Kush po e pengon lirinë ekonomike në veri të Kosovës?

0
118

Dhe derisa të gjithë po e politizojnë bojkotimin e biznesmenëve serbë dhe po i japin një notë etnike, askush në fakt nuk flet për shkaqet ekonomike të këtij akti protestues. A është kjo protestë politikisht e udhëzuar apo ky veprim i biznesmenëve ka një shpjegim ekonomik?

Gjërat nuk janë bardh e zi dhe taksa prej 100% për prodhimet serbe ka pasoja negative në ekonominë lokale të veriut të Kosovës. Në lidhje me këtë, protesta e biznesmenëve është akt i një të dëshpëruari me qëllim të mbrojtjes së interesit personal dhe interesit të komunitetit lokal, dhe ajo protestë nuk është me karakter etnik porse, para së gjithash, ekonomik.   

Afaristët serbë dhe shitoret në veri gjithmonë i kanë furnizuar dyqanet e tyre në mënyrë primare (por jo ekskluzive) me produkte serbe. Vendimin ekonomik për blerjen e pikërisht këtyre produkteve afaristët e marrin në bazë të kërkesës së tregut, duke u udhëhequr nga interesat personale për të shitur mallrat e tyre, jo për motive etnike. Raporti në mes të çmimit dhe cilësisë dhe besimi i ngulitur i konsumatorit në Plazma, qumështin serb ose mishin e provuar, dikton kërkesën e konsumatorëve nga njëra dhe rrjedhimisht ofertën e pikërisht këtyre produkteve nga ana tjetër.

Vendosja e taksës prej 100% në nëntor të vitit të kaluar solli deri tek pezullimi i lirisë së qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur dhe po i drejton afaristët nga veriu që të fillojnë të furnizohen me ato prodhime për të cilët nuk ekziston kërkesë adekuate dhe besim i konsumatorëve.

Fillimisht pas vendosjes së taksës, furnizimi me mallra serbe ka vazhduar përmes kanaleve alternative dhe kjo është ajo që në komunitet konsiderohet si „kontrabandë e arsyetuar“, sikur kontrabanda e librave në gjuhën serbe, apo kontrabanda e barnave që vazhdon qysh nga viti 2015, për çka shitoret në veri nuk kanë pasur mungesë të produkteve serbe deri para pak kohe, derisa Policia e Kosovës nuk u bë më rigoroze me kontrollet e kanaleve alternative.

Bashkëpunimi me jugun apo blerja në Rashkë?

Rrethanat e reja definitivisht i detyrojnë afaristët që t’i kthehen tregut të imponuar, në rrugën e të cilit së pari ballafaqohen me vështirësinë e vendosjes së besimit me furnizuesit e rinj nga jugu i Kosovës, të cilët logjikisht kërkojnë sigurinë e të bërit biznes, kurse veriu i Kosovës paraqet një zonë politike sizmike.

Një mik nga veriu para tri javësh nuk ka mundur të blejë mall nga një furnizues i madh nga Prishtina, madje edhe duke ofruar pagesë me avans dhe dërgim të kamionit të vet për atë mall. Nuk ndodhë rrallë që në Kosovë të dëgjosh: “Nuk bëjmë dërgesa në veri”. Javën e kaluar bashkëshortja ime zbriti në aeroportin e Prishtinës me ç’rast bagazhi i saj u vonua dy ditë. Shërbimi transportues i  aeroportit kërkoi që të merrnim bagazhin tonë në anën jugore të qytetit, sepse – “Ne nuk bëjmë dërgesa në veri”. 

Tutje, edhe po të vendoset disi bashkëpunimi me afaristë ekskluzivisht nga jugu, pyetja do të ishte sa do të ishin konkurrente dyqanet në veri: qoftë me hipermarketin ETC që gjendet mu te ura, 500 metra larg nga qendra e Mitrovicës apo me marketet në Rashkë që ofrojnë mallrat e kërkuara dhe e cila gjendet jo më shumë se një orë me veturë nga cilado pikë në veri. Për më tepër, për qytetarët e Leposaviqit Rashka është më afër se Mitrovica e jugut.

Përveç që taksat janë reflektuar në rritjen e çmimeve në tërë Kosovën, gjë të cilën e thekson edhe raporti i FMN-së, shumica e banorëve të veriut do të kishin edhe një humbje shtesë nëse do të bënin tregti ekskluzivisht në jug për faktin se shumica i marrin të ardhurat në dinarë dhe për çka do të kishin humbje në kursin e këmbimit. 

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që secili prej nesh po udhëhiqet nga interesi personal për të blerë më lirë atë që e dëshiron, si zgjidhje logjike do të imponohej ideja që pazari më i madh të kryhet ne Rashkë. 

