Krimi e dënimi

Krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës dhe në veri pas luftës do të duhej të ballafaqoheshin me ligjin, e të gjithë njerëzit me ndikim do të duhej të ndikonin në këtë në qoftë se i dëshirojnë të mirën popullit në Kosovë. Në të kundërtën, tabloja e Kosovës nuk do të jetë e njëjtë; pasiguria, privilegjet, padrejtësia do të shkaktonin pasoja të mëdha, do ta mposhtin këtë popull edhe ashtu tashmë të përvuajtur.

0
1014

“Atij që ligjin e ka në topuz, gjurmët i kutërbojnë çnjerëzi“ ka thënë kaherë Petar Petrović Njegoš. Ka ardhur koha që këto gjurmë të çnjerëzisë të dalin në dritë të ditës, në të vërtetë që gjykatat të fillojnë të marrin drejtësinë në duart e veta. Është koha e fundit që edhe në Kosovë drejtësia të marrë fytyrë tjetër. 

Para pak kohe në Mitrovicë filluan punën Gjykata Themelore dhe njësiti i Gjykatës së Apelit, të dakorduara me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, kështu që kjo do të duhej të nënkuptonte zhdukje të boshllëkut ligjor në veri të Kosovës. Ndoshta! „De facto“ pas 18 viteve po fillon të zbatohet ligji në veri të Kosovës, e kjo do të duhej të nënkuptonte që  deri diku përmes punës së këtij institucioni, do të jetohet më mirë dhe më sigurt. Porse, disi nuk jam gjithaq i sigurt, nuk kam besim, e si të kem kur po e shoh me vite të tëra se si po funksionon ky popull. Çdo gjë është aq e lëmuar, ekziston hierarkia, kurse për frikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë integruar të mos flitet. Puna e tyre nuk do të jetë aspak e lehtë. 

Nga ana tjetër, mediat në Prishtinë transmetuan lajmin që po fillon punën edhe Gjykata Speciale, kurse arrestimet e para priten menjëherë pas festave të vitit të ri. Presion në Prishtinë rreth formimit të Gjykatës Speciale; madje është dorëzuar edhe peticion që të shfuqizohet ligji për themelimin e kësaj gjykate. Supozoj që këtë peticion e kanë inicuar disa zyrtarë të lartë shtetëror, të cilët do të mund të gjendeshin midis të akuzuarve, kurse veteranët e luftës janë vetëm organizatorë fiktiv që qëndrojnë prapa këtij peticioni. Mirëpo, u dëgjua edhe zëri i ambasadorëve të fuqive të mëdha, Britanisë së Madhe dhe Amerikës, të cilët theksuan se mund të paraqiten probleme nëse shfuqizohet ligji për formimin e Gjykatës Speciale, madje që vendet perëndimore do të tërheqin vendimin për njohjen e Kosovës, gjë të cilën e konfirmoi edhe deputeti i Kosovës Milaim Zeka në një rrjet social. Zeka shkroi: “Kosova ndodhet perpara nje vullkani historik. Kosova ndodhet para nje humbjeje historike. Sonte po ju percjell vetem nje mesazh te ambasadorit britanez i cili me tha ne Kuvendin e Kosoves se: Shfuqizimi i ligjit per Gjykaten Speciale do te perkthehet ne detyrim te vendeve perendimore per terheqjen e njohjes se pavaresise se Kosoves si dhe largim te forcave te KFOR-it nga Kosova”. Kjo disi duket inkurajuese. 

Situatë interesante, a do të zbardhen krimet, a do të fshihet e kaluara apo megjithatë  „demokracia“ nga perëndimi do të ndikojë që një gjë e tillë të mos ndodhë? A do ta presin dënimin kriminelët në Kosovë?  Thënë sinqerisht e gjithë kjo mua më duket aq qesharake, sikur një shfaqje për fëmijë. Njerëzit që kanë kryer krime përpiqen që të shmangin drejtësinë. Presin që dikush ta lejojë këtë, presin që të kalojnë pa u dënuar, sikur Raskolnikovi (Krimi e Dënimi, Dostojevski) që u përpoq që krimin e tij ta arsyetojë në baza etike. 

Krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës dhe në veri pas luftës do të duhej të ballafaqoheshin me ligjin, e të gjithë njerëzit me ndikim do të duhej të ndikonin në këtë në qoftë se i dëshirojnë të mirën popullit në Kosovë. Në të kundërtën, tabloja e Kosovës nuk do të jetë e njëjtë;  pasiguria, privilegjet, padrejtësia do të shkaktonin pasoja të mëdha, do ta mposhtin këtë popull edhe ashtu tashmë të përvuajtur.