Kur të qenit primitiv të bën të rëndësishëm

Vitin e kaluar, Beogradi e promovonte ‘dialogun e brendshëm për Kosovën’. Por, me kë në të vërtetë dialogonte Aleksandër  Vučić-i dhe njerëzit e tij? E vërteta është se regjimi i tij ishte krejt i çinteresuar për dialog. Ishte krejt i çinteresuar për të dëgjuar mendime ndryshe aq sa imponoi heshtje e monolog.

0
206

Ditë më parë, ishzëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Slobodan Petrović, u sulmua fizikisht, siç u njoftua, nga dy anëtarë të Listës Serbe. I sulmuari është politikan që nuk pajtohet me qëndrimet e regjimit të Aleksandër Vučić-it për Kosovën.

Një vit e kusur më parë, politikani tjetër që nuk pajtohej me qëndrimet e Vučić-it, me emrin Oliver Ivanović, e pësoi edhe më keq. Ai u vra në Mitrovicë të Veriut, pranë zyres ku punonte. I dyshuar për vrasjen e tij është Milan Radoičić, që, ani pse me profil të vogël si politikan, nënkryetar i Listës Serbe, thuhet të ketë nam të madh në veri të vendit ku vazhdon të qarkullojë kontrabanda e të lulëzojë kriminaliteti.

Me të dyja rastet pra lidhet Lista Serbe, një grupim politik që u nxor nga marrëveshja e Thaçit me Vučić-in në Bruksel.

Vitin e kaluar, Beogradi e promovonte ‘dialogun e brendshëm për Kosovën’. Por, me kë në të vërtetë dialogonte Aleksandër Vučić-i dhe njerëzit e tij?

E vërteta është se regjimi i tij ishte krejt i çinteresuar për dialog. Ishte krejt i çinteresuar për të dëgjuar mendime ndryshe aq sa imponoi heshtje e monolog. Ky monolog patetik e me ndryshime të kohëpaskohshme fjalësh është bërë aq monoton e i padurueshëm, sa është e zorshme të kuptohet se çka po vepron në prapaskenë ai për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën. Po ky monolog që u thirr ‘dialog’ u shoqërua me vdekjen e Ivanović-it, me arrestimet e intimidimet e politikanëve kosovarë serbë në Serbi, dhe tash së voni edhe me rrahjen e Petrović-it. Shoqërohet përditë me frikësime të serbëve që i kundërshtojnë.

Ajo çka tregon një gjë e tillë është përpjekja tepër joserioze e regjimit të  Vučić-it dhe Listës Serbe për të moderuar qëndrimet e serbëve të Kosovës dhe serbëve në përgjithësi në prag të një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo çka tregon atmosfera armiqësore e krijuar ndaj serbëve të moderuar është se një marrëveshje e tillë mes Kosovës dhe Serbisë është shumë larg, dhe në të cilën nuk beson Vučić-i dhe regjimi i tij.

Që nga vizita e tij në Kosovë, Serbia e ka shtuar armiqësinë ndaj shtetit të Kosovës duke treguar pagatishmëri të plotë për një kompromis të dhimbshëm përfundimtar. Për më tepër, ajo do të duhej që në këta muaj të shtonte përpjekjet për ta bërë të pranueshëm kompromisin në fjalë, por jo, pushteti serb po bën të kundërtën duke e forcuar diskursin mospranues.

E gjithë kjo armiqësi e hapur ndaj Kosovës dhe ndaj politikanëve anti-Lista Srpska tregon hapur që Serbia e ka ndërmend një strategji tjetër afatgjatë. E vërteta e hidhur është se Serbia nuk e ka në plan të njoh shtetësinë e Kosovës. As me korrigjim kufijsh e as me Zajednicë. Kjo sepse kërkoi të zhbëjë kushtëzimin gjerman për njohjen e Kosovës për anëtarësim në BE, përmes kërcënimit me një aleancë më të fortë me Rusinë.

Ndërkohë, edhe BE-ja e ka ngadalësuar procesin e zgjerimit të saj dhe anëtarësimi eventual i vendit fqinj nuk pritet të ndodh para vitit 2025. Për të mos përmendur që vetë BE-ja si projekt është në rrezik, dhe nuk dihet me siguri të plotë nëse do të ekzistojë një dekadë më vonë.

Kosova vazhdon të jetojë me iluzionin që Serbia nuk ka çare ta njoh Kosovën. Të ecë përpara. T’i njoh krimet e bëra. Ajo nuk e kupton se shtete të ndryshme e kanë të ekonomizuar dhunën e regresin sepse kjo i bën më të fortë. Si të nënshtrueshëm e përparues s’bëhen hesap.

Ballkani është paragjykuar vazhdimisht nga zyrtarët e lartë të BE-së, përfshirë burrështetasit e grushtetaset. Federica Mogherini madje lejoi që të negociohej edhe një ide mesjetare e e rrezikshme si shkëmbimi i territoreve në baza etnike, vetëm që t’i shtonte pak sukses karrierës së saj. Kosova me anë të taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia mësoi paksa që të jesh përherë i bindur nuk merrje peshë e faktoritet ndërkombëtar. Je i rëndësishëm për aq sa e nxjerr primitivitetin tënd.   

SHARE