Kthimi si hap kah normalizimi

Zyrtarë të lartë të Prishtinës, Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit pak ditë më parë bënë thirrje për përkushtim të shtuar politik dhe më shumë përpjekje për të adresuar nevojat e personave të zhvendosur nga Kosova.

0
466

Zyrtarë të lartë të Prishtinës, Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit pak ditë më parë bënë thirrje për përkushtim të shtuar politik dhe më shumë përpjekje për të adresuar nevojat e personave të zhvendosur nga Kosova.

Ata u mblodhën në një konferencë të organizuar nga OSBE-ja në Shkup, ku u vendos për themelimin e një forumi të nivelit të lartë për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur. Ky mekanizëm, siç u tha, do të takohet në mënyrë periodike për të ofruar udhëzime shtesë dhe përkrahje politike.

Se sa funksional dhe i dobishëm do të jetë ky forum për të thelluar bashkëpunimin ndërqeveritar për njërin nga segmentet thelbësore të të drejtave të njeriut, të drejtën për t’u kthyer dhe jetuar i lirë në pronën tënde, mbetet të shihet. Por praktika e deritanishme e bashkëpunimit rajonal në çështjen e kthimit të të zhvendosurve lë shumë për të dëshiruar.

Sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, secili ka të drejtë të lëvizë lirshëm dhe të banojë në kufijtë e një shteti. Poashtu deklarata specifikon se secili ka të drejtë t’a lëshojë çdo shtet, duke përfshirë shtetin e vet, por edhe të kthehet në vendin e vet. E në rastin e Kosovës, kthimi i të zhvendosurve është përdorur shumë herë si kartë politike nga Beogradi dhe Prishtina. Kjo e fundit e ka kritikuar Beogradin se nuk po bashkëpunon në këtë drejtim dhe për më tepër, me retorikë të zjarrtë po i dekurajon serbët që të kthehën në Kosovë, përderisa Beogradi ka kritikuar Prishtinën se nuk po krijon kushte për kthimin e të zhvendosurve, duke shprehur shqetësim në radhë të parë për sigurinë e të kthyerve.

T’a politizosh një çështje fundamentale siç është kthimi, jo vetëm që nuk është e drejtë as politikisht, as moralisht, por nuk është as e dobishme për asnjërën palë. Retorika e tillë mund të shërbejë për konsum të brendshëm, por nëse Serbia aspiron t’i bashkohet një ditë familjes evropiane, ajo duhet t’a kuptojë që këtë nuk mund ta bëjë pa bashkëpunuar me fqinjët e saj, pra edhe me Kosovën. Në vend të dekurajimit, zyrtarët serbë duhet të kenë guxim t’u thonë të zhvendosurve që gjenden në territorin e Serbisë se ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë, ata mund dhe duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Sa më parë që ta bëjnë këtë, aq më mirë. E në anën tjetër, autoritetet qendrore dhe lokale në Prishtinë duhet të punojnë më shumë me komunitetin pritës, duke i përgatitur ata që të pranojnë të bashkëjetojnë në paqë më fqinjët e tyre të dikurshëm serbë.

Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, lajmet se një familje serbe e kthyer është sulmuar fizikisht, apo se i është plaçkitur e dëmtuar prona, nuk do të duhej të zinin vend në mediat tona, ndërsa autoritetet do të duhej të bënin çmos që t’i kapin autorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë. Poashtu kthimi i të zhvendosurve nuk do të duhej të lidhej me dënimin e kryerësve të krimeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, siç është bërë shpesh deri tani. Kjo trashëgimi e hidhur e luftës, ka lënë pasoja afatgjata tek të zhvendosurit që nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kthimi i suksesshëm i të zhvendosurve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, do të ishte një hap i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe realizimit gradual të synimeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

SHARE