Kujdes kur flitet për incidente

Nëse përpjekja për të shmangur dhunën është e sinqertë, atëherë ligjërimi mbi incidentet e mbi viktimat duhet të jetë i kujdesshëm. Janë pikërisht viktimat që u përdorën vazhdimisht nga nacionalizmi serb e shqiptar që legjitimuan urrejtjen ndër-etnike.

0
208

Për fat të keq, nuk duket se kryeministri Albin Kurti do ta realizojë premtimin e tij për dialogun e brendshëm me serbët e Kosovës. Për fat të keq, nuk duket as që ekziston hapësira për diçka të tillë. E derisa dialogu vazhdon të jetë mungues – dhe shqiptarët me serbët e Kosovës të mos flasin mes vete – mund ta marrin fjalën incidentet. Dhe natyrisht, interpretimet që u japin gojë atyre incidenteve.

E lexova me kujdes një shkrim të Milenko Todorović-it në New Perspektivë të titulluar “Rini kokëkrisur”. Në atë shkrim paraqiteshin disa raste të incidenteve ‘ndër-etnike’ që kanë ndodhur në muajt e fundit në vend. Të gjitha këto raste e kishin një të përbashkët interesante: viktima ishin serbët dhe sulmues ishin shqiptarët.

Ja çka thotë autori në rreshtat e parë të tekstit të tij:

“Sulmet e shpeshta të shqiptarëve ndaj serbëve kohëve të fundit po e komplikojnë situatën edhe ashtu të rëndë dhe raportin mes këtyre dy komuniteteve në Kosovë. Një pjesë e popullatës serbe i duron shkeljet, rrahjet, kërcënimet edhe tani njëzet vite pas luftës…”

Këto dy fjali përngjajnë me përshkrime betejash nga librat e historisë së shekujve të kaluar. Natyrisht, është fjala për libra historie të shkruara nën diktatin e rëndë primitiv nacionalist të serbëve e të shqiptarëve. Pra, fjalitë na thonë se kemi sulme më të shpeshta shqiptare por edhe durim serb, një durim që duket madje edhe i qortueshëm sipas autorit.

Sidoqoftë, nëse kalojmë përtej kësaj fjalie nxitëse kalojmë në atë që do të duhej të ishte thelbi mos-lejues i saj (fjalisë). Autori i lë fajin “rinisë kokëkrisur” duke e bërë për rrjedhë depolitizimin e gjithë çështjes. Pra, kemi të bëjmë me incidente e jo me dhunë të organizuar. Kemi të bëjmë me evente jodomethënëse, pa gojë, ashtu siç i sheh edhe rrënja e kësaj fjale (lat: incadere). 

“Nuk paraqet problem ardhja e shqiptarëve në veri të Kosovës, sepse shumë shqiptarë punojnë në veri, tregtia zhvillohet në mënyrë plotësisht normale. Problem janë kryesisht të rinjtë të cilët duan sfida, djem të paarsimuar të cilët i dëshmohen dikujt, të gatshëm për incidente, vënë baste, mburren nëpër rrjete sociale se si janë të guximshëm, trima, të krisur.” – thotë ai.

Pajtohem plotësisht. Kjo na flet për neglizhencën dhe pandjeshmërinë e turpshme të forcave të rendit ndaj këtyre incidenteve. Na flet edhe për politikën e butë ndëshkimore. Duket sikur Kosova të ishte ndonjë vend perëndimor që ka harruar krejtësisht rëndesën e madhe të së kaluarës; që ka harruar se luftërat e fundit u nisën pikërisht përmes incidentesh, eventesh pa gojë, që kur u interpretuan në formën si u interpretuan, kur e morën gojën, edhe provokuan dhunë. Sepse goja qëlloi të ishte gojë e ndyrë fashiste. 

Megjithatë, ajo me të cilën nuk pajtohem (përtej fjalisë së parë) është mos-denoncimi i narrativave dominuese politike në Kosovë e në Serbi. Fajësia për rastet e shkrimit të Todorović-it duket se është e vendosur në njerëz të papolitizuar (të cilët quhen kokë-krisur e të paarsimuar). Mirëpo, këta njerëz janë të papolitizuar, e pra kokë-krisur e të pa-arsimuar, vetëm deri në çastin kur mendohet edhe etnia e tyre shqiptare. Kjo i jep papolitizimit një karakter përkohësie. Ata janë kokë-krisur e të pa-arsimuar, aktet e tyre nuk kanë domethënie dhe nuk janë të nxitura nga forca të caktuara politike, por kjo kokë-krisje menjëherë bie në ujë sapo ata mendohen nëpër fjali si shqiptarë. Menjëherë ata bëhen shqiptarët e fjalisë së parë që nis me “Sulmet e shpeshta të shqiptarëve ndaj serbëve…”

Prandaj, në shkrimin “Rini kokëkrisur” nuk zë vend asnjë incident i vetëm i ndonjë serbi kokë-krisur. Ta zëmë, mungon kokë-krisja e të rinjve serbë që e rrahën brutalisht në Graçanicë djalin e Nenad Rašić-it – politikanit lojal ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo më lë të kuptoj se titulli i përshtatshëm në përputhje me përmbajtjen e shkrimit do të duhej të ishte “Rini shqiptare kokë-krisur”. Titull që ndjell urrejtje, apo jo?

Nëse përpjekja për të shmangur dhunën është e sinqertë, atëherë ligjërimi mbi incidentet e mbi viktimat duhet të jetë i kujdesshëm. Janë pikërisht viktimat që u përdorën vazhdimisht nga nacionalizmi serb e shqiptar që legjitimuan urrejtjen ndër-etnike.

Shënim: Titulli është i redaksisë. Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE