Kujt po i pengon Oliveri?

Me dëshirën që të shkruaj diçka për vetë njeriun, i cili jeton në Kosovë, njeriun që ka familje pas vetes, ka respektin e atyre që e njohin, të miqve të tij, dhe atë jo vetëm të një religjioni, njeriun që gjithmonë ka theksuar që është për dialog dhe bisedime me të gjithë.

0
929

Me dëshirën që të shkruaj diçka për vetë njeriun, i cili jeton në Kosovë, njeriun që ka familje pas vetes, ka respektin e atyre që e njohin, të miqve të tij, dhe atë jo vetëm të një religjioni, njeriun që gjithmonë ka theksuar që është për dialog dhe bisedime me të gjithë.

Duke mos bërë dallime për asgjë, përveç që ka themeluar Iniciativën Qytetare dhe ka filluar të merret me politikë dhe të marrë pjesë në jetën publike dhe politike të Kosovës. Me sa duket ky “mëkat”, që të ketë mendimin e tij, qëndrimin e tij dhe që aktivisht të merret me politikë, nuk ka mundur t’i falet njeriut me emër e mbiemër Oliver Ivanović. Qëllimi i shkrimit tim nuk është i natyrës subjektive, porse dua që përmes një rasti të ndërlidh punën e gjyqësisë së EULEX-it dhe vetë punën e tyre në Kosovë.

Në fakt, prokurori i EULEX-it ka ngritur aktakuzë kundër Oliver Ivanović-it për krim lufte kundër popullatës civile, nxitjes për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë duke i marrë jetën një personi tjetër për shkak të motivit nacional në bashkëpjesëmarrje. Që absurdi të jetë edhe më i madh, i njëjti Oliver Ivanović është angazhuar që EULEX-i të jetë i pranishëm në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me misionin e EULEX-it, më me rregull dhe më shumë se përfaqësuesit e atëhershëm por edhe të tashëm politik të serbëve. Më imponohen disa pyetje në të cilat nuk kam përgjigje të qartë. A dëshiron një njeri që ka çfarëdo të kaluare kriminale (në këtë rast krim lufte) sundim të ligjit dhe një mision të tillë evropian i cili ka për detyrë të zbatojë ligjin si në kuadër të së drejtës ndërkombëtare ashtu edhe asaj të Kosovës? A i ka plotësuar misioni i EULEX-it cilatdo pritje? Pse ky mision që nga ardhja e tij po përmendet vetëm në kontekst negativ? Çka i ka kontribuar qytetarëve dhe përparimit të Kosovës? A ka qenë fare i nevojshëm një mision i tillë i cili deri tani nuk ka sjellë ndonjë rezultat të suksesshëm?
Sa i përket rastit Ivanović, i cili po vazhdon, po më duket deri në pafundësi. Nga disa media të caktuara mund të merrej vesh se nuk ka pasur dëshmitarë të besueshëm dhe që Oliveri do të duhej të mbrohej në liri. Megjithatë, procesi po vazhdon ende. Por, nuk është problem kohëzgjatja e procesit, porse pse njeriu (Ivanović) ende po mbahet në burg me gjithë këtë rrjedhë të gjykimit? Meqenëse i është keqësuar gjendja e tij shëndetësore, Ivanović vendosi që të hyjë në grevë urie. Cili njeri do të hynte në greve urie në një gjendje të tillë shëndetësore? Çka është ajo që po e pengon gjykatësin e EULEX-it që t’ia lejojë Ivanović-it që të mbrohet në liri? Ku do të mund të ikte ai kur, në një mënyrë, është një person publik? Ku qëndron problemi?

Me Ivanović-in në burg janë edhe disa serbë që po ashtu ngarkohen për krime lufte. Rastet e tyre po ashtu shqyrtohen nga gjyqtarët e EULEX-it. Si është e mundur që për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj serbëve dhe shqiptarëve po pritet formimi i gjykatës speciale derisa serbët së pari paraburgosen e pastaj merret vesh që ekziston një aktakuzë për krime lufte dhe në fund gjykimet zgjasin deri në pafundësi? Pse nuk po bashkohet gjykata për krime lufte e cila do të jetë kompetente për të gjitha nacionalitetet? Është më efektive dhe kushton më lirë. Pse EULEX-i po vonohet me gjykatën speciale? A kanë ngecur për shkak të kuadrit apo janë në pyetje probleme tjera? Nëse nuk e marrim parasysh vullnetin politik, atë (vullnetin politik) në Kosovë duhet kërkuar me disa aparate (instrumente) të veçanta. Ai është hendikepi kryesor i të gjithave paj edhe për gjërat e rëndomta të nivelit lokal.

Ajo që dihet për Oliver Ivanović-in është se e flet shkëlqyeshëm shqipen dhe anglishten, ka pasur takime të shumta me udhëheqësit politikë të Kosovës të nacionalitetit shqiptar. Me të gjithë ka marrëdhënie korrekte dhe nuk është euroskeptik. Është angazhuar për ardhjen e misionit të EULEX-it dhe ka mbështetur punën e misionit. Në zgjedhjet e para të Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2013 ishte i pari në listën e kandidatëve serb. Ka mbështetur dialogun në Bruksel, por me kushtin që dikush nga përfaqësuesit e katër komunave në veri të Kosovës të marrë pjesë në të. Ende e pyes veten se si një njeri me një biografi të pasur dhe pikëpamje të këtilla mund të jetë kriminel? Kujt i ka penguar që ai të merret me politikë? Pse askush nga përfaqësuesit politik nga Prishtina nuk reagon bile me një deklaratë për të? Bile ata që kanë bashkëpunuar me të, ata që e njohin. Përse heshtin? A mos është kjo një shenjë e heshtur për atë që planifikon të merret me politikë në Kosovë se duhet në një hark të gjerë të anashkalojë çfarëdo ideje për politikë?

Askush nuk kërkon prej nesh si njerëz që të gjykojmë, sepse për këtë janë organet e drejtësisë dhe gjykatat. Por mjafton një deklaratë njerëzore, altruiste, dhe objektive për këtë njeri, por edhe për çdo njeri tjetër që zgjedh rrugën më të vështirë për të protestuar me grevë urie, në këtë rast z. Ivanović, që të kërkojë drejtësi. Ashtu si çdo rast tjetër, edhe ky po politizohet dhe mbetet në fjalë boshe që nuk thonë asgjë. Përveç për politikën ditore dhe një tjetër lajm në gazeta. Të gjithë politikanët, kudo që janë, duhet të largojnë “mantelin” e politikës dhe për një moment të jenë njerëz. Ndonjëherë në jetë është e nevojshme vetëm të jesh njeri, e jo një funksion që kryhet në shoqëri. Funksionet janë të ndryshueshme, njeriu mbetet njeri. Politikanë në Kosovë, ja rasti të tregoni njerëzinë tuaj. E keni apo nuk e keni? Si t’ua shpjegoj Juve këtë ndryshe dhe t’ju ftoj që të reagoni? Ku ”e zuri gjumi” kolegjialitetin?