Kufijtë dhe arti

Vitin e kaluar, policët kufitar serbë nuk lejuan hyrjen në Serbi të disa fotografive të Eliza Hoxhës dhe katalogun e ekspozitës së saj për festivalin “Mirëdita, Dobar dan” vetëm e vetëm se në to gjendej flamuri i Kosovës, ai i Shqipërisë, dhe diku shihej se shkruante“UÇK’. A do të përsëritet diçka e tillë edhe këtë vit?

0
30

Fundmaji i këtij viti do t’i gjejë artistët kosovarë në një dilemë të madhe, e që kolegët e tyre nuk e kanë në asnjë vend të botës. Krejt kjo, nxitur nga një ngjarje e çuditshme e vitit të shkuar.

Ishte pikërisht kjo kohë e vitit 2018 kur ngjarja që u cilësua e çuditshme më lart, la të shokuar artistët dhe gazetarët shqiptarë që ishin nisur drejt Beogradit për t’u marrë me art. Eh po, kujt i shkon në mendje që edhe arti ka kufij?

Në të vërtetë, arti ishte më i kufizuar sesa lëvizjet e personave që ishin në një autobus që po udhëtonte nga kryeqyteti kosovar drejt atij serb për të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.

Policët kufitarë serbë kontrolluan një nga një artistët e gazetarët e Kosovës dhe kjo u bë, jo për të kërkuar ndonjë mjet të paligjshëm, por diçka që në shumicën absolute të vendeve të botës quhet art.

Këta policë nuk lejuan hyrjen në Serbi të disa fotografive të Eliza Hoxhës dhe katalogun e ekspozitës së saj, vetëm e vetëm se në to gjendej flamuri i Kosovës, ai i Shqipërisë, dhe diku shihej se shkruante “UÇK’. Kufiri për artin tani ishte më i çeliktë sesa për njerëzit.

Këto veprime sollën reagimin e krerëve shtetërorë të Kosovës, Thaçi, Haradinaj e Veseli. I pari tha se me këto sjellje janë kundër frymës së bashkëpunimit, ndërkaq i dyti potencoi se me to po rrënohet edhe ajo pak mundësi për komunikim normal. Veseli, po ashtu, theksonte se Serbia ende po ka frikë nga arti dhe e vërteta.

I zëshëm u tregua edhe bashkorganizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi, i cili vinte theksin tek marrëveshjet e arritura mes të dyja vendeve në Bruksel, për të cilat ai thoshte se nuk vlejnë asgjë kur përballet me këso barrierash.

E të vetmit që nuk flisnin ishin krerët serbë. As presidenti Aleksandar Vučić, as kryeministrja Ana Brnabić, e madje as Marko Djurić, nuk e thanë asnjë fjalë. Kështu, lanë të kuptohet se një sjellje e tillë e Serbisë, qoftë edhe ndaj artit, konsiderohet normale në Beograd.

Por, nuk duhet harruar se një zë dëgjohej në kryeqytetin serb ato ditë. Ishte një protestë, e cila po ashtu pozicionohej kundër artit dhe përfaqësuesve të tij nga Kosova, ani pse qëllimi i mbajtjes së këtij festivali është normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Tani, pak ditë para se të merret rrugë sërish për në Beograd, bashkë me mua si një prej udhëtarëve, do të duhet më shumë kujdes nga ajo çfarë përfaqësohemi. Sidomos artistët, duhet ta kenë parasysh që në Merdare nuk është kufi vetëm për njerëzit dhe mallrat, por dhe për artin.

Por, si një optimist i pashërueshëm, ani pse treguesit e vitit të kaluar nuk lënë shumë vend për shpresë, unë dua të besoj që autoritetet serbe kanë marrë mësim nga viti i kaluar. Ta shohim…

SHARE