Kultura dhe arti gjatë pandemisë 

Shpeshherë themi që kultura në mjediset tona ka humbur apo është duke dhënë shpirt, mirëpo “Graçanica” është dëshmi dhe shembull se arti megjithatë është i pranishëm dhe që me pak përpjekje dhe resurse të pakta mund të jetë midis nesh.

0
871

Në botë është shpallur pandemia e virusit “COVID-19”, më shumë të njohur si koronavirusi, kështu që për këtë arsye mbretëroi një panik dhe kaos i përgjithshëm. Përkundër kufizimeve të lëvizjes dhe situatës së jashtëzakonshme, si dhe ndalesave tjera, institucioni i Shtëpisë së Kulturës “Graçanica” tregon se edhe në kushte të tilla mund të punohet në mënyrë cilësore, duke i prezantuar publikut të vet një opus të gjerë të veprave artistike përmes internetit. Në këtë mënyrë ata po tregojnë që situata momentale nuk ndikon në kulturë.

Ata prezantuan programin me emrin “Kultura në kohën e Koronës”, dhe përmbajtjen e tij do ta postojnë çdo ditë në faqen e tyre në Facebook, kurse vizitorët do të kenë rastin të kënaqen me programin e llojllojshëm të emituar në këtë rrjet social. Me këtë ata kanë treguar se me një qasje profesionale dhe mendjemprehtë do të vazhdojnë me programin i cili është cilësor si zakonisht. 

Në repertorin e këtij institucioni, që në fillimin e programit të dhënë, u gjet ekspozita “Jesen u Prizrenu” (Vjeshta në Prizren), e një ditë më vonë vazhduan me shfaqjen për fëmijë “Igra” (Loja) në regjinë e Boško Bošković-it. Vetëm këto dy shfaqje u ndoqën nga 7000 shikues, gjë që – në kohën kur janë aq të popullarizuara programet si reality show, talk show –  pajtoheni edhe ju, që duket e pabesueshme. 

Të gjithë patën mundësi të kënaqen me spektrin e gjerë të artit, por edhe të ofrojnë diçka për vete, kështu që artdashësit patën rast të shohin vepra të ndryshme letrare, vepra artistike por edhe të botës së filmit, shfaqje, të “marrin pjesë” në tribuna, të dëgjojnë koncerte muzikore dhe programe për më të rinjtë, e ndër të tjera edhe paraqitjen e korit të “RTS”-së. U mbajt edhe një diskutim me temën “Pandemia në histori”, ku na përkujtuan për epidemitë vdekjeprurëse përgjatë historisë dhe ndikimin e tyre në njerëzit.

Në këtë mënyrë, Shtëpia e Kulturës nga Graçanica me sukses po e zhvendosë vëmendjen e shikuesve nga brengat e përditshme dhe po i fokuson ata tek temat e bukura dhe të gjitha këto po i bëjnë brenda disa orëve në ditë. Shtrohet pyetja nëse kjo është aq e lehtë sa ndoshta po duket apo vullneti dhe dëshira për të theksuar anën pozitive (sepse ajo ekziston madje edhe tani) janë jashtëzakonisht të forta, kështu që secili hap i mëtejmë i bërë me këto motive duket si një hap krejt i zakonshëm. Nga ana tjetër, nëse vetes ia bëjmë pyetjen se cilët janë hapat tonë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ndoshta edhe e vërejmë se nuk është edhe gjithaq e thjeshtë brenda katër mureve, në rutinën e cila me kohë po e merr një pjesë të madhe të përditshmërisë sonë, të krijojmë diçka që do të bëjë jo vetëm jetën tonë por edhe jetën e një numri të madh të njerëzve më cilësore, më produktive dhe më interesatne. Nëse veprimtaria e këtij institucioni shikohet nga ai këndvështrim, atëherë lirisht mund të themi që ky është një hap i madh dhe ai meriton respekt. Kultura me sukses është vendosur në plan të parë e duhet të pranojmë që kjo është tejet e rëndësishme për secilin njeri, në veçanti tani kur për shkak të situatës së re të krijuar nuk i kemi në dispozicion disa nga përmbajtjet e ngjashme. Programi online do të jetë në faqen e Facebook-ut deri sa të përfundojë pandemia.

Shpeshherë themi që kultura në mjediset tona ka humbur apo është duke dhënë shpirt, mirëpo “Graçanica” është dëshmi dhe shembull se arti megjithatë është i pranishëm dhe që me pak përpjekje dhe resurse të pakta mund të jetë midis nesh.

Me këtë ata u dalluan nga institucionet e ngjashme dhe qendrat kulturore në Kosovë, por edhe e arsyetuan epitetin e shtëpisë më të suksesshme të kulturës të cilin e mbajnë me vite të tëra. Publiku po ashtu pati rastin të marrë pjesë në konceptimin e programit dhe t’i propozojë redaktorëve shfaqjet e ardhshme, gjë që e bën këtë program më interesant dhe më interaktiv. 

Është njerëzore të nxësh dije, e nganjëherë edhe të imitosh rastet dhe idealet të cilat i hasim në jetën e përditshme. Është edhe më njerëzore të zgjedhim se çfarë lloj përmbajtjesh dhe cilat modele duam t’i ndjekim. Nëse zgjedhim midis programeve aktuale të llojit reality dhe përmbajtjeve kulturore zgjedhim midis dijes dhe bukurisë, të cilat i fitojmë nga arti apo cektësia, të cilat po na ofrohen me këto përmbajtjet e tjera. Ajo që shikojmë me sy do të ndikojë në vetë ne. Atë që e dëgjojmë me veshët tanë, do të na bind për ndryshime. Atë që e ndiejmë, e mbajmë me vete. Mund të zgjedhim pandeminë dhe joproduktivitetin apo gjindshmërinë, profesionalizmin dhe artin. Sepse kultura është pasqyrë e shpirtit, dhe një nga mënyrat që shpirti të mbushet me kulturë është pikërisht përmbajtja të cilën e ofron Shtëpia e Kulturës në Graçanicë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.