Legjitimiteti i patriotizmit të padëmshëm

Përfundimisht, duhet të jetë në rregull të tregojmë që kemi simbole kombëtare dhe në fakt duhet të krenohemi me to. Derisa kjo të mos ketë tendencë të caktuar, ky është një patriotizëm i padëmshëm dhe i pranueshëm mbi të gjitha. Megjithatë, të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, i duhen njerëz që kultivojnë një koncept të ri patriotizmi, atë të dëshirës për të qenë kontribues ndaj shtetit të tyre.

0
278

Patriotizmi si ndjenjë e fuqishme besnikërie ndaj vendit tonë të lindjes dhe si lloj dashurie joracionale për vlerat e vendit tonë është i shprehur kudo. Natyrisht, ky patriotizëm, përderisa i pakufizuar, është i padëmshëm dhe ndoshta edhe i dobishëm për qytetarët e çdo shteti në botë. Ndoshta i tillë ishte edhe rasti i kohëve të fundit kur lojtarët e Zvicrës me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan në ndeshjen e kampionatit botëror të Zvicrës kundër Serbisë me simbolin e shqiponjës në shenjë të besnikërisë së tyre për prejardhjen nga Kosova. Natyrisht kjo nuk kaloi pa u vërejtur dhe i pati edhe implikimet e veta të cilat edhe do të trajtohen në këtë shkrim përmes një perspektive, me shpresë, neutrale.

Elementet kombëtare, sikurse janë simbolet në këtë rast, janë dhe duhen të konsiderohen si elemente të pranueshme të patriotizmit të cilat përbëjnë në një mënyrë identitetin e një populli të caktuar. Këto simbole janë elemente për të cilat njerëzit e çdo qytetërimi kanë arritur pajtueshmëri për përdorimin e tyre sepse u japin atyre ngjyrime të caktuara emocionale që zakonisht lidhen me të kaluarën e tyre. Në këtë kontekst, simbolet kombëtare nuk i drejtohen dikujt dhe kanë një lloj identiteti të vetin që është karakteristik për kultura të ndryshme kombëtare. Në këtë mënyrë, festimi me “shqiponjë”, mund të perceptohet si shprehje e identitetit shqiptar pa ndonjë nënkuptim tjetër.

Ndonëse historia e brishtë mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve ka ndikuar që festimi i lojtarëve me prejardhje nga Kosova të shkaktojë një lloj indinjate tek tifozët e Serbisë, është mirë që simbolet kombëtare të të dy popujve të fillojnë të shihen jashtë kontekstit historik në mënyrë që ngjarje të caktuara të mos marrin detyrimisht ngjyrime politike që mund të dobësojnë progresin e deritanishëm në marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, në situata të tilla është e rëndësishme që njerëzit nga të dy popujt ta ruajnë identitetin e tyre, të shfaqin patriotizmin në mënyrat më të pranueshme por në të njëjtën kohë edhe të përpiqen që dashuria për shtetin e tyre të shfaqet si lloj dashurie për vlerat e popullit të tyre dhe jo si lloj sulmi ndaj dikujt tjetër. Nëse simbolet kombëtare të serbëve dhe shqiptarëve përceptohen si elemente të dy qytetërimeve që synojnë të vendosin identitetin e tyre në hartën botërore, një mentalitet i tillë do të ndihmonte të dy popujt.

Siç kanë bërë edhe qytetërimet e përparuara perëndimore, ndoshta do të ishte e drejtë që qytetarët e dy shteteve – Kosovës dhe Serbisë – të fillojnë ta duan vendin e tyre në një mënyrë më racionale. Ndoshta fjala “patriotizëm racional” është pak e vështirë të definohet por mund të përpiqemi të pajtohemi që kemi të bëjmë me një dashuri ndaj vendlindjes sonë e cila do të shprehej me një angazhim qytetar më të theksuar, punë të dinjitetshme dhe mbi të gjitha me ndjenjën e të qenit qytetar i përgjegjshëm për të mirën e përgjithshme. Ky lloj patriotizmi ngjanë me patriotizmin e sugjeruar nga autori francez Tocqueville që, sipas tij, karakterizoi SHBA-të dhe historinë e tyre si një shteti i ri i cili u zhvillua me shpejtësi të madhe nga kolonizatorët evropianë. Pra, përfundimisht, duhet të jetë në rregull të tregojmë që kemi simbole kombëtare dhe në fakt duhet të krenohemi me to. Derisa kjo të mos ketë tendencë të caktuar, ky është një patriotizëm i padëmshëm dhe i pranueshëm mbi të gjitha. Megjithatë, të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, i duhen njerëz që kultivojnë një koncept të ri patriotizmi, atë të dëshirës për të qenë kontribues ndaj shtetit të tyre.

comments

SHARE