Kosova, tokë e pëlleshme për populizëm

Vendimi për taksën ekspozoi mënyrën e tmerrshme përmes së cilës merr vendimet e rëndësishme shtetërore pala kosovare. Deri më tash, ata kanë qenë thuajse tërësisht të nënshtruar ndaj udhëzimeve të faktorit ndërkombëtar, por dalja nga ky nënshtrim po i ekspozon si të padijshëm e skandaloz. Vendimi për taksën ishte i pamenduar, jostrategjik dhe nuk i nënshtrohet kurrfarë vizioni për të çuar diçka përpara.

0
137

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 10% ndaj produkteve të importuara nga Republika e Serbisë. Kjo ishte rrjedhojë e dështimit të radhës për t’u anëtarësuar në Interpol, organizatën e policisë ndërkombëtare. Dhe ky dështim, siç edhe pritej, nuk iu faturua mos-punës Qeverisë por punës ‘destruktive’ të Serbisë. Edhe pse, të gjithë kishin fluturuar drejt Dubait [ku po mbahej konferenca e kësaj organizate], përfshirë presidentin Thaçi, për të rrëmbyer merita për anëtarësimin eventual.

Turpërimi i krerëve institucionalë të Kosovës ishte aq i madh sa kjo u reflektua edhe në raportimin emocional e të pahijshëm të shefit të diplomacisë, Behgjet Pacollit, para komisionit për Punë të Jashtme. Kryediplomati ‘kallëzonte’ përmes një fjalori seksist e racist se si pala serbe kishte arritur ta linte Kosovën pa Interpol duke përdorur ‘çika të bukura’.

Pak ditë më vonë, me frustrimin në rritje për dështimin e tyre, Qeverisë iu tek të rriste taksën ndaj produkteve të importuara nga Serbia prej 10 në 100 për qind. Shumica e njerëzve e mirëpritën një gjë të tillë, duke qenë se kjo dekadë kishte shkuar me përdhosjen e përpjekjeve për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga ana e shtetit serb. Sidoqoftë, doli që Serbia bënte eksport shumë të lartë në vendet e tjera të botës dhe humbjet që do t’iu shkaktonte taksa në Kosovë do të mbeteshin të papërfillshme. Ky shtet eksportonte veç 2% mallra në Kosovë nga eksporti i përgjithshëm. Doli që nuk po e dëmtonim ekonominë serbe aq sa kishim besuar fillimisht.

Vendimi për taksën ekspozoi mënyrën e tmerrshme përmes së cilës merr vendimet e rëndësishme shtetërore pala kosovare. Deri më tash, ata kanë qenë thuajse tërësisht të nënshtruar ndaj udhëzimeve të faktorit ndërkombëtar, por dalja nga ky nënshtrim po i ekspozon si të padijshëm e skandaloz. Vendimi për taksën ishte i pamenduar, jostrategjik dhe nuk i nënshtrohet kurrfarë vizioni për të çuar diçka përpara.

Është një tjetër vendim i marrë nga ndjesi të forta që me shumë gjasë do të zmbrapset në një të ardhme të afërt. Një vendim i ngjashëm ishte edhe ai për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në vitin e kaluar. Një tjetër ishte vendimi për të themeluar Ushtrinë e Kosovës. Pastaj, për të çelur universitete në çdo qytet të vendit pavarësisht mungesës së kuadrove akademike. Në fakt, çdo vendim i marrë nga qeveritarët tanë nuk del të jetë aspak strategjik dhe që përkon me ndonjë vizion të caktuar zhvillimor.

Pozita e vështirë në rrafshin ndërkombëtar më në fund po e nxjerr Kosovën nga nënshtrueshmëria jokritike ndaj aleatëve ndërkombëtar. Imagjinoni, presidenti Thaçi ishte i zoti të promovonte një ide që nuk e kishte origjinën te ndonjë vend aleat. Nejse, ishte ide e akademikëve serbë, por të paktën nuk e kishte origjinën te ndonjë vend aleat. Pra, Kosova kishte dalë nga ajo nënshtrueshmëri jokritike ndaj aleatëve ndërkombëtar por… duke shkuar drejt një mosnënshtrueshmërie po aq jokritike që mund të sjellë pasoja të pariparueshme për pavarësinë e vendit.

Dalja jokritike nga nënshtrueshmëria ndaj aleatëve të Kosovës nuk është një fenomen i veçuar ndërkombëtar. Belbëzimet e Ramush Haradinajt në takim me Johannes Hahnin dhe Federica Mogherinin janë belbëzime të një diskursi të shtypur shtetndërtues që i është pamundësuar politikës sonë qe një dekadë. Por, belbëzimet e Haradinajt shpejt mund të bëhen edhe më populiste se kaq, dhe mund të mos përmbahen vetëm në gojën e tij por të futen edhe në gojët e liderëve tjerë, dhe kësisoji ta bëjnë vendin të shënojë hapa të mëdhenj regresi.

Duke qenë një vend tepër i paarsimuar, Kosova përbën një vend mjaft të pëlleshëm për populizmin! Dhe po ashtu, rrethanat në të cilat shumë parti politike janë krejt boshe ideologjikisht, shqetësimi del të jetë shumë serioz!

comments

SHARE