‘Kriza humanitare’ në media

0
162

Në fillim të muajit, më 1 e 2 korrik, dyqanet ushqimore dhe kiosqet në veri të Kosovës u mbyllën në shenjë proteste ndaj taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Në shenjë solidarizimi, nuk punuan as kafiteritë, pompat e derivateve, barnatoret e taksitë.

Një përfaqësues i Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës tha se shitoret u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga Kosova veriore për t’u marrë me aktivitetet e tyre.  “Mungesa është vërejtur gjatë shtatë muajve të fundit, por sot ka ndodhur kolaps i plotë, të gjitha shitoret janë mbyllur, edhe ato ushqimore, dhe në shenjë solidariteti janë mbyllur edhe të gjitha shitoret tjera”, i tha Radosh Petroviq Radios Evropa e Lirë.

Mediat në Kosovë paralajmëruan mbi këtë veprim disa ditë para se të zbatohej.

Agjencia e lajmeve, KosovaPress, duke iu referuar burimeve të veta, njoftoi se një plan për ‘katastrofë humanitare’ në veri ishte hartuar në një takim urgjent që ishte mbajtur më 19 qershor në hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës, ku kishin marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të shquar të asaj pjese, përfaqësuesë ilegalë të institucioneve dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi. “Nga depotë dhe dyqanet në veri tashmë veç ka filluar largimi dalë ngadalë i artikujve ushqimorë elementarë, në mënyrë që prej ditës së hënë të mos mbetet asgjë. Të hënën do të ftohen të gjitha mediat edhe nga Serbia dhe do të pasqyrohet gjendje katastrofe për qytetarët në atë pjesë të Kosovës”, citonte KosovaPress burimet e saj.

Në javën e fundit të qershorit, mediat raportuan për një dokument që po qarkullonte në komunat veriore, në të cilin bëhej apel tek qytetarët atje që përkundër mungesave të artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga jugu dhe nga shqiptarët.

Në përgjigje ndaj mbylljes së dyqaneve në veri të Mitrovicës, siç raportuan mediat, Qeveria e Kosovës kishte dërguar disa kamionë me produkte elementare, për t’i përdorur si pika shitëse për qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Megjithatë, sipas mediave, interesimi i qytetarëve serbë për të blerë në këto pika ishte shumë i ulët.

Dyqanet dhe lokalet e tjera afariste, në veriun e Kosovës u rihapën në ditën e tretë. Në një njoftim të shoqatës së afaristëve serbë, që u përcoll nga mediat, thuhet se “protesta paralajmëruese dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve në veriun e Kosovës. Dëshmuam fuqinë dhe bashkimin që nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllojnë dhe të sulmojnë ata që bëjnë furnizimin me mallra jetike” dhe theksohet se çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të përballet me përgjigje edhe më të fuqishme.

Autoritetet kosovare dhe ato serbe mbi ‘krizën humanitare’ në veri

Mediat përcollën ndërkohë edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndaj paralajmërimit për ‘krizë humanitare’ në veri kishte njoftuar që Kosova kishte njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekje për të improvizuar një “krizë humanitare”.

“Edhe tani, ne jemi në dijeni, tash e dy-tri javë më parë, për një plan të tillë, të improvizimit të një krize humanitare, duke i bartur produktet e caktuara nëpër shtëpi dhe nëpër objekte tjera. Kemi edhe prova të një skenari të tillë dhe njerëzit e përfshirë. Ne nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt, pasi që ata janë qytetarë të Kosovës. por, po ashtu, do t’i dekonspirojmë projektet e tilla, që janë të çuditshme, që nuk i takojnë më këtij shekulli”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, i akuzoi autoritetet në Kosovë se kishin krijuar “atmosferë të pamundshme” në të cilën, siç tha ai për TV Pink, “arrestojnë, madje dhe shtënë me armë ndaj njerëzve që organizojnë furnizimin e veriut të Kosovës me artikujt bazë për jetesë”.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, deklaroi se Qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në pushtetin e saj, për të “siguruar që mallrat nga Serbia qendrore të arrijnë te të gjithë njerëzit në Kosovë”. Ajo tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të fillojë t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe se përveç thirrjes për heqjen e taksës, të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić ka deklaruar se Beogradi do të bëjë çmos që të ndihmojë, siç ka thënë ai, popullatën serbe në veri të Kosovës. “Nuk do të lejojmë që populli ynë të vdes nga uria edhe pse këtë shumëkush do ta dëshironte”, ka thënë Vučić. Në një deklaratë tjetër, siç përcolli Kurir, presidenti Vučić e ka konsideruar taksën 100% dhe hapjen e pikave shitëse në Veri nga Qeveria e Kosovës, si objektiv të kësaj të fundit për ta marrë Veriun. “Objektivi kryesor i këtyre masave të Prishtinës, është ta marrë veriun e Kosovës, dhe të dëbojë popullsinë serbe” nga Kosova, ka deklaruar Vučić.

Ndërkaq, mediat raportuan se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mohuar të ketë krizë humanitare në veri. “Krizë humanitare në Kosovë nuk ka. Është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike ta njohë realitetin që është në veri dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar.” ka deklaruar Thaçi.

Se çfarë mendojnë disa prej qytetarëve të veriut të Kosovës për gjendjen e krijuar në këtë pjesë të vendit këto ditë, më shumë mund të lexoni në bllogjet e botuara në New Perspektiva: Katastrofë humanitare apo spin medial?, Luftë propagandistike, Vite krize, Kush po e pengon lirinë ekonomike në veri të Kosovës?.

SHARE