Kthimi në të ardhmen

Kthimi i të zhvendosurve të luftës në shtëpitë e tyre në Kosovë deri tani ka shkuar me ritëm tepër të ngadaltë. Në vend se t’a trajtonte si një çështje humanitare, për vite me rradhë, Beogradi e ka politizuar këtë proces. Si në kohën kur vendi administrohej nga misioni i OKB-së, e aq më pak tani që kthimi është kompetencë e qeverisë së Kosovës, autoritetet serbe nuk janë treguar bashkëpunuese për t’i ndihmuar ata që ikën nga Kosova në Serbi të kthehen në shtëpitë e veta.

0
672

Ndonëse asnjëherë nuk është bërë verifikimi i numrit të të zhvendosurve, statistikat e UNHCR-së flasin për rreth 200 mijë persona të të gjitha komuniteteve, shumica prej të cilëve serbë, që u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë apo pas luftës në Kosovë. Një numri të madh të atyre që nuk janë kthyer u janë uzurpuar pronat apo edhe u janë shkatërruar. Disa familje serbe kanë shitur pronat në të cilat kanë jetuar para luftës dhe kanë rindërtuar jetën gjetiu, kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi, duke i shkëputur lidhjet me vendin e tyre të origjinës. Ngjashëm ka ndodhur edhe me disa familje shqiptare që kanë shitur pronat e tyre në veri të Mitrovicës në pamundësi për t’u kthyer atje. Besohet se vetëm rreth 20 mijë persona të zhvendosur janë kthyer deri tani në Kosovë.

Negociimi me banorët lokalë e ka bërë procesin e kthimit edhe më të ngadalshëm. Ministria për Kthim dhe Komunitete ka vendosur një praktikë të pazakonshme, atë të marrjes së pëlqimit të banorëve të lagjes për kthimin e fqinjëve të tyre. Për autoritetet e Prishtinës, kjo po bëhet për të siguruar kthimin e qëndrueshëm, në mënyrë që të kthyerit të mos kenë pastaj probleme me fqinjët. Për organizatat që merren me të drejtat e njeriut, e drejta e kthimit është e panegociueshme dhe askush tjetër nuk duhet të pyetet për këtë çështje fundamentale.

Kthimi i të zhvendosurve do të vazhdojë të jetë peng edhe i mosndëshkimit të kryerësve të krimeve të luftës dhe situatës së rëndë ekonomike në Kosovë. Në vendin me rreth 40 përqind të popullsisë së papunë, vështirë se një serb do të mund të punësohej në një biznes familjar shqiptar.

Çështja e kthimit është diskutuar edhe në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, është koha e fundit që të dyja vendet të angazhohen më seriozisht për të përshpejtuar kthimin e të gjithë atyre që duan të kthehen. Kosova dhe Serbia nuk mund të shohin të ardhmen e tyre në BE nëse nuk ua realizojnë qytetarëve të tyre të drejtën elementare për të jetuar në pronat e veta. Kjo nuk ka alternativë!

SHARE