Kosova s’e mori kodin telefonik +383 as në muajin mars

Në fillim të këtij viti ishte thënë se Kosova më së largu në pjesën e parë të muajit mars do ta marrë kodin e vet telefonik +383. Por as këtë muaj, shteti nuk e mori kodin telefonik, pavarësisht dakordimit dhe marrëveshjes Kosovë-Serbi, të nënshkruar në Bruksel, raporton lajmi.net.

0
358

Edhe më tej tregu i telekomunikimeve vazhdon të mbetet kaotik sa i përket prefikseve të ndryshme që përdoren duke pasur në përdorim kode nga Monako, Sllovenia e Serbia.

Bazuar në deklarimet e para tre muajve të ministres për Dialog, Edita Tahiri, kodi i ri telefonik i Kosovës, do të duhej tashmë t’i ishte ndarë, raporton lajmi.net.

Në janar të këtij viti, Tahiri pati thënë se kodi i ri telefonik, +383, Kosovës do t’i ndahen më së largu në pjesën e parë të muajit mars.

Por një gjë e tillë ende nuk është bërë nga ITU-Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve.

Me marrëveshjen e Brukselit, në emër të Kosovës, në ITU është dashur të aplikojë një vend tjetër i BE-së, punë të cilën e ka kryer Austria. Me 5 janar ishte njoftuar edhe zyrtarisht se shteti austriak e kishte kryer këtë obligim, raporton lajmi.net

Por sot kur është datë 16 mars, edhe më tej Kosova vazhdon të mos e ketë kodin e vet telefonik.

Lajmi.net ka pyetur në ITU për të kuptuar se ku është problem në lidhje me këtë çështje. Në ITU e konfirmojnë se çështja e kodit telefonik të Kosovës ka qenë për disa kohë temë e diskutimeve.

“ITU është duke punuar në këtë çështje dhe do të dalë me njoftim sapo të finalizohet kodi telefonik për Kosovën”, thonë nga zyra për media në ITU, pa dhënë shumë detaje se kur mund të ndodhë kjo.

“Kur kodi telefonik për Kosovën të ndahet, ITU-ja do ta publikojë në buletinin e Zyrës së Standardizimeve”.

Ky buletin publikohet dy herë brenda muajit, në fillim dhe fund të secilit muaj. Aty shënohen të gjitha të rejat që kanë lidhje me vendimet që ndërmerr ITU-ja.

Me 15 mars është publikuar buletini i fundit, por aty nuk figuron asgjë që ka të bëjë me kodin telefonik të Kosovës.

Lajmi.net ka pyetur për këtë çështje edhe ministren për dialog, Edita Tahiri e cila përgjigje ka kthyer nëpërmjet një mesazhi telefonik.

“Do të prononcohem këto ditë për kodin. Po pres përgjigje nga BE-ja për angazhimet që po i bëjnë”, tha ministrja Tahiri për lajmi.net.

Në fillim të vitit, zyrtarët kosovarë patën deklaruar se sipas planit për zbatim, ITU-ja do t’ia alokojë kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016.

Kodi i ri unik +383 i Kosovës do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse.

Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

(lajmi.net, 16/03/2016)

SHARE