Kulla, qytete… stadiume

Derisa fushata vazhdon dhe po merr hov, na mbetet vetëm të shohim se çfarë premtime tjera do të pasojnë. Por, para së gjithash, le të mendojmë për atë se cilat janë nevojat tona të vërteta dhe çka është ajo që me të vërtetë na mungon. Ndoshta diçka edhe na bie ndër mend derisa ngasim veturën nëpër rrugë të këqija, mes mungesave të rrymës dhe ujit...

0
46

Fushata politike për zgjedhjet parlamentare në Kosovë është në vlug. Këto ditë, politikanët lokal po na premtojnë gjithçka. Konkurse për vende pune, ndarje banesash… ashtu siç ndodh zakonisht gjatë fushatës. Pompozitet i përgjithshëm dhe luftë për fitimin e votave. Mirëpo,  edhe kësaj here ia vlen të befasohemi me tërë ato që ofrohen nga ana e partive politike.

Në të vërtetë, tashmë ka kohë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, me të madhe po paralajmëron ndërtimin e stadiumeve të futbollit anembanë Serbisë. A është Serbia vend i futbollit a jo, a na duhen fare ato stadiume, kjo veçse është çështje tjetër. Shumëkush i ka komentuar këto paralajmërime si qesharake derisa ekonomia e Serbisë vazhdon të jetë gjithçka vetëm jo në gjendje të shkëlqyeshme. Megjithatë, këtu nuk përfundon tregimi për stadiumet.   

Në fillim të muajit, me fillimin e fushatës, natyrisht, së pari kryetari i Mitrovicës, Goran Rakić, njoftoi se të ashtuquajturat “ethet e stadiumit” po vinin edhe në Mitrovicë. Megjithëse presidenti Vučić asnjëherë deri tani nuk ka përmendur ndërtim stadiumi në Mitrovicë, Rakić ka paralajmëruar ndërtimin e një të tilli, me një kapacitet prej 5000 vendesh, si dhe atë se ai do të ndërtohet si pjesë e një fushate të nisur nga presidenti i Serbisë.

Ndërsa prisnim të mësonim nëse vërtetë do të bëhet ndërtimi i stadiumit, kryetari i Mitrovicës, Rakić, nuk mbeti i vetmi që paralajmëroi ndërtimin. Vetëm pak ditë më parë, u paraqit edhe shefi i Zyrës për Kosovë, Marko Đurić, duke njoftuar për stadiumin e lartpërmendur dhe ndërtimin e tij në Mitrovicë.

Të rritesh në Kosovë, veçanërisht në veri, do të thotë të mos kesh bash kushtet më të mira për t’u zhvilluar në drejtimet në të cilat do t’i dëshiroje. Në fakt, ka nevojë për atë stadium dhe ka shumë të ngjarë që do ishte i një rëndësie shumë të madhe për sportistët e ardhshëm dhe ata të tashëm. Megjithatë, do të duhej t’i pyesnim të gjithë politikanët që po e paralajmërojnë këtë, a po mendojnë edhe për problemet e tjera me të cilat përballen njerëzit në Kosovë?

A janë të vetëdijshëm ata se sa fshatra nuk kanë rrugë të asfaltuara dhe se me vite e presin këtë? Sa shpërngulje shkaktojnë pikërisht ato rrugë? A janë ata të vetëdijshëm se sa njerëz në lagjet urbane dhe periferike kanë problem me mungesë uji? Cila është cilësia e energjisë elektrike? Sa njerëz, tekefundit, mezi ia dalin në fund të muajit për shkak të mungesës së vendeve të punës?

Na mbetet të shtrojmë pyetje nëse janë të vetëdijshëm ata, dhe a e dinë këtë. Sipas të gjitha gjasave janë të vetëdijshëm, por paralajmërimi për ndërtimin e një rruge në një fshat të vogël në veri të Kosovës mbase nuk përbën lajm edhe aq të madh sa lajmi për ndërtimin e një stadiumi për 5,000 njerëz. Dhe sa vota mund të sjellë ai ndërtim i rrugës? Definitivisht jo aq sa ndërtimi i stadiumit.

Derisa fushata vazhdon dhe po merr hov, na mbetet vetëm të shohim se çfarë premtime tjera do të pasojnë. Por, para së gjithash, le të mendojmë për atë se cilat janë nevojat tona të vërteta dhe çka është ajo që me të vërtetë na mungon. Ndoshta diçka edhe na bie ndër mend derisa ngasim veturën nëpër rrugë të këqija, mes mungesave të rrymës dhe ujit… Ndoshta edhe na duket që stadiumi nuk është gjëja primare në jetët tona dhe që mund të presë. Që jemi ngopur me kulla e qytete, derisa na mungojnë gjërat themelore jetësore.