Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Lajčák-un

0
565

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajčák.

Në fillim, Kryeministri në detyrë diskutoi me z. Lajčák për situatën me pandeminë COVID-19 në Kosovë. Mes tjerash, u diskutua për kalimin në fazën e dytë të lirimit gradual të masave, dhe rezultatet e fundit në menaxhimin e COVID-19 sipas të cilave numri i të shëruarëve është 3-fish më i lartë së numri i rasteve aktive.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kryeministri në detyrë z. Kurti përsëriti përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj. Me këtë rast, z. Kurti e falënderoi z. Lajčák për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, ide që nuk ka as mbështetje rajonale.

Kryeministri në detyrë po ashtu parashtroi kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

(kryeministri-ks.net, 18/05/2020)