Krimet e urrejtjes – histori e shëmtuar e patreguar

Qendra për Paqë dhe Tolerancë u ka rekomanduar aktorëve ndërkombëtarë (OSBE-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it) që t’i publikojnë të dhënat për incidentet me motive etnike dhe të mobilizojnë publikun, politikëbërësit, gjyqësorin dhe vet ndërkombëtarët që të zhvillojnë një strategji gjithpërfshirëse për parandalimin e tyre.

0
1437

Qendra për Paqë dhe Tolerancë u ka rekomanduar aktorëve ndërkombëtarë (OSBE-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it) që t’i publikojnë të dhënat për incidentet me motive etnike dhe të mobilizojnë publikun, politikëbërësit, gjyqësorin dhe vet ndërkombëtarët që të zhvillojnë një strategji gjithpërfshirëse për parandalimin e tyre.

Kosova ka dështuar në adresimin e krimeve të urrejtjes që kanë në shënjestër anëtarë të grupeve të cenuara është thënë gjatë prezentimit të analizës së politikave “Incidentet me motive të mundshme etnike në Kosovë – një histori e shëmtuar që nuk është treguar kurrë”, përgatitur nga Qendra për Paqë dhe Tolerancë (CPT), një organizatë joqeveritare me seli në Graçanicë.

Autori i kësaj analize, Nenad Maksimović ka theksuar se “policia ka dështuar të parandalojë krimet me motive etnike, gjyqësori t’i dënojë kryerësit e këtyre krimeve, shoqëria civile ka dështuar të ngrejë zërin për këtë cështje, mediat të sjellin raporte hulumtuese dhe rrëfimet e njerëzve që kanë qenë viktima të këtyre rasteve, qeveria ka dështuar që të themelojë një sistem për mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, ndërsa inctitucionet ndërkombëtare kanë dështuar për të monitoruar incidentet me motive etnike dhe për t’i vënë në dispozicion të publikut bazat e të dhënave me numrin, llojin dhe vendndodhjen e incidenteve me motive etnike.”

Siç tregon edhe hulumtimi i bërë nga Qendra për Paqë dhe Tolerancë, në Kosovë mungojnë statistika të sakta për numrin e incidenteve me motive të mundshme etnike. Drejtori i kësaj organizate, që është edhe autor i hulumtimit, thotë se për shkak të natyrës së ndjeshme, organizatat ndërkombëtare si EULEX-i, OSBE-ja dhe UNMIK-u nuk i ndajnë me publikun informacionet për këto raste. Për më tepër, statistikat e raportuara nga këto organizata, janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Sipas Maksimović-it, ekziston tendenca e zvogëlimit të numrit të krimeve të raportuara. Krimet e urrejtjes, siç thotë ai, nuk drejtohen vetëm kundër një individi, por i dërgojnë porosi tërë komunitetit. Ato janë barrë për integrimin e serbëve dhe ndërtimin e besimit tek institucionet e Kosovës. “Ndjenja e të qenit në rrezik është e pranishme në mesin e komuniteteve pakicë”, thekson autori i kësaj analize.

Një raport nga organizata joqeveritare “Qendra Humane” i publikuar në maj të vitit 2016 tregon se 77.7% e serbëve vlerëson gjendjen e sigurisë si të keqe, ose shumë të keqe. Këto rezultate janë të ngjashme me ato që kanë bërë dy organizatat joqeveritare, CPT dhe AKTIV, në katër komuna në veri, ku nga 800 të anketuar vetëm 14.1% e vlerësuan situatën aktuale të sigurisë në Kosovë si të mirë.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanović tha se tani është koha që shqiptarët dhe serbët të shkëputen nga marrëdhëniet e dashurisë dhe urrejtjes, e të fillojnë të respektojnë njëri-tjetrin. Sipas tij, ndjenja e frikës që është prezente te komuniteti serb po ndikon që serbët të ikin nga Kosova.

