Kur ritheksimi i sovranitetit nënkupton regres në dialog

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një proces me rezultate shumë të kufizuara të cilat burojnë nga sjellja e shteteve pjesëmarrëse, Kosovës dhe Serbisë. Së fundmi, të dy shtetet kanë thelluar ndarjet duke vënë një theks në sovranitetet përkatëse.

0
81

Veprimet e fundit të Qeverisë Kurti në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak kanë patur synim që të ritheksojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës. Këto veprime, natyrisht, kanë prodhuar reagim nga ana e Serbisë. Duhet patur parasysh që veprime të tilla që kanë për synim të riktheksojnë sovranitetin e shteteve kanë një prirje që të shndërrohen në parakusht për regres sa i përket progresit në procesin e dialogut mes dy shteteve.

Së pari, veprimet të cilat kanë një tendencë për të ritheksuar sovranitetin e shteteve nuk përkojnë me idenë e kompromisit që duhet të karakterizojë një proces të tillë siç është ai i dialogut. Për më tepër, theksimi i tepërt i sovraniteti është një ide që është esencialisht e ndërlidhur me politikën realiste e cila e sheh shtetin si aktorin kryesor në marrëdhënie ndërkombëtare. Ndonëse kjo, në pamje të parë, nuk do të duhej të shihej si diçka e gabuar, duhet patur parasysh që atëherë kur shtetet theksojnë qartazi interesat dhe sovranitetin e tyre, ata praktikisht zbehin tendencën e njëri-tjetrit që të arrijnë bashkëpunim të mirëfilltë. Në fakt, duhet theksuar që, edhe siç përmendet në artikullin “The Role of Reciprocity in International Law”, reciprociteti (një masë që thekson sovranitetin), ndonëse funksionon, është një masë joideale që bazohet në një lloj shtrëngimi reciprok dhe si e tillë nuk ofron parakushte për bashkëpunim të shëndetshëm dhe afatgjatë mes dy shteteve. Kjo, natyrisht, fiton rëndësi të veçantë kur flasim për procese të tilla si dialogu kur shtetet duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Një element tjetër i ndërlidhur me ritheksimin e sovranitetit në rastin e Kosovës dhe Serbisë, është që të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, nuk janë për momentin në atë pikë që të kenë komoditetin për të mos u sjellë në mënyrë konstruktive në raport me procesin e dialogut. Vetë çështja e stërvonuar e vizave në rastin e Kosovës dhe në fakt vërejtjet e vazhdueshme të bëra ndaj shtetit serb për qasjen e tyre në procesin e dialogut shërbejnë gjithmonë si rikujtime të faktorit ndërkombëtar, e më shpesh të Bashkimit Evropian, për potencialin e tyre pengues dhe ndëshkues në përgjithësi. Në këtë drejtim, nuk iu del mirë as Kosovës e as Serbisë që, përmes përpjekjeve të tilla që kanë për synim të ritheksojnë sovranitetin e shteteve, të rrëshqasin në sjellje që nuk u kontribuojnë synimeve të tyre afatgjatë për arritje të një marrëveshjeje në dialog dhe mbi të gjitha për integrim në Bashkim Evropian.

Një tjetër argument mbi mungesën e arsyeshmërisë së theksimit të sovranitetit nga ana e shtetit është që një veprim i tillë tregon mungesë vullneti për bashkëpunim dhe, në një mënyrë, bën që procesi i dialogut të vazhdojë të vonohet edhe më tej e, mbi të gjitha, hap rrugë të reja që palët të vijojnë me kushtëzime të reja të cilat bllokojnë më tej një proces të tillë. Së fundmi, shteti i Serbisë ka bërë katër kërkesa specifike (ndër të cilat është theksuar edhe themelimi i Asociacionit të komunave). Duhet patur parasysh që një kërkesë e tillë, e cila në vete përfshin edhe vetë Asociacionin e komunave si një pikë ndjeshëm të kontestuar gjer më tani, ndikon direkt që procesi i dialogut të vonohet më tej dhe që kështu të shënohet një lloj regresi i panevojshëm në një proces që gjer më tani nuk ka tregur një ecuri aspak lineare.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një proces me rezultate shumë të kufizuara të cilat burojnë nga sjellja e shteteve pjesëmarrëse, Kosovës dhe Serbisë. Së fundmi, të dy shtetet kanë thelluar ndarjet duke vënë një theks në sovranitetet përkatëse. Ndonëse theksi te koncepti i sovranitetit të shtetit në parim është shumë normal dhe i pritshëm, në procese siç është ai i dialogut, një parim i tillë nuk i kontribuon dialogut por në fakt shndërrohet në faktor për regres të mëtejshëm.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE