Lidershipi si variabël penguese në dialogun Kosovë – Serbi

Ofrohet një përshtypje që Aleksandar Vučić, si lider mjaft koherent i Serbisë në procesin e dialogut, por edhe përfaqësuesit e Kosovës në këtë proces kanë patur një tendencë që të mbështeten fuqishëm në prirjet e tyre nacionaliste dhe kalkuluese duke bërë që dialogu të jetë më shumë në funksion të interesave të tyre individuale dhe/ose partiake sesa në funksion të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështje.

0
90

Duket se ekziston një prirje te shumë prej nesh që kur flasim për raportet bilateriale të shteteve apo edhe pozitën e tyre në marrëdhënie ndërkombëtare t’i konsiderojmë ato si entitete të pandashme dhe të unifikuara. Më saktë, kur mendojmë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kemi një tendencë të mendojmë për dy shtete me qëndrime të unifikuara që dëshmojnë një lloj konsistence në kërkesat dhe sjelljen e tyre në raport me shtetet tjera. Megjithatë, është më e saktë që kur flasim për shtetet t’i mendojmë ato si organizata që në fund të fundit janë të drejtuara nga individë pushtetarë të cilët kanë një llojshmëri të madhe interesash të cilat jo vetëm që nuk arrijnë përputhshmëri me shtetin tjetër por që shpesh në këtë mënyrë dëmtojnë edhe vetë shtetin e tyre. Në këtë mënyrë tingëllon e drejtë që edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të bllokohet saktësisht për arsyen që politikanët do i japin përparësi ruajtjes së pushtetit personal në raport me pozicionin e shtetit të tyre në proces të dialogut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vitet e fundit duket që pengohet pikërisht nga ky problem i sjelljes së liderëve në raport me përfundimin e këtij procesi. Ofrohet një përshtypje që Aleksandar Vučić, si lider mjaft koherent i Serbisë në procesin e dialogut, por edhe përfaqësuesit e Kosovës në këtë proces kanë patur një tendencë që të mbështeten fuqishëm në prirjet e tyre nacionaliste dhe kalkuluese duke bërë që dialogu të jetë më shumë në funksion të interesave të tyre individuale dhe/ose partiake sesa në funksion të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështje. Vučić duket se ka përdorur shumë efektivisht çështjen e Kosovës në funksion të forcimit të pozitës së tij si president i Serbisë duke iu qasur këtij procesi me një nacionalizëm deri diku tipik serb. Retorika e tij ka qenë dhe vazhdon të karakterizohet me tone të ashpra të cilat kanë tendencën që të ritheksojnë mungesën e vullnetit të tij, dhe rrjedhimisht Serbisë, për njohje të Kosovës për aq sa ai e ka pushtetin. Së fundmi, Vučić ritheksoi që deri në fund të mandatit të tij, pra deri në prill të vitit 2022, nuk do të ketë njohje të shtetit të Kosovës.

Edhe nga kampi i Kosovës kalkulimet në drejtim të dialogut janë të ndërlidhura pashmangshmërisht me pozitën e liderëve në politikën kosovare. Ndonëse liderët në Kosovë kanë patur një qasje më të moderuar ndaj Serbisë dhe potencialisht mund të konsiderohen si më konstruktivë në procesin e dialogut, edhe atyre u është dashur të veprojnë në atë mënyrë që jo vetëm se shihet si e drejtë, por edhe që është në funksion të forcimit të pozicionit të tyre si liderë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj mbahet mend për insistimin e tij për taksën 100% ndaj Serbisë (me të cilën dukej që shpresonte të rriste bazën e votuesve në popull) kurse edhe Albin Kurti refuzonte të largohej nga prirjet e tij nacionaliste në mosgatishmërinë për të shkuar në Uashington me argumentin që diçka e fshehtë dhe rrjedhimisht e dëmshme po përgatitej për shtetin e Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti, ndonëse krahasimisht më konstruktiv dhe më i matur se parardhësit e tij, po ashtu është dashur të pozicionohet në atë mënyrë në çështjen e dialogut që i siguron atij një përfaqësim të favorshëm në raport me opinionin e Kosovës. Së fundmi, Hoti deklaroi se “nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”, duke ia kthyer kështu Presidentit Vučić me të “njëjtën monedhë nacionaliste”- qasje e cila gjithmonë duket se është më e favorshmja shikuar nga perspektiva personale e politikanëve.

Ndonëse nuk mund të ikim nga prirja për të menduar se janë Kosova dhe Serbia në procesin e dialogut, e vërteta duket se në fakt janë përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë në një proces i cili detyrimisht vazhdon të perceptohet bazuar mbi interesat e individëve të caktuar. Duket se mund të gjeneralizojmë edhe në raste tjera përtej rastit të Kosovës dhe Serbisë për një sjelle të tillë të liderëve por që në rastin konkret kjo shërben si një faktor vërtetë pengues për progres të mundshëm.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE