Kush po luan me harta (atje)

Me shumë gjasë, z. Vučić është i vetëdijshëm për përmasat dhe efektet e “lojës” së tij, por më mirë një provokim i pasuksesshëm sesa të heshtet kur Kurti vendosë rendin dhe ndërron rregullat e lojës të cilat u imponuan në një konjukturë tjetër ndërkombëtare dhe rajonale.

0
78

Nëse nuk të shtyn të mendohesh, atëherë nuk është titull. Nëse të mundon tepër ky më nuk është blog, ia kthej unë. Blogut disi i takon të të relaksojë, pastaj paimponueshëm ta shfaqë esencën e idesë tënde, ia ktheva unë mikut tim, përndryshe një shkrimtar me përvojë, të cilit i pëlqen të intrigojë publikun e vet me tituj të fortë edhe pse zakonisht nuk shkon më tutje se kaq. “Gjërat për të cilat shkruaj unë kurrë nuk janë deri në fund të qarta sepse loja rrjedhë” arsyetohet ai edhe pse nuk e pranon këtë. Intriga është qëllimi i një shkrimi.

Por, çka të duhet intriga kur është Vučić-i këndej pari. Mirë, nëse duam të luajmë me fjalë dhe të sillemi krejtësisht me qëllim të mirë dhe nuk i marrim seriozisht lojërat me harta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, nëpër rrjetet sociale atëherë edhe titulli i sotëm i blogut tim do të mund të merrej si një përpjekje e ngjashme. Të krijohet intriga, ngjarja, nga një shaka. Por nuk është shaka, pasi që e kemi të vështirë të imagjinojmë se, pas të gjithave që kanë ndodhur, presidenti serb mund të bëjë shaka, e sidomos me Kosovën. Nuk është as metaforë. Provokim? Ndoshta! Por nëse unë them se harta e Vučić-it është një thirrje për luftë të shenjtë dhe se marrëdhëniet “jonormale” mes Kosovës dhe Serbisë mund të kuptohen vetëm si një luftë e shenjtë permanente atëherë do të biem në grackë.  Nuk është as kjo. Ndoshta ishte veç një balonë provuese? Apo ishte xhelozi, natyrisht që politike, për publicitetin që e mori Albin Kurti me fitoren e tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme, dhe posaçërisht  për “provokimin “ e tij se dialogu nuk është prioriteti i tij i parë, as i dytë por vetëm i gjashti? Me insistimin e emisarit evropian, Kurti megjithatë lëshoi pak pe dhe e nxori dialogun në vendin e katërt të prioriteteve të tij si kryeministër. A ishte kundërprovokim kjo puna e hartës? A ishte ky një mesazh se të gjithë jemi ulur në një fuqi baroti, ndërsa Kurti “po krihet”?

Natyrisht, krejt kjo mund të jetë vetëm lojë me harta, por mund të jetë edhe provokim, por ka mundësi që të jetë edhe pjesë e një loje më të madhe për ridefinimin e kufijve dhe interesave në Ballkanin Perëndimor, dhe të thyej pikërisht politikën e tij, duke rrezikuar që e gjitha të destabilizojë përbrenda vet Serbinë ashtu siç u ndodhë shteteve dhe burrështetasve autoritarë.

Pastaj, sipas asaj, “kush mbjell kunguj…, i thyhen për kokën e tij”; na ruaj o Zot, krejt këtë lojë me fjalë ai mund ta keqkuptojë  dhe të nisë raketat e rrezikshme, jo kundër Kosovës sepse Kosovën e ruan KFOR- i por kundër meje dhe ne autorëve nuk ka kush na ruan, pos Zotit. Mundet me raketa, mundet me tren apo me kushedi se çfarë tjetër mund të kërcënojë z. Vučić këdo që nuk pajtohet me të, mund të luajë me harta dhe me kryq dhe krejt këtë ta lidhë me ngjarjet e marsit për të cilat me arsye dyshohet se ishin organizuar nga jashtë dhe atëherë kjo më tepër i bie të jetë nxitje lufte, kërcënim sesa lojë. Kur dihet për armatosjen e Serbisë dhe kur dihen deklaratat e presidentit serb në të cilat ai e përmend në të njëjtën intervistë Kosovën dhe Nagorni Karabahun, atëherë e gjithë kjo lojë me harta duhet kuptuar seriozisht.

Tashmë kanë kaluar 22 vjet prej se forcat serbe të policisë e ushtrisë, dhe të gjithë “qentë e luftës” që shkonin pas tyre, u larguan nga Kosova, kështu që është logjike të kuptohet që loja me harta dhe kërcënimet, qoftë edhe nga një politikan i kalibrit të z. Vučić, mund ta dëmtojnë jo vetëm shtetin serb por edhe atë, sikurse e dëmtuan partnerin e tij në lojën me harta. Mund të ndodhë në zgjedhjet e radhës edhe populli serb t’i “lexojë” lojërat e tij me kryq e komb dhe t’i japë verdiktin me vota.

Më 15 shkurt, Presidenti amerikan, Joe Biden, ia uroi ditën e shtetësisë presidentit serb, ndërsa dy ditë më vonë këtë e bëri edhe me presidenten e Kosovës në detyrë, Vjosa Osmanin. Në të dyja rastet, ai nuk la kurrëfarë dileme se në fund të procesit të dialogut ai pret njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ngjashëm me këtë, lidhur me “hartën e tij” reaguan edhe zyrtarët evropian duke theksuar se një veprim i tillë nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për çka edhe angazhohet BE.

Pse e bëri këtë z. Vučić? Mos, në shekullin XXI, ai priti mirëkuptim për kryqëzatën e tij? Pse pra ky provokim dhe kujt i dedikohet?

Mos po llogaritë se mund të imponojë dinamikën dhe përmbajtjen e dialogut nëse i bënë me nerva fqinjët apo ndërmjetësuesit ashtu siç arriti gjatë qeverisjes Kurti 1 të imponojë kushtin e heqjes së taksës dhe reciprocitetit për të vazhduar dialogun, me shumë gjasë sipas përmbajtjes dhe renditjes  për të cilën ishin marrë vesh me Ramën dhe Thaçin?

Me shumë gjasë, z. Vučić është i vetëdijshëm për përmasat dhe efektet e “lojës” së tij, por më mirë një provokim i pasuksesshëm sesa të heshtet kur Kurti vendosë rendin dhe ndërron rregullat e lojës të cilat u imponuan në një konjukturë tjetër ndërkombëtare dhe rajonale. Atëherë, duke u thirrur në Uashington dhe BE, ishte krijuar ideja se kufijtë mund të ndërrohen dhe kjo të mos sillte sërish  konflikt në regjion.

Pas zgjedhjeve në SHBA kjo konjukturë u ndërrua. Mos z. Vučić po i teston me “hartën, flamurin dhe kryqin” e tij  të gjithë pjesëmarrësit në dialog dhe po ua kujton se ai është pala pa të cilën nuk mund të ketë dialog?

Përgjigjet e sigurta i di vetëm z. Vučić. Ne të tjerët mund të hamendësojmë a është kjo një lojë me harta, një provokim apo vetëm përpjekje e tij të imponohet si lojëtari kryesor i cili i dikton rregullat e lojës. Nëse do të ecë  kjo “lojë” me prioritetet e kryeministrit të ri kosovar, apo do të luhet me rregullat e deritashme mbetet të shihet!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE