Kur nuk sillesh si një “bot”

Serbët “e ndershëm”, të cilët e kanë parë se u iku jeta nëpër llogore lufte, e kanë vënë si prioritet të kujdesen për marrëdhëniet me fqinjët e tyre shqiptarë dhe të thyejnë vetizolimin më se dydekadësh, të imponuar nga shteti serb, fillimisht përmes institucioneve paralele të Serbisë, e tash përmes partisë e cila në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësojë Serbinë, e jo qytetarët serbë në Kosovë. Jeta e përbashkët në Kosovë ka mbetur peng i “misionit” të cilin Serbia zyrtare e ka vënë para qytetarëve serbë të Kosovës.

0
107

Nëse nuk sillesh si një “bot”, atëherë je “i ndershëm”. Kjo vjen si dënim. Shqiptar i “ndershëm” dikur, e serb “i ndershëm” sot. Për ata që nuk e dinë, një “bot”, është një ushtar virtual, i partive politike, apo organizatave të tjera militante (jo)politike, të cilët e kanë detyrë që brenda ditës të shkruajnë, apo të postojnë komente negative për kundërshtarët politik, dhe  të thurin lavde për padronët. Ata janë me qindra, individë të trajnuar nëpër trajnime “speciale”, dhe janë treguar si mënyrë e efektshme e militarizimit të opinionit me luftë fytafyt për paqen, tolerancën  dhe demokracinë.

Nëse e google-ojmë fjalën “bot”, e cila në Serbi kohëve të fundit është bërë hit në kuptimin politik, pasi ata po e krijojnë opinionin publik, do të marrim një sqarim për  “një program autonom në rrjet (veçanërisht Interneti) i cili mund te bashkëveprojë me sistemet e kompjuterit apo me përdoruesit…”. Ushtarë virtual, me një fjalë.  Sepse serbët, sikurse të gjithë tjerët tashmë, pjesën më të madhe të jetës e jetojnë virtualisht. Askush më nuk i ruan delet nëse nuk janë virtuale. Ata nuk e njohin komshiun e tyre, por e njohin “bot”-in e lagjes së vet, i cili ka mendim, kryesisht nacional dhe zyrtarë, për të gjithë.

Dikur, disa shqiptarë nën Serbi (apo nën Jugosllavi, që i binte njëjtë), veçoheshin si “të ndershëm”, nga të tjerët që ishin veç shqiptarë, potencialisht “të pandershëm”. Mos u shqetësoni nga kjo fjali e komplikuar dhe mos hiqni dorë ju lutem. Të “ndershmit” ishin një pakicë e privilegjuar, ishin ata që bashkëpunonin me regjimin, të maskuar asokohe nën emrin e ish-Jugosllavisë. Madje për të qenë shqiptar sa më i ndershëm dhe i besuar, i përshtatshëm për pozita të ndryshme në shtet dhe shoqëri, disa ndërronin edhe kombësi duke u konvertuar në jugosllavë edhe pse nuk ishin as sllavë, e as të jugut.

“Në rregull, e kuptuam” do të thoni, por ka edhe pak për të folur. Përshtatshmëria moralo-politike, nën Jugosllavi ishte mekanizëm i diferencimit politik e social, ku të “pandershmit” dhe të papërshtatshmit politikisht nuk kishin gati kurrfarë perspektive në shoqëri, përkundrazi ndiqeshin dhe diskriminoheshin. Tash, edhe në Kosovë, pas gati 20 vitesh nga lufta e fundit, përmes së cilës Kosova u shkëput dhe u pavarësua politikisht nga Serbia, përmes një ndërhyrjeje ushtarake të NATO-s, për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga shpërngulja e dhunshme dhe shfarosja, është shfaqur sërish kategoria “të ndershëm”. Kësaj radhe, nga ana e shtetit serb, si “të ndershëm” akuzohen serbët. “Bot”-ët e pushtetit në Beograd, kanë kaluar edhe kufirin virtual Kosovë-Serbi, duke hyrë në shtëpitë dhe kokat e serbëve të shqetësuar kosovarë. Kështu, pra, si “të ndershëm”  po akuzohen serbët e Kosovës të cilët nuk e pranojnë politikën zyrtare të Serbisë dhe të përzgjedhurit e saj, por deshën vet të përfaqësojnë interesat e serbëve, me të cilët jetojnë bashkë dhe i njohin interesat dhe brengat e tyre.

Është tragjikomike, kur “bot”-ët të cilët as e kanë parë kurrë Kosovën, u mbajnë serbëve të Kosovës , të lindur, rritur e madje edhe plakur në Kosovë, leksione patriotizmi, apo tradhëtie. I quajnë “të ndershëm”. Ashtu i quajnë, pra,  disa politikanë serb, dhe përkrahësit e tyre, të cilët guxuan, edhe pse e dinin se nuk kishin fare gjasa, të konkurrojnë me partinë politike e cila zyrtarisht nga presidenti i Serbisë ishte deklaruar si partia shtetërore e serbëve të Kosovës, me emrin e pafajshëm “Lista…”.

Serbët “e ndershëm”, të cilët e kanë parë se u iku jeta nëpër llogore lufte, e kanë vënë si prioritet të kujdesen për marrëdhëniet me fqinjët e tyre shqiptarë dhe të thyejnë vet-izolimin më se dy dekadësh, të imponuar nga shteti serb, fillimisht përmes institucioneve paralele të Serbisë, e tash përmes partisë e cila në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësojë Serbinë, e jo qytetarët serbë në Kosovë. Jeta e përbashkët në Kosovë ka mbetur peng i “misionit” të cilin Serbia zyrtare e ka vënë para qytetarëve serbë të Kosovës.

Por çfarë të bëjë një serb sot: të jetë i “ndershëm” apo të rebelohet? I ndershëm në raport me kë? Do të lejohet të jetë i ndershëm, pa thonjëza, me veten, fëmijët e vet? A mund dhe a janë “të ndershëm” ata shqiptarë që jetojnë sot në Serbi dhe pranojnë rendin kushtetues të Serbisë, edhe pse do të preferonin të ishte ndryshe? Apo serbët dhe shqiptarët nuk janë qytetarë të kualitetit të njejtë?

Serbët e Kosovës nuk e kanë të lehtë, ashtu siç nuk e kishin të lehtë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kosova nuk është më një vend komunist, dhe nuk është aspak përjashtues dhe asimilues si dikur Serbia komuniste, e cila duke degraduar pozitën kushtetuese të shqiptarëve, i ndoqi dhe diskriminoi  kolektivisht.

Pra, a ka efekt dialogu i jashtëm me Serbinë, pa një dialog me serbët e Kosovës? Kosova, nuk duhet të pranojë këtë lojë të patronatit. Serbët, sikurse edhe shqiptarët janë shtetas me të drejta dhe obligime të njëjta në Republikën e Kosovës dhe duhet të trajtohen si të rritur.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

 

 

SHARE