Kush duhet ta ulë armën?

Shteti serb duhet të ndalet së lobuari kundër pavarësisë së Kosovës nëse dëshiron që tavolina e dialogut të jetë akoma e hapur, e po ashtu edhe Kosova, nëse e do tavolinën e dialogut, do të duhej ta hiqte taksën menjëherë pasi Serbia garanton qëndrim më konstruktiv ndaj Kosovës.

0
312

Serbia e Kosova kanë një histori të gjatë me armë në duar. Kjo ka bërë që edhe kur armët e vërteta të ulen, në politikë të përdoren armë më të sofistikuara.

Në kontekstin e ngritur së fundmi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, janë dy armë që po përdoren me intensitet të shtuar, apo siç do të thuhej në një zhargon më ushtarak, deri në plumbin e fundit.

Ka qenë Serbia ajo që tytën e një arme joushtarake e ka drejtuar nga Kosova. Bëhet fjalë për lobimin kundër pavarësisë së Kosovës, dhe insistimin për tërheqje të njohjeve. Kjo armë, që u përdor për disa vite, gjeti përgjigjen vetëm para pak muajsh.

Në nëntor të vitit që shkoi, ishte Kosova ajo që e ngriti drejt kufirit serb një tytë të armës së llojit të lartëpërmendur. Ajo është taksa, dhe u vendos përballë Serbisë, për të luftuar pikërisht armën serbe.

Ndonëse e thënë figurativisht, kjo atmosferë nën tyta të armës nuk duket fare shpresëdhënëse se javët a muajt e fundit do të kthehet qetësia. E kjo qetësi, padyshim, mund të rikthehet vetëm nëse tytat e armëve ulen nga të dyja palët. Kjo gjë as nuk do diskutim, mirëpo ngjashëm si me “kaubojët”, kur dilnin në sheshluftim dhe gara ishte kush e ngre i pari, edhe këtu është një garë, por kjo e fundit është se kush do ta ulë i pari.

Në sytë e mi, Serbisë i takon ta ulë armën e para, njëlloj siç e ngriti para Kosovës. Pra, shteti serb duhet të ndalet së lobuari kundër pavarësisë së Kosovës nëse dëshiron që tavolina e dialogut të jetë akoma e hapur, e po ashtu edhe Kosova, nëse e do tavolinën e dialogut, do të duhej ta hiqte taksën menjëherë pasi Serbia garanton qëndrim më konstruktiv ndaj Kosovës.

Por…

Duke ditur rrjedhën e ngjarjeve që karakterizojnë marrëdhëniet shqiptaro-serbe, nuk duhet shumë analizë për të thënë se një gjë e tillë vështirë do të ndodhte. Realisht, Kosova e Serbia asnjëherë nuk janë marrë vesh në mënyrë bilaterale, por edhe ato me ndërmjetësim s’është që kanë pasur shumë sukses.

E për këtë, lypset një faktor që do t’i detyronte të dyja palët të ulin armët. Mirëpo kjo gjë nuk duhet të nis me Kosovën duke i kërkuar ta heqë taksën, para se ulja e armës t’i kërkohet Serbisë, e cila ishte e para që nxiti një situatë goxha të tensionuar vitet e fundit.

SHARE