‘Lidhja ruse’ në tërheqjen e njohjeve të Kosovës

0
20

Vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, deri më tash e kanë tërhequr 13 shtete.

Bëhet fjalë për vendet: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guineja Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Republika Domenikane, Grenada, Bashkimi i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari dhe Palau.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ia ka dhënë Radios Evropa e Lirë kopjet e notave diplomatike, me të cilat këto shtete e informojnë këtë ministri për vendimet e veta.

Të gjitha informacionet lidhur me tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kanë arritur deri te publiku nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. Radio Evropa e Lirë, nuk ka marrë konfirmimin nga institucionet kompetente të shteteve, të cilat i kanë tërhequr njohjet për Kosovën.

Qeveria e Serbisë, pas dërgimit të notave diplomatike nga shtete të caktuara për tërheqjen e njohjes së Kosovës, ka sjellë vendime për heqjen e e regjimit të vizave për qytetarët e atyre shteteve.

Me gjashtë shtete nga 13 sosh, sipas të dhënave që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Federata Ruse ka arritur marrëveshje bilaterale dhe për dallim nga Serbia, këto marrëveshje i ka arritur para se ato shtete t’i tërheqin njohjet për Kosovës.

A ka marrë pjesë Rusia në fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe në çfarë mënyre?

Heqja e vizave si armë diplomatike

Sipas notës diplomatike, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ia ka paraqitur Radios Evropa e Lirë, Surinami është vendi i parë, i cili gjoja se ka tërhequr njohjen e Kosovës, në fund të tetorit të vitit 2017. Burundi e ka sjellë vendimin dhe për të i ka lajmëruar institucionet zyrtare në Serbi, në shkurt të vitit 2018 dhe më pas, në tetor të po atij viti të njëjtën e kanë bërë edhe leshto, Republika Domenikane dhe Grenada.

Nota verbale e Surinamit dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë

Në janar të vitit 2019, njohjen e Kosovës gjoja se e ka tërhequr edhe Palau.

Sipas të dhënave të ofruara në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Qeveria e Serbisë i ka hequr vizat për qytetarët e Surinamit, Burundit, Republika Domenikane, Grenadës dhe Palaut, ndërkaq me Lesoton është nënshkruar marrëveshja në fushën e ekonomisë.

Vendimet për heqjen e vizave janë sjellë pasi që vendet e caktuara kanë tërheqë njohjet për Kosovën, gjë që vërehet nga komunikatat në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, përveç në rastin e Grenadës dhe Republikës Domenikane, të cilave u janë hequr vizat pesë ditë para se këto shtete ta kenë suspenduar vendimin me të cilin e kanë njohur Kosovën.

‘Lidhja ruse’

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, përmes qasjes në dokumentet zyrtare, Federata Ruse ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim bilateral me: Surinamin, Burundin, Republika Domenikane, Grenadën, Madagaskarin dhe Papaun, para se këto shtete ta kenë tërhequr, siç thuhet, njohjen për Kosovën.

Bëhet fjalë për marrëveshjet që kanë të bëjnë me heqjen e vizave të shtetasve të këtyre vendeve, për të udhëtuar në Rusi, përveç në rastin e Madagaskarit, me të cilin Rusia ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, si dhe në rastin e Surinamit, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshjet me Rusinë i kanë paraprirë vendimeve të këtyre shteteve që të tërheqin njohjet ose përkohësisht t’i suspendojnë vendimet për njohjen e Kosovës dhe këtë e tregojnë datat se kur janë në shkruar marrëveshjet dhe datat nga notat diplomatike për tërheqjen e njohjeve për Kosovën.

Për shembull, në rastin e Burundit, Rusia, marrëveshjen për heqjen e vizave me këtë shtet, për bartësit e pasaportave zyrtare dhe atyre diplomatike, e ka nënshkruar me 6 shkurt 2018. Vetëm nëntë dit më vonë, me 15 shkurt të atij viti, Burundi ia ka dorëzuar notën diplomatike Ministrisë së Jashtme të Serbisë, në të cilën thuhet se qeveria e atij shteti ka sjellë vendimin që ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Nota verbale e Burundit dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë

Lidhur me këtë, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar institucioneve zyrtare të gjashtë vendeve, me pyetjen se mbi cilën bazë kanë sjellë vendimet për tërheqjen e njohjes së Kosovës, si dhe nëse për këtë ka luajtur rol Federata Ruse. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ka arritur përgjigja vetëm nga Republika Dominikane, e cila përmes rrjetit elektronik ka thënë se presidenti nuk është kompetent që të japë përgjigje në pyetjen e parashtruar.

Daçiq: ‘Rrëfime të kota’

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka mohuar rolin e Rusisë në tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se a ka rol dhe cili është ai rol i Rusisë në fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, Daçiq, më 22 korrik 2019, para mbledhje së Këshillit kryesor të Partisë Socialiste të Serbisë, u ka thënë gazetarëve se këto janë rrëfime të kota.

“Mendoj që këto janë rrëfime të kota. Më besoni që askush nuk na ka ndihmuar, vetë e kemi bërë këtë dhe vet do të punojmë edhe më tej. Por nëse dikush ka ndihmuar, unë e falendëroj, vetëm ta di se kush është”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar gjithashtu që nuk është i njoftuar nëse Rusia me shtetet që i kanë tërhequr njohjet për Kosovën, kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale.

“Unë nuk e di nëse ka viza ndërmjet atyre shteteve dhe Rusisë, por dëgjoni, edhe nëse është e vërtetë.. prisni pak… çfarë po bëjnë këta të tjerët? Çfarë po u ofron Amerika këtyre të tjerëve vetëm që ta njohin Kosovën?”, u shpreh Daçiq..

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se çfarë dëshiron të thotë me këtë, Daçiq është përgjigjur:

“Amerika ofron ndihmë ekonomike. Heqja e vizave është aq e imtë sa që ata as që dëshirojnë të flasin për këtë”, tha Daçiq.

Akuzat nga Prishtina

Akuzat në llogari të “tregtisë” për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, në qershor të vitit 2018, i ka bërë shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai pati thënë atëherë që Serbia në mënyrë të ashpër po lobon kundër Kosovës dhe se të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës flasin që një nga bazat e diplomacisë serbe është kompensimi me armë për shtetet, që të mos e njohin Kosovën, sidomos në vendet e Afrikës.

“Kemi pasur të dhëna edhe nga marrëveshjet që janë nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe shteteve tjera në botë”, pati theksuar asokohe Pacolli, duke mos dashur që të precizojë se cilat janë ato shtete. Pas kësaj deklarate, pati reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili mohoi pretendimet e Pacollit.

“Ne nuk dhurojmë armë, ne shesim armë dhe me këtë krenohemi. Unë mburrem me këtë. Do të shesim armë edhe më shumë, natyrisht, kudo që është e lejuar kjo”, pati thënë Vuçiq atëherë.

Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008. Në vitin e parë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosovën e kanë njohur si shtet sovran 54 shtete, ndërkaq, sot Kosova thotë që numri i njohjeve të saj është nga 117 shtete.

(Radio Evropa e Lire, 25/07/2019)

SHARE