeve. Mendojmë se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të hyjnë në negociata me mendje të hapur, që të jenë në gjendje për të gjetur zgjidhje kreative pa kufizime se për çka mund të flasin. E dini, nëse Uashingtoni dhe Brukseli kanë listë të temave për të cilat negociatorët e Kosovës dhe të Serbisë nuk mund të flasin, mendoj se kjo do t’ua bënte punën shumë të vështirë. Si negociator që jam, dëshiroj që të kem mundësinë për të diskutuar për një varg gjërash me njerëzit përballë. E siç e kam thënë edhe më përpara, ne do ta shohim çfarë marrëveshjeje mund të arrijnë qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë që është e pranueshme për popujt e tyre dhe pastaj do ta shohim cili do të jetë reagimi ynë, por në të vërtetë ne duam që të nxisim bisedë për një varg gjërash. Mendoj se kjo është njëra ndër arsyet që jemi të lumtur me procesin e delegacionit shtetëror. Shumë zëra, shumë këndvështrime, me një varg të gjerë të përgjegjësive.

KTV: Pra, nuk ka gjë që s’është në tavolinë, madje edhe rregullimi i kufirit?

Ambasadori Kosnett: Nuk na takon neve që të themi se çka nuk është në tavolinë. Shtetet e Bashkuara vetëm e mbështetin këtë proces të ndërmjetësuar nga BE-ja, por nuk jemi njëra prej palëve. Palët janë Serbia dhe Kosova; iu takon atyre që të vendosin se për çka do të flasin dhe si do të duket marrëveshja e fundit. Do të ishte e papërshtatshme nga ana jonë që të themi se nuk se nuk mund të flisni për A, B dhe C. Do të ishte e papërshtatshme edhe për Bashkimin Evropian që ta thotë të njëjtën gjë.

KTV: Por, jeni të gatshëm, presidenti Trump ka folur për një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, diç si marrëveshje paqe, apo jo?

Ambasadori Kosnett: Ashtu është. Presidenti Trump ka thënë se nëse Serbia dhe Kosova arrijën marrëveshje, me kënaqësi do ta shënonim këtë, të organizojmë një ceremoni për ta festuar atë. Më me rëndësi se sa ceremonia dhe fotografia në Shtëpinë e Bardhë është fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Kosovën dhe Serbinë për të siguruar se kjo marrëveshje njëmend zbatohet dhe që të gjithë i përmbushin premtimet e tyre.

KTV: Kryeministri Haradinaj ju ka dërguar letër, ashtu si edhe ambasadorëve të tjerë, ku ndër të tjera bën thirrje për konferencë ndërkombëtare për Kosovën. A do ta mbështeste administrata juaj një gjë të tillë?

Ambasadori Kosnett: Jo tani. Mendojmë se problemi nuk është te procesi. Procesi i takimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian funksionon plotësisht dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshirë së afërmi në këtë proces pa qenë të ulur në tavolinë. Siç e kanë përmendur disa analistë dhe prijës të Kosovës, ideja për konferencë ndërkombëtare tani hap shumë dyer, hap derën për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës. Do të mund të përfshinte edhe palë tjera, që vetëm se do ta ndërlikonin punën.

KTV: Si Rusia?

Ambasadori Kosnett: Si ajo p.sh. Prandaj, ne mendojmë se procesi i tanishëm po funksionon mjaft mirë. Prijësit e delegacionit shtetëror sapo kanë pasur takim të shkëlqyeshëm në Bruksel me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Ne mendojmë… thjesht duhet ta shtyjmë procesin përpara dhe dëshiroj ta përsëris, sepse e dimë se shikuesit tuaj shqetësohen për këtë, presim që edhe Serbia të veprojë në mënyrë konstruktive dhe ta shtyjë procesin përpara sepse është edhe në interesin e saj.

KTV: Në njërën ndër kumtesat e fundit të ambasadës suaj keni thënë se nuk është e thënë që nuk do të ketë pasoja për mënyrën e veprimeve të veprimet e prijësve të vendit. I përjashtuat sanksionet ekonomike, por a mund të ketë pasoja në marrëdhëniet Kosovë-SHBA? Nëse jo për Kosovën, a mund të ketë për ndonjë individ?

