Kur do të pavarësohen serbët e Kosovës nga Serbia?

Mund të listojmë dhjetëra raste ku tregohet që shteti serb nuk është se ia jep dorën qytetarëve serbë të Kosovës, por as pas gjithë këtyre, komuniteti i ndodhur “mes dy zjarresh” nuk ka gjetur kurajon të trasojë rrugën që u siguron një jetesë më të mirë.

0
52

Nuk ka javë që nga komunat veriore të Kosovës, ose të tjera me shumicë serbe, nuk vijnë lajme për ndonjë bojkot ndaj shtetit kosovar; për ndonjë “aksion” për ta mbrojtur Kosovën e Shenjtë; e pashmangshmërisht, edhe ndonjë aksion politik që i shkon për shtati një grushti politikanësh në Serbi.

Krejt kjo tregon një situatë të rëndë të komunitetit serb në Kosovë, mirëpo të sjellur nga vetë shteti të cilin ata e konsiderojnë amë dhe politikanët e tyre, e jo nga shqiptarët, siç edhe nxjerret shpesh në publik.

Shtëpi të vjetra, rrugë e lagje të lëna pasdore me infrastrukturë të viteve as të 90-ta (mbase të 80-ta), njerëz të papunë apo punë që nuk sjellin dobi. Kështu mund të duket tabloja që do ta krijonte secili që i bie të qëndrojë për një ditë në ndonjë prej lokaliteteve ku jetojnë serbët.

Shumëkush mund të thotë se pikërisht kjo është edhe arsyeja që tregon për diskriminimin e serbëve, mirëpo e kanë gabim. Ose, të paktën, ky diskriminim nuk ndodhë nga shteti kosovar, i cili ka programe të veçanta për subvencionimin e bujqësisë për këtë komunitet, për ndërtimin e infrastrukturës dhe integrimin e tyre duke i punësuar. Ky diskriminim, me shumë gjasë, vjen nga vetë shteti që ata e shohin si shpëtimtar – Serbia.

Janë të shumta rastet kur për arsye politike qindra serbë është dashur të lëshojnë vendet e punës, vetëm se ata merrnin rroga nga shteti i Kosovës. Ka pasur qindra raste të tjera kur familje serbe janë shtyrë të refuzojnë subvencionet për bujqësi, vetëm se ato vinin nga paraja e shtetit të Kosovës. Po ashtu, mund të numërojnë shumë raste kur serbët e Kosovës janë shtyrë të pengojnë edhe punë publike që shkojnë në dobi të tyre, vetëm se ato kryheshin nga shteti kosovar.

Pra, mund të listojmë dhjetëra raste ku tregohet që shteti serb nuk është se ia jep dorën qytetarëve serbë të Kosovës, por as pas gjithë këtyre, komuniteti i ndodhur “mes dy zjarresh” nuk ka gjetur kurajon të trasojë rrugën që u siguron një jetesë më të mirë.

I tillë mund të themi se ishte edhe aksioni i para ca kohësh ku të gjithë serbët e veriut u shtynë t’i mbyllnin bizneset e tyre për të luajtur një dramë për gjoja “krizë humanitare” pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe. Dhe kur ta mendosh, të paraqitet kriza humanitare në një zonë që gjendet jo më larg se 100 metra nga furrat më të afërta të jugut, ku buka blihet me 30 cent, e ku gjenden të gjitha produktet me çmime normale, tingëllon pak naive. Mirëpo, unë dyshoj që kjo gjë u bë nga naiviteti.

Sidoqoftë, krizë u pa që nuk pati meqë dyqanet u hapën vetëm 2 ditë pas. Por, u pa që ka një varësi të madhe të popullit serb nga shteti serb, përkatësisht nga presidenti Aleksandar Vučić, i cili po i përdor ata për agjenda të pastra politike, duke vendosur në rend të fundit mirëqenien dhe interesin e këtyre njerëzve.

Besoj që serbët duhet t’i hapin me gishta sytë, meqë i kanë pasur të mbyllur për sa kohë, dhe të shohin se shteti “i tyre” po u sjellë vetëm probleme. Pasi t’i hapin sytë, është mirë të shohin për vende pune, për fqinjësi të mirë dhe jetë normale.

Së këndejmi, të shohin mundësinë për “shpallje të pavarësisë” nga Serbia. Pse jo?!

SHARE