“Serbët sot janë të rrezikuar, serbët po zhduken nga Kosova, e ky nuk është problem vetëm për serbët. Nëse e lejoni urrejtjen që të mbijetojë ende, do t’i jepni mundësi asaj që të kryejë krime edhe më tutje”, tha Stojanović gjatë publikimit të analizës së politikave për krimet me motive etnike, ku shumica e pjesëmarrësve ishin përfaqësuesë të shoqërisë civile.

Sipas folësve në këtë diskutim, kohëve të fundit është vërejtur se vjedhja dhe dëmtimet e pronave janë raportuar si llojet më të shpeshta të incidenteve, ndërsa ato që përfshijnë direkt individët kanë shënuar rënie. U theksua në veçanti dëmtimi i pronave të serbëve të sapokthyer “në tentim për t’i frikësuar ata që të qëndrojnë në Kosovë, teksa u janë nënshtruar edhe presioneve për t’ua shitur shqiptarëve pronat e tyre me çmime të lira”. Si një shembull konkret u përmend rasti i familjes Stojković në fshatin Parallovë në komunën e Novobërdës, e cila e ka denoncuar në polici 17 herë familjen Ibishi për keqtrajtim. Por kolonel Fahredin Vërbovci nga Policia e Kosovës ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë me urrejtje, por me probleme pronësore ndërmjet dy familjeve të armiqësuara. Ai përkujtoi se edhe në të kaluarën ka pasur raste kur një incident është cilësuar me motive etnike, por më vonë gjatë hetimeve ka rezultuar se vjedhjet apo dëmtimet tjera të pronave të serbëve janë bërë për përfitime materiale, e jo për qëllime etnike.

Në analizën e politikave “Incidentet me motive të mundshme etnike në Kosovë – një histori e shëmtuar që nuk është treguar kurrë”, thuhet se për dallim nga interpretimet e njohura që Mitrovica dhe veriu i Kosovës janë pikë e nxehtë e tensioneve ndëretnike, të dhënat tregojnë se rajoni me pjesën më të vogël të popullsisë pakicë dhe numrin më të madh të të kthyerve, Peja, ka numrin më të madh të incidenteve që kanë në shënjestër pakicat. Në veçanti komuniteti i të kthyerve në komunat Klinë dhe Istog është i cënuar nga incidentet e krimit të urrejtjes.

Kosova ka një kornizë të shëndoshë ligjore dhe institucionale në fushën e sigurisë së komuniteteve, por ka telashe në zbatimin e saj, u tha në prezentimin e analizës mbi incidentet me motive të mundshme etnike. Kritikat kryesore në diskutim për gjendjen aktuale iu drejtuan gjyqësorit të Kosovës, për siç u tha “mungesë efikasiteti për dënimin e kryerësve të krimeve me motive etnike”. Por zëvendëskryeministri Stojanović, tha se nga përgjegjësia për këtë situatë nuk mund të zhvishet as shoqëria. Të gjithë, sipas tij, duhet ta marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë.

Qendra për Paqë dhe Tolerancë u ka rekomanduar aktorëve ndërkombëtarë (OSBE-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it) që t’i publikojnë të dhënat për incidentet me motive etnike dhe të mobilizojnë publikun, politikëbërësit, gjyqësorin dhe vet ndërkombëtarët që të zhvillojnë një strategji gjithpërfshirëse për parandalimin e tyre. Policisë së Kosovës i është rekomanduar që të sigurohet që të gjithë zyrtarët e saj e kuptojne mirë legjislacioin ekzistues të krimit të urrejtjes në Kosovë dhe që këto krime të hetohen dhe të regjistrohen si të tilla. Nga qeveria kërkohet që të formojë një njësi të posaçme hetimore me Policinë e Kosovës që do të merret me sulme të motivuara etnikisht, ndërsa prokuroria dhe gjykatat të reagojnë me shpejtësi në raste të tilla. Nga organizatat e shoqërisë civile kërkohet të angazhohen më drejtpërdrejt në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe të autoriteteve për rëndësinë e luftës kundër krimeve të urrejtjes, meqë siç thuhet, ato kanë tendencë të rriten.