Kryeministri Kurti zhvillon bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell

0
364

Sot pasdite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, pati një bisedë gjysëmorëshe telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme dhe zëvendës Kryetarin e Komisionit Evropian, z. Josep Borrell.

U diskutua më së shumti për masat dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, për angazhimin e palodhshëm të gjithë administratës publike dhe për nevojën për përkrahje e ndihmë nga BE-ja.

Në temën e dialogut të ardhshëm me Serbinë, Kryeministri Kurti e njoftoi z. Borrell me përgatitjet e tij, duke theksuar dy ekipet e dialogut të Kosovës: njëri politik-përfaqësues kurse tjetri këshillues-profesional.

Ekipi i parë do të kryesohej nga Kryeministri dhe do të përbëhej nga 10 anëtarë gjithsej: Kryeministri, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, dhe, nga një anëtar i secilës parti parlamentare: LVV, LDK, PDK, AAK-PSD, LS, Nisma-AKR dhe Grupi 6+.

Z. Borrell e mirëpriti këtë ide dhe format të Kryeministrit. Për ekipin tjetër këshillues-profesional ku do të jenë ekspertë të fushave të ndryshme, Kryeministri Kurti do të vendosë së shpejti.

(kryeministri-ks.net, 18/03/2020)