Pasojat afatgjata në ekonominë lokale

Si shkak – pasojë, përveç asaj që qytetarët do të kishin një shpenzim shtesë të kohës dhe parave, vendimi që të blihet jashtë zonës së veriut të Kosovës nënkupton pasoja për ekonominë lokale. Sipas vlerësimeve, në katër komunat serbe në veri jetojnë rreth 50.000 njerëz dhe në qoftë se secili prej nesh, për shkak të taksës prej 100% në baza mujore do të shpenzonte vetëm 20 euro për ushqim jashtë këtij territori, kjo do të thoshte një milion euro më pak qarkullim të parasë në veri – në baza mujore!

Një rënie aq e madhe e qarkullimit të parasë në hapësirën ku ekonomia pothuajse plotësisht bazohet në sektorin e shërbimeve do të shkaktonte rënie të produktivitetit të të gjitha subjekteve ekonomike qofshin ato: sallone ondulimi, restorante, kafiteri, shitore, barnatore, pompa… e më vonë do të vinte deri tek ulja e fuqisë blerëse dhe çmimeve të shërbimeve, humbjes së vendeve të punës dhe rënies së standardit momental ekonomik.

Interesi ekonomik i qytetarëve të veriut është që sasi sa më të mëdha të parave të shpenzohen në veri, e gjithsesi jam ithtar i tregut të lirë po edhe i asaj që fqinjët e mi shitës, kafexhi, frizerë të garojnë edhe me jugun – atëherë kur të sigurohen kushte të ndershme të tregut. 

Kush kë po e bojkoton?

Me rëndësi është që të jesh i ndershëm dhe të thuash se përveç arsyetimit ekonomik, ekziston edhe një rezistencë tek komuniteti lokal që të blejë në jug. E kjo rezistencë është përsëri e shkaktuar dhe vjen si reaksion ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës që t’u pezullohet liria e e zgjedhjes. Unë vetë përndryshe shpesh bëj tregti në jug dhe kjo është legjitime përderisa kjo është zgjedhje e imja se çka do të bëj me paratë e mia. Në atë moment kur dikush më kufizon me ndonjë politikë dhe më urdhëron se ku dhe për çka do të shpenzojë paratë e mia, ai prek liritë e mia. 

Politikën e urdhërave se kush çfarë guxon të blejë e filloi qeveria e Kosovës, kështu që është hipokrizi apostrofimi i emrave të afaristëve serbë për shkak të protestave në formë të mbylljes së dyqaneve dhe thirrjeve për bojkotim. Të ndalojë mundet vetëm ai që i ka mekanizmat që të “legalizojë” dhe institucionalisht ta zbatojë atë ndalesë, në këtë rast kjo është qeveria e Kosovës, kurse protesta është një formë legjitime e rezistencës dhe reaksion ndaj politikave që janë rrënuese për një grup të caktuar njerëzish. 

Në fund, është me rëndësi të thuhet se as politizimi i situatës nga ana e strukturës udhëheqëse në Beograd dhe artikulimi i keq i efekteve të lartpërmendura ekonomike nuk i kontribuon respektimit të kësaj proteste tek bashkësia ndërkombëtare. Asnjë nga zyrtarët serbë as që u përpoq që lidhur me këtë situatë të shpjegojë se si taksa prej 100% reflektohet ndryshe në veri dhe në pjesën tjetër të Kosovës, porse argumentimi u përmblodh në naconalizëm ekonomik dhe në atë se si serbët nuk duan asgjë nga jugu, duke përdorur në këtë rast nocione të mëdha si „katastrofë humanitare“. Një qasje e tillë vetëm sa u ka ndihmuar pretendimeve të Prishtinës se këtu bëhet fjalë “edhe për një manipulim të Beogradit“, që “Beogradi prapë po i udhëzon serbët nën kërcënim“ etj., sepse nuk është shpjeguar në mënyrë precize se sa dëmshëm reflektohet taksa prej 100% në veri të Kosovës dhe që thjeshtë tregtia ekskluzive me jugun do të thotë humbje e garës tregtare të veriut me jugun edhe me Rashkën. 

Të konkludoj, ai që e ka filluar këtë lojë të pezullimit të lirive ekonomike duhet edhe t’i vendos pikën. Kurse qytetarëve të tjerë të Kosovës gjithmonë u mbetet zgjedhja e lirë që të bojkotojnë prodhimet serbe. 

Respektimi i lirive reciproke është parakusht i komunikimit të hapur dhe ndërtimit të marrëdhënieve më të mira ndëretnike. 

(Lazar Rakić është qytetar i Zubin Potokut –  Teksti origjinal është botuar në portalin  Kossev.info)

SHARE