Ambasadori Kosnett: Nuk jam i interesuar që të flas për personalitete individuale. Le të flasim për politikat. Nëse Kosova zhvillon politikë të tillë që e bën të vështirë apo të pamundur për të ecur përpara, për të ndërtuar paqe, prosperitet, drejtësi në Ballkan, atëherë SHBA-ja do të jetë e shqetësuar nga ajo; do të jemi thellësisht të zhgënjyer nga diç e tillë. E përmenda më herët bashkërenditjen e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për zhvillim ekonomik, për siguri… Është e pashmangshme që Shtetet e Bashkuara dhe Kosova duhet të punojnë bashkërisht për ta mbajtur atë marrëdhënie. Është si martesë, duhet ti respektoni nevojat e njëri-tjetrit, këndvështrimin e njëri-tjetrit. Nëse – siç e kanë thënë përnjëmend disa zyrtarë të Kosovës ditëve të fundit – Kosovës nuk i duhet më SHBA-ja… por, unë nuk mendoj se kjo është ajo që mendojnë qytetarët e Kosovës. Mendoj se kosovarët me të vërtetë duan të mbajnë marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Por nëse Kosova vendos që kjo nuk është me rëndësi, e dini… të shohim çka ndodh në të ardhmen.

KTV: Por, kjo nuk është çka disa politikanë thonë, shumica e tyre janë të interesuar për ta mbajtur këtë marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori Kosnett: Absolutisht, mendoj se ka shumë dramë tani. Madje do të shkoja aq larg sa të them se kjo është dramë artificiale, madje edhe krizë artificiale. Ekziston një mënyrë shumë e thjeshtë për të mbajtur marrëdhënien shumë të fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara e ajo është që të sigurohemi se politikat tona mbesin në një vijë. E asgjë nuk ka më shumë rëndësi në këtë kontekst se përpjekja për të kërkuar paqe, prosperitet dhe drejtësi për Kosovën dhe fqinjtë e saj. E heqja e taksës, pezullimi i përkohshëm i taksës, do ta kthejë vëmendjen kah Serbia. Do ti takojë Beogradit që të ndërmarrë hapa konstruktivë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian duke vështruar.

KTV: A do kryeministri Haradinaj diçka në këmbim për ta hequr taksën?

Ambasadori Kosnett: Pikëpamja jonë është se mënyra më efikase për të lëvizur përpara është për ta pezulluar taksën tash dhe pastaj Kosova dhe Serbia – me amerikanët dhe evropianët të përfshirë në biseda – mund të vendosin se cilët janë hapat e ardhshëm. Mund ti kthehemi kësaj rreth e qark, por nuk po ia kërkojmë Kosovës që ta heqë taksën përgjithmonë, po ia kërkojmë ta pezullojë atë përkohësisht. Dhe në fund, nuk kemi kohë që të hyjmë në diskutim të gjatë për ekonomi, por fakti qëndron se taksat kanë ndikim shumë të shkurtë. Ndërmarrjet përshtaten; qeveritë përshtaten; individët përshtaten, prandaj edhe pse e kuptoj ngarkesën emocionale që njerëzit e marrin prej vendosjes së taksës, duhet t’iu përshtateni rrethanave të reja. Prijësit kosovarë janë mjaft të aftë për të demonstruar guxim dhe elasticitet për ta çuar këtë proces përpara dhe mendojmë se kjo është ajo që e meritojnë njerëzit.

KTV: Në fakt, ka mundësi që qeveria të bjerë. A do ti ndërlikonte kjo gjërat për taksën dhe me Serbinë?

Ambasadori Kosnett: Kurrë nuk do të më dëgjoni duke spekuluar se çfarë forme do të duhej të ketë qeveria e Kosovës. Zhvillimi i demokracisë së Kosovës është e arritur e hatashme dhe Shtetet e Bashkuara janë krenare që kemi diçka të bëjmë në këtë. I takon popullit dhe prijësve të Kosovës për të vendosur se si do të duket qeveria; çka do të ndodhë më tej. Nuk do ta luajmë atë lojë; nuk do të shkelim në atë llucë.

KTV: Pyetja e fundit për FSK-në. Thatë se keni ndihmuar dhe qartazi mbështetja juaj ishte vendimtare për votimin në Kuvend. NATO-ja do të vendosë shumë shpejt për angazhimin e saj me FSK-në. Dëshiroj të di se si do të duket angazhimi i SHBA-së me FSK-në në të ardhmen?

Ambasadori Kosnett: Jam i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucionet e zbatimit të ligjit, të sigurisë dhe të drejtësisë. Nuk do të spekuloj rreth mënyrës specifike si do të vazhdohet më tej, por vetëm dua ta ritheksoj se SHBA-ja nuk ka kurrfarë dëshire për ta ndryshuar natyrën e partneritetit të saj me Kosovën. I takon popullit dhe prijësve të Kosovës për të vendosur se çfarë drejtimi duan të marrin.

KTV: Z. Ambasadori Kosnettasador, faleminderit shumë që folët me KTV-në.

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit. Ishte kënaqësi.

(usembassy.gov, 31/01/2019)

comments

SHARE