Kuvendi i Gjilanit përjashton këshilltarin Mitroviq nga seanca

Në fillim të seancës së djeshme të Kuvendit të Gjilanit me shumicë votash është përjashtuar këshilltari komunal serb, Sërgjan Mitroviq, i cili është emëruar nga Qeveria serbe si udhëheqës i strukturuarave paralele serbe në të ashtuquajturën Komuna e Gjilanit.

0
859

Mitroviq ka refuzuar të lëshojë sallën duke detyruar kryesuesen e KK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi të kërkojë pauzë dhe më pas puna e Kuvendit ka vazhduar, ngase Mitroviq nuk ka qenë i pranishëm në sallë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryesuesja e KK-së së Gjilanit pasi që ka përjashtuar këshilltarin Mitroviq ka deklaruar se në bazë të vendimit që është marrë do të kërkojnë ndërmarrjen e masave duke kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të zëvendësojnë këshilltarin e përjashtuar me një këshilltar tjetër .

“Është emëruar nga Qeveria serbe në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të organit të përkohshëm të ashtuquajtur Komunës së Gjilanit me seli në Kufcë, si strukturë paralele e Qeverisë serbe e instaluar në Komunën e Gjilanit. Obligohen organet kompetente komunale që në bashkëpunim me MAPL-in dhe KQZ-në të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zëvendësimin e Sërgjan Mitroviqit me anëtar tjetër nga po nga i njëjti subjekt politik. Për zbatimin e këtij vendimi kujdeset kryesuesi dhe anëtarët e Kuvendit”, ka thënë Bunjaku.

(koha.net, 1/03/